Duhet hapur debat korrekt e pa tendenca për arsimin në Kosovë
Shkruar nga Rrahman Jasharaj
Të hapim debat korrekt, të kulturuar e pa tendenca dhe bashkërisht të shohim ngecjet. Mësimdhënësi, i testuar a i pa testuar, vetëm nuk mund të ndryshojë gjendjen drejt cilësisë më të lartë.
Duhet të përfshihemi e të angazhohemi të gjithë. Duhet angazhim i Ministrisë, DKA-ve, prindërve , inspektorëve të arsimit dhe më kryesorja duhet ta largojmë përfundimisht dhe plotësisht politikën nga shkollat.
Pas deklaratës së Ministrit Bajrami se në tetorin e këtij viti të gjithë mësimdhënësit e Arsimit Parauniversitar do ti nënshtrohen një testimit me shkrim dhe pas qëndrimit të argumentuar të SBASHK-ut kundër këtij eksperimenti është e natyrshme që të hapet një debat korrekt e pa tendenca për arsimin në Kosovë.
SBASHK-u është i gatshëm të marr pjesë në këtë debat , qoftë në ndonjë Konferencë, qoftë në emisionet tematike e të debatit në TV-të tona të respektuara.
Mirë është të debatohet për gjendjen në arsim. Mirë është edhe të jepen ide se si ta shtojmë cilësinë në arsimin tonë, por nuk është e natyrës intelektuale të flitet bazuar në inatin ndaj një mësimdhënësi dhe të thuhet se cilësia në arsimin tonë është shumë e dobët.
SBASHK-u ka pasur fatin të jetë i ftuar në shumë takime në shtetet e Ballkanit, të Evropës e madje edhe në Kanada. Kudo është bashkëbiseduar për çështje sindikale, por edhe për situatën aktuale në arsimin e vendeve pjesëmarrëse.
Arsimi në Kosovë nuk është më i dobët nga cilësia krahasuar me vendet tjera në Ballkan. Mirëpo këtë arsimin tonë e dallon dhe e fisnikëron e kaluara historike dhe qëndresa e përkushtimi, pikërisht i këtyre mësimdhënësve që dikush me teste po mundohet ti degradojë.
Këta mësimdhënësit tonë duke sakrifikuar jetën punuan në vitet e 90-ta për ta mbajtur gjallë shpresën për të ardhmen dhe janë nga më të merituarit për shtetësinë e Kosovës.
As kërcënimi i pushuesit me dhunë e armë nuk i largoi këtë njerëz të mirë nga misioni i tyre për arsimimin dhe edukimin e brezave në ato kushte okupimi.
Për këtë ata kanë marrë përkrahje e mirënjohje edhe nga Internacionalja Botërore e Arsimit dhe nga kolegët anëtarë të sindikatave simotra nga e Ballkani , Evropa e bota.
Këtë njerëz bashkë me koleget që iu shtuan lumit të mësimdhënësve të Kosovës në këto vitet e pasluftës janë të gatshëm të angazhohen edhe më shumë për ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsim, por jo përmes eksperimenteve të radhës e në bazë të tekave të individëve.
Ata që u plasi shpirti për testin në debate publike duhet të thonë e të tregojnë çka pas testit? Ata me siguri do të përgjigjen do të shohim dobësitë dhe do të rinisim me trajnime.
A pak trajnime ka pasur në vitet e pasluftës te ne a? Ka pasur trajnime e trajnime dhe jo pak prej tyre, nuk janë mbajtur në shërbim të dijeve të reja e as në shërbim të ngritjes së cilësisë në arsim, por janë organizuar për qejfin dhe tekat e dikujt.
Të hapim debat korrekt , të kulturuar e pa tendenca dhe bashkërisht të shohim ngecjet. Mësimdhënësi , i testuar a i pa testuar, vetëm nuk mund të ndryshojë gjendjen drejt cilësisë më të lartë.
Duhet të përfshihemi e të angazhohemi të gjithë. Duhet angazhim i Ministrisë, DKA-ve, prindërve , inspektorëve të arsimit dhe më kryesorja duhet ta largojmë përfundimisht dhe plotësisht politikën nga shkollat.
Unë si kryetar i SBASHK-ut në emër të gjithë mësimdhënësve të Kosovës e përmes këtij shkrimi po pranojë pjesëmarrjen në debate korrekte e të kulturuara me qëllim që bashkërisht të kontribuojmë për ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsim dhe për këtë nuk kemi nevojë për eksperimente e teste degraduese e ofenduese me shkrim për mësimdhënësit.