Drejtësi të plotë për Xhenetën
Shkruar nga Jo-qeveritare Emancipimi Civil Ma Ndryshe
Prokuroria Themelore në Prizren më datë 13 korrik 2017 ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit B.E., për shkak të veprave penale, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe mos evitimi i rrezikut.
Sipas aktakuzës i akuzuari B.E., në cilësi të personit përgjegjës pranë Komunës së Prizrenit, përkatësisht drejtor i Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, nga pakujdesia nuk ka ndërmarr masat për vendosjen e pajisjeve mbrojtëse përreth shtëpive para shembjes, në rrugën “Marin Barleti” në Prizren për të evituar rrezikun, në atë mënyrë që me datë 06.06.2016, rreth orës 15:30 minuta., fëmija Xh.G., e lindur me datë 07.08.2012 derisa ishte duke luajtur në rrugë nga shembja e shtëpisë pëson plagë në kokë dhe në trup, ashtu që nga plagët e marra ndërron jetë.
Sipas Prokurorisë, me këto veprime i akuzuari B.E., ka kryer veprat penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe 2 të KP-ës dhe mos evitimi i rrezikut nga neni 370 paragrafi 1 të KP-ës.
Pa dashur që të ndërhyjë në punën e Prokurorisë, si organ i pavarur, EC Ma Ndryshe dëshiron që t’i shpreh disa opinione të veta mbi rrjedhën e deritanishme të ndjekjes penale të rastit. Opinioni ka të bëj me drojën që ka EC nëse kjo aktakuzë është e mjaftueshme për vendosjen e drejtësisë së plotë për rastin e vdekjes së Xheneta Gashit.
I. Vonesat në ndjekjen e rastit
Sipas Aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, kjo Prokurori më datë 14 korrik 2016 ka pranuar kallëzimin penal nga Drejtoria rajonale e Policisë së Prizrenit. Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore Prokuroria më 8 gusht 2016 ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj N.K. (ish-drejtor i Urbanizmit), B.B. (ish-drejtor i Inspektorateve) dhe B.E. (drejtor i DES), që të tre zyrtarë të lartë në Komunën e Prizrenit, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe veprën penale si bashkëkryerës, mos evitimi i rrezikut. Pra, aktvendimi për fillimin e hetimeve ndaj 3 zyrtarëve të lartë të Komunës së Prizrenit është marrë 2 muaj pas rastit tragjik.
Ndërsa pas hetimeve të zhvilluara, Prokuroria më 13 korrik 2017 ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit me inicialet B.E., derisa sipas Prokurorisë, në mungesë të provave ndaj të pandehurve: N.K. (drejtor i Urbanizmit) dhe B.B. (drejtor i Inspektorateve) është marrë aktvendimi mbi pushimin e hetimeve. Pra, aktakuza është ngritur pasi kanë kaluar më shumë se një vit nga rasti tragjik në rrugën “Marin Barleti” dhe gati një vit që prej se ishte marrë aktvendimi për fillimin e hetimeve.
EC ka parasysh faktin se Kodi i Procedurës Penale parasheh që hetimi të përfundojë brenda dy viteve nga fillimi i tij. Megjithëkëtë konsideron se për shkak të interesimit të madh të publikut për këtë rast (argument që është përmendur në media edhe nga vet drejtuesit e Prokurorisë Themelore), Prokuroria është dashur që të jetë më e mobilizuar në shkurtimin e afatit të ngritjes së aktakuzës në këtë rast.
II. Analiza e përgjegjësive
Konstatimi i parë i EC në këtë pikë është se me aktin e Prokurorisë, Komuna e Prizrenit akuzohet se është përgjegjëse për tragjedinë në fjalë, pasi që në këtë rast akuzohet një drejtor i Komunës, i emëruar nga kryetari i Komunës, Ramadan Muja, në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Mirëpo sipas legjislacionit në fuqi, siguria publike dhe mbrojtja dhe zhvillimi i Qendrës Historike të Prizrenit janë përgjegjësi të ndara të dy niveleve të qeverisjes, ku pos Komunës së Prizrenit edhe ministritë e linjës si Ministria e Kulturës (MKRS) dhe Ministria e Mjedisit (MMPH) kanë po ashtu obligime direkte.
Sa i përket nivelit lokal, sipas vendimit për organizimin e brendshëm, sistematizimin, përshkrimin dhe klasifikimin e vendeve të punës në Administratën e Komunës së Prizrenit ndër të tjera, dikasteri i Emergjencës (DES) është përgjegjës për vlerësimin e rrezikshmërinë, duke u bazuar në të dhënat faktike për planifikim si dhe ndërmarrjen e masave parandaluese për pengimin, zvogëlimin dhe eliminimin e pasojave nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera. Ndërsa Drejtoria e Urbanizmit (DUPH) ndër të tjera ka për detyrë të përcaktojë kushtet për konservimin dhe ruajtjen e objekteve me vlera të posaçme.
E sipas vendimit të sipërpërmendur Inspektorati (DI), përkatësisht inspeksioni i ndërtimit ndër të tjera ka për detyrë që të inspektoj kushtet dhe masat e sigurisë që kanë të bëjnë me sigurimin e objektit dhe të objekteve tjera përreth, si dhe masat për sigurinë e komunikacionit përreth objekteve.
Për më shumë, më datën 2 shkurt 2016 Kryetari i Komunës, Ramadan Muja përmes konkluzionit ka miratuar propozimin e Drejtorisë së Inspektorateve për lejimin e intervenimit në objektet që paraqesin rrezikshmëri për qytetarët në territorin e Komunës së Prizrenit, duke lejuar shpalljen e tenderit përkatës. Paraprakisht në janar të vitit 2016 kryetari Muja ka formuar dhe emëruar edhe Komisionin për vlerësimin e objekteve që paraqesin rrezikshmëri për qytetarët e Komunës së Prizrenit, me dy anëtarë nga DI, një nga DUPH dhe një nga DES.
Bazuar mbi këto të dhëna, EC konsideron se në këtë rast duhet të analizohet në mënyrë të pavarur dhe të hollësishme edhe niveli i përgjegjësisë së kryetarit Muja, por edhe drejtuesve të DI-së e DUPH-së, pa e amnistuar as DES-in. Kjo për arsye se politika e sigurisë publike në parim kërkon ndërveprim të sektorëve.
Një gjë e tillë vërtetohet edhe me vendimin e marrë nga kryetari i Komunës për formimin dhe emërimin e Komisionit për vlerësimin e objekteve që paraqesin rrezikshmëri për qytetarët e Komunës së Prizrenit, me dy anëtarë nga DI, një nga DUPH dhe një nga DES, më 12 janar 2016, derisa sipas të dhënave në aktakuzë del se në raportin e datës 18 janar 2016 ky Komision ka konstatuar se shtëpitë në rrugën “Marin Barleti” janë cilësuar si objekte me rrezikshmëri të lartë për kalimtarë dhe banorë fqinj, dhe se raporti i është dorëzuar DI-së, DUPH-së dhe DES-it.
Një shqetësim që paraqitet në këtë drejtim është se përse këto organe komunale nuk kanë vepruar me kohë dhe në mënyrë të duhur, kur Komisioni i ka paralajmëruar se objektet janë me rrezikshmëri të lartë.
Në këtë pikëpamje nuk duhet harruar edhe përgjegjësitë e kryetarit të Komunës, që sipas nenit 58-të të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale “emëron dhe shkarkon anëtarët e tij, të cilët i ndihmojnë atij në kryerjen e detyrave” dhe “organizon punën dhe drejton politikën e komunës”, derisa sipas Statutit të Komunës së Prizrenit përkatësisht nenit 50, “emëron drejtorët e drejtorive të Komunës për të ndihmuar rreth kryerjes së detyrave të tij” dhe “bën caktimin apo ndarjen dhe bashkërendimin e përkohshëm të punëve dhe përgjegjësive ndërmjet drejtorive sipas nevojës duke pasur për bazë lëmin apo projektin e caktuar”, sikurse që kujdeset edhe për zbatimin e dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e komunave.
Duke qenë se për pesë muaj DI, DUPH e DES nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim në rrugën “Marin Barleti”, kryetari i Komunës, në cilësinë e zyrtarit kryesor ekzekutiv të komunës, është dashur që të përkujdeset që ata të kryejnë detyrën e marrë përsipër, apo në të kundërtën për mosveprim edhe t’i shkarkojë drejtuesit e këtyre drejtorive.
Në këtë pikëpamje, për shkak të dështimit në zbatimin e politikave të sigurisë publike, EC konsideron se nuk duhet të amnistohet asnjëra prej drejtorive që kanë përgjegjësi në këtë lëmi, por as vet kryetari i Komunës, i cili udhëheq ekzekutivin e komunës dhe administratën e saj.
Në anën tjetër, edhe ministritë e linjës si MKRS dhe MMPH kanë po ashtu obligime direkte sa i përket Qendrës Historike të Prizrenit (Zonës ku ka ndodhur tragjedia) dhe për këtë arsye as ato nuk mund të lihen anash nga përgjegjësia para ligjit dhe drejtësisë.
MKRS duke qenë se administron listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje ligjore ka përgjegjësi të dyfishtë, pra si në raport me Qendrën Historike, që ka statusin e zonës së trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme të Republikës së Kosovës, ashtu edhe me objektet në rrugën “Marin Barleti”, që kanë status të mbrojtjes ligjore dhe bëjnë pjesë në Kompleksin e Nënkalasë, Pantelisë dhe Potok Mahallës, duke qenë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme.
Edhe MKRS është dashur që t’i kryej detyrimet e veta ligjore në raport me objektet në këtë rrugë, dhe në mungesë të veprimit duhet të japë përgjegjësi para drejtësisë. Përkundër faktit që Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren një kohë të gjatë ka konstatuar dhe ka informuar MKRS rreth rrezikshmërisë së objekteve në rrugën “Marin Barleti”, kjo e fundit nuk ka ndarë buxhet për ndërhyrje përgjatë së paku katër viteve të fundit.
Ngjashëm duhet të analizohet edhe pëgjegjësia e MMPH-së, duke qenë se kjo ministri ka sponsorizuar Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, dhe Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura. Në këtë rrafsh, MMPH mban përgjegjësi sepse ka pas detyrime ligjore që të përkujdeset se Komuna, KTK-ja, Zyra për Qendrën Historike, janë pajisur me resurse të duhura për mbrojtjen, menaxhimin dhe zhvillimin e Qendrës Historike.
III. Hetimet dhe aktakuzat shterpe
Paralelisht me këto që u thanë më lartë, EC dëshiron të sjellë në kujtesë se gjatë viteve të fundit nga Prokuroria janë iniciuar disa hetime lidhur me shkatërrimin e objekteve në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike, sikurse që ka pas edhe raste të aktakuzave të ngritura, por që nuk janë përmbyllur me aktgjykime dënuese nga Gjykata.
Njëri prej rasteve të tilla të freskëta është ai i rrënimit të Hanit të Mullafazlive, ku Prokuroria Themelore e Prizrenit pat ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të komunës së Prizrenit, por të rangut më të ulët në DI dhe DUPH (që nuk shquhen me fuqi politike), ku pas procesit gjyqësor Gjykata Themelore pat konstatuar se nuk është arritur që të provohet se të njëjtit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin.
Natyrisht, EC konsideron se në këtë procedurë vendimi i Gjykatës ka qenë i drejtë, pasi që dy zyrtarët s’kanë qenë përgjegjës për veprat penale që janë kryer në këtë rast. Mirëpo përfundimi që mund të nxirret nga ky proces gjyqësor është se në këtë rast organet e drejtësisë e kanë kryer ciklin e procedurës penale dhe askush nga zyrtarët institucional nuk është dënuar, përderisa vepra penale ndaj objektit të trashëgimisë kulturore është kryer.
Në anën tjetër, për të njëjtin rast ekziston një tjetër rast në procedurë pranë kësaj gjykate, ku i akuzuar është investitori që ka kryer rrënimin e objektit. Nuk ka informacion publik nëse për këtë rast është zhvilluar ndonjë seancë gjyqësore, ndërsa kjo vonesë është tjetër tregues i zhagitjeve gjyqësore për të sjellë drejtësi.
Pra edhe në ato pak raste të nisjes së procedurave penale për dëmtim të qëllimshëm të trashëgimisë kulturore duket se nuk ka pasur interesim për ndjekjen e zyrtarëve vendimmarrës e madje Prokuroria pavarësisht nga aktakuzat e ngritura ka dështuar edhe me sjelljen e provave para Gjykatës.
EC nuk dëshiron të besoj se modeli i njëjtë është zbatuar edhe në hetimin e rastit të vdekjes së Xheneta Gashit në rrugën “Marin Barleti”.
Megjithatë treguesit e deritanishëm ushqejnë dyshimin se procedura e zhvilluar do të jetë e mjaftueshme për vendosjen e drejtësisë së plotë për këtë rast tragjik. Përderisa në rastet e mëparshme kanë pësuar objektet e trashëgimisë kulturore dhe këto vepra penale kanë mbetur pa u ndëshkuar, një praktikë e tillë nuk guxon të ndodh edhe në rastin e Xheneta Gashit, për faktin se 3 vjeçarja ka humbur jetën në hapësirën publike, si pasojë e mos veprimit të institucioneve që kanë përgjegjësi ligjore, prandaj dhe është detyrim i organeve të drejtësisë që të sigurojnë drejtësi të plotë në këtë rast.
IV. Përfundim
EC shpreh dyshimin se aktakuza e ngritur në këtë rast mund të sjellë drejtësi të plotë për rastin tragjik të Xheneta Gashit. Dyshimin tonë e bazojë në këto fakte:
- Ngritja e aktakuzës ka marrë kohë më shumë se një vit, përkundër faktit që ishte rast me interes të madh publik,
- Rastet e kaluara të ndjekjes së veprave penale brenda Qendrës Historike janë procese të stërzgjatura të hetimeve dhe asnjëherë nuk kanë prodhuar aktgjykime dënuese,
- Analiza e përgjegjësisë institucionale në raport me sigurinë publike dhe mbrojtjen dhe menaxhimin e Qendrës Historike nxjerr një numër të madh institucionesh e zyrtarësh përgjegjës për rastin (si në nivel lokal ashtu edhe atë qendror),
- Përkundër që gjatë fazës së hetimeve janë hetuar disa zyrtarë të lartë të komunës, Prokurori ka dështuar të argumentojë pse kanë pushuar hetimet për dy drejtorët tjerë të hetuar,
- Aktakuza e ngritur kundër vetëm një drejtori të komunës, i cili nuk ka fuqi politike dhe vjen nga një parti minoritare, pjesë e vogël e koalicionit lokal, dhe amnistimi i dy drejtorëve të tjerë, zyrtarë të lartë të partisë në pushtet në komunë, është tregues i qartë i ndikimit politik në sistemin gjyqësor,
- Edhe në ato pak raste të përfundimit në gjykatë, aktakuzat për veprat penale brenda Qendrës Historike kanë qenë tejet shterpe, duke i sfiduar edhe gjykatësit në marrjen e vendimeve dënuese.