Duhet një institucion koordinues
Shkruar nga Behgjet Pacolli
Jemi duke jetuar ngjarje të cilat cenojnë, apo mund të cenojnë interesin kombëtar në objektivat kryesore të tij- mbijetesën dhe sigurinë kombëtare. Interesi kombëtar është tërësia e qëllimeve dhe objektivave të një shteti, ku më të rëndësishmit janë mbijetesa dhe siguria e tij.
Po flitet për diskutime teknike, pragmatike, madje dikush guxon dhe kërkon diskutime mbi statusin e Kosovës. Po flitet se para vendimit të GJND-së, madje shumë më herët, siç saktëson një politikane lokale serbe, Serbia po lobonte dhe po lobon për ndarjen e Kosovës, pra rihapjen e diskutimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës. Ajo flet për një lobim prondarjes që në kohën e Koshtunicës, madje për hapjen e kësaj teme, në zyrën e zëvendëspresidentit të SHBA-ve, Dick Cheney. Me shumë gjasa, një thënie e kësaj politikaneje, mund të jetë një balon prove për të testuar opinionin publik në Kosovë, apo pse jo dhe atë rajonal. e them këtë sepse prej shumë kohësh, nga Beogradi zyrtar vijnë mesazhe kundërthënëse: dikush përgënjeshtron idenë e ndarjes, dikush e afirmon atë. Fakti që për ta afirmuar mesazhin pro ndarjes, u zgjodh një nivel lokal politik, duket se konfirmon që kjo tezë u lëshua tani si njëlloj baloni prove për Kosovën apo për rajonin. Ose për të testuar, ose për të turbulluar! Unë nuk e besoj një lajm si ky, sepse nuk besoj kurrë se një temë si ndarja, do të mund të hapej në zyrën e një përfaqësuesi të lartë të shtetit që ka qenë dhe mbetet miku më i madh i Kosovës, siç janë SHBA-të. SHBA-të, pastaj janë vendi më i afishuar kundër idesë së ndarjes së Kosovës, dhe kjo e bën edhe më shumë provokative gjoja informacionin e zonjës në fjalë. Të dy administratat, ajo republikane, dhe ajo demokrate kanë qenë, janë dhe do mbeten me Kosovën. Por kjo s'do të thotë se ideja e ndarjes, s' duhet përballur seriozisht për ta bllokuar atë përfundimisht. Si-kjo është çështja?
Në veriun e Kosovës gjithashtu ka turbullira si p.sh në Mitrovicë dhe s'kemi arritur asgjë.
Edhe për njohjet, element themelor për afirmimin ndërkombëtar të sovranitetit të Kosovës në gjithë territorin, po shohim njëlloj gare të institucioneve për të arritur njohje, që ndonjëherë thjesht janë "njohje të siguruara më parë". Po mungon koordinimi midis akterëve kryesorë që po punojnë për njohjet. Unë kam bërë edhe më parë thirrje për koordinim, por askush nuk më ka dëgjuar. Sot askush nuk mund të sillet si shurdh. Situata nuk është si më parë.
Ngjarjet që përmenda rastësisht ose jo rastësisht koincidojnë me një periudhë të çuditshme. Koincidenca e parë është afrimi i verës, i pushimeve kur bie vigjilenca e njerëzve dhe e shteteve. Koincidenca e dytë është se këto ngjarje po ndodhin kur pritet të shpallet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për statusin e Kosovës. Këto ngjarje koincidojnë dhe me një moment aktivizimi të pranisë ndërkombëtare në Kosovë në luftën kundër korrupsionit- kjo është koincidenca e tretë. Lajmet mbi bastisjen e ministrisë së transporteve, apo se po hetohen 100 çështje, apo se 6 prej tyre janë të nivelit të lartë, nuk janë lajme të mira për forcën dhe autoritetin e brendshëm dhe të jashtëm të qeverisë.
Propozimi im
Angazhimi për t'u përballur me diskutime pragmatike, teknike, apo më keq akoma për t'ju kundërvënë strategjisë së ndarjes së Kosovës, për njohjet, lidhen direkt me interesin kombëtar. Jo thjesht të Kosovës, por të mbarë shqiptarëve kudo që janë.
Për çështjet që janë të lidhura me interesin kombëtar, vendet normale krijojnë institucione që bashkojnë të gjitha palët politike. Të gjitha palët politike harmonizojnë qëndrimet e tyre brenda këtyre institucioneve ad hoc. Kosova nuk është duke e bërë këtë, që prej diskutimeve për statusin nën drejtimin e Ahtisaarit. Pra Kosova është e ndarë para kërcënimeve të jashtme.
Kosova ka shumë më shumë arsye sot për të krijuar institucione të tilla pajtuese, vendimmarrëse, përfaqësuese, apo të paktën këshilluese për institucionet ekzistuese të shtetit të ri. Njerëzit që sot drejtojnë shtetin në dy partitë kryesore janë duke punuar në një klimë hetimesh, që s'është e favorshme, që i ka prishur qetësinë personale, dhe ndaj ata s'mund dhe s'duhet ta mbajnë të vetëm barrën e përgjegjësive të tilla siç janë çështjet që përmenda më lart.
Për të gjithë këto arsye unë do të propozoja që Presidenti i Republikës të kompozonte një lloj Këshilli të interesit kombëtar. Ky këshill duhet të përmblidhte brenda përfaqësuesit e partive kryesore të vendit, krerët e institucioneve dhe individë me reputacion të lartë në shoqërinë tonë. Ky institucion nuk është në kundërshtim as me Kushtetutën, as me dokumentet ndërkombëtare.
Ky Këshill duhet në mbledhje të mbyllura për mediat të trajtojë përshembull çështjet e njohjeve, duke u përpjekur të krijojë një strategji pajtuese të të gjithë aktorëve, që po kontribuojnë. Nëse do të kishim patur këtë institucion që më parë, nuk do të përballeshim me dublime përpjekjesh, me ndjekje prej ministrisë së jashtme të pistave të hapura më parë. Pra nuk do kishim ndjekje të punëve të kryera siç ishte rasti i Tanzanisë. Do të kishim bashkëpunim në Nisë, dhe jo vështirësi të titullarit të kësaj ministrie për të gjetur vend ku me u taku me homologët e vet, diçka që mund ta dëshmoj personalisht. Do të kishim dërgim të kërkesave të Presidentit për njohje, në të gjithë vendet pa përjashtim, dhe jo si deri më sot, kur disa vende injorohen, apo ftesat përfundojnë s'dihet se ku. Këshilli në fjalë duhet patjetër të ballafaqohet me çështjen e bisedimeve teknike, apo me strategjinë që duhet ndjekur pas vendimit të pritshëm të GJND në 22 korrik, siç flitet. Sigurisht gjithçka duhet konsultuar me miqtë tanë perëndimorë.
Por mbi të gjitha ky Këshill duhet të trajtojë me vendosmëri, kërcënime si ndarja e Kosovës dhe duhet të miratojë një strategji kundërshtuese me reagime të forta. Nëse vërtet Beogradi hedh në tregun ndërkombëtar idenë e ndarjes, atëherë ne duhet të koordinojmë këtë strategji dhe me faktorët e tjerë legalë shqiptarë, me shtetin amë, apo me faktorët e tjerë politikë në Maqedoni. Shqiptarët sot nuk janë më një faktor i dobët që mund të nëpërkëmben kollaj. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, shqiptarët sot si komb janë më të fortë.
Ky është propozimi im i thjeshtë! Kur unë kërkoja qeveri teknike, kam parasysh dhe se kjo qeveri, këto institucione, që gjenden në krizë nuk mund të prodhojnë nga pikëpamja e interesit kombëtar vendimet e duhura në një situatë kaq problematike si kjo. Por nëse nuk kemi qeveri teknike, atëherë ky institucion, ky Këshill i interesit kombëtar duhet të krijohet patjetër. Kosova nuk e ka luksin që t'ja besojë vendimet më të rëndësishme vetëm një grushti njerëzish. Kosova duhet të jetë bashkë në vështirësi. Shqiptarët kudo që janë duhet të jenë bashkë në vështirësi. Dhe bashkë, askush nuk mund të na mundë dot.