26 Dhjetor 2024

Diversiteti konceptual mes tatimeve dhe taksave

Shkruar nga Ma.Sc. Burim Haliti


Shteti si mekanizëm për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj qytetarëve ka obligime të shumta ndaj qytetarëve të tij, mirëpo njëherit secili shtet në botë për të funksionuar në aspektin financiar ka paraparë që qytetarët duhet të ju përgjigjen dhe paguajnë tatimet dhe taksat që i ka instaluar shteti përmes legjislacionit të tij.

Teoricienët e shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë kanë kontribuar në definimin e tatimeve dhe taksave në kuptimin teorik, mirëpo ne sot kemi nevojë më shumë se kurrë ta kuptojmë se cilët janë këta mekanizma financiar shtetëror në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe fiskal.

Tatimet janë të hyra shtetërore që qytetarët i paguajnë institucioneve të shtetit me të vetmin qëllim që shteti të ketë stabilitet financiar në kuptimin e funksionimit të institucioneve të tij dhe shpenzimeve publike.

Tatimet për tu realizuar duhet të kenë bazë ligjore, që tek ne kjo është e rregulluar me standarde të larta. Tatimet në Kosovë në aspektin e rregullimit me legjislacion kanë standarde të BE-së, mirëpo sa i përket aplikimit dhe mbledhjes së tatimeve ne ngecim shumë në krahasim me vendet e BE-së, por edhe me vendet e rajonit.

Tatimet janë burimi kryesor që shteti financon shpenzimet publike përmes mbledhjes së tyre dhe të cilat janë të parapara me akte ligjore në Republikën e Kosovës.

Rëndësia e tatimeve në shtetet bashkëkohore është e madhe sepse përmes mbledhjes së tyre shtetet mbesin gjallë në kuptimin e funksionimit të institucioneve shtetërore në aspektin fiskal dhe financiar.

Në përgjithësi qytetarët janë të obliguar që ti paguajnë tatimet sepse në të kundërtën kjo është shkelje ligjore dhe kalon në përgjegjësi penale, andaj çdo veprim për mos përgjigje ndaj tatimeve shteti i sanksionon me masa penale dhe materiale-pasurore.

Sot në botën bashkëkohore tatimet nuk kanë vetëm karakter fiskal që nënkuptohet vetëm për ta mbushur arkën e shtetit për nevoja publike, por tatimet mblidhen edhe për qëllime tjera të cilat janë: sa i përket politikës së çmimeve, ofertës dhe kërkesës, investimeve, shkallës së inflacionit, zhvillimit infrastrukturor të vendit, etj. 

Taksat janë instrumente të rëndësishme financiare për shtetet moderne sepse përmes këtyre të hyrave shtetet i mbulojnë të dalurat publike. Po ashtu edhe taksat kanë karakter ligjor sepse janë të parapara me legjislacion vendor dhe askush nuk mundet të të obligojë të paguaj një taksë e cila nuk ka bazë ligjore apo që nuk është paraparë me akte nënligjore të institucioneve të ndryshme qendrore dhe lokale.

Në kuptimin bashkëkohor taksat më tepër janë të ndërlidhura me punët apo shërbimet shtetërore që kryhen ndaj qytetarëve të vendit, apo thënë më mirë me administratën shtetërore sesa që janë të lidhura me nevojat e përgjithshme të qytetarëve të vendit.

Diversiteti në mes të tatimeve dhe taksave në kuptimin bashkëkohor nënkupton atë se tatimet janë të parapara dhe duhet të paguhen domosdoshmërisht në mënyrë periodike nga qytetarët e vendit, ndërsa taksat nuk janë të ndërlidhura me domosdoshmërinë për pagesë, por më tepër janë të ndërlidhura me shërbimin që institucionet e vendit ia kryejnë një qytetari të saj dhe për atë shërbim paguajnë taksën p.sh: nëse qytetari bën kërkesë për nxjerrjen e një dokumenti në institucionet lokale apo qëndrore ai duhet të paguajë taksën e paraparë, për nxjerrjen e dokumenteve si pasaporta, letërnjoftimi, certifikata e lindjes etj.

Po ashtu tatimet dhe taksat kanë diveristet konceptual edhe sa i përket mënyrës së pagesës sepse tatimet paguhen në periudhat e caktuara ligjore në mënyrë periodike, ndërsa taksat kanë karakter të menjëhershëm dhe duhet të paguhen aty për aty kur kryhet shërbimi nga institucionet shtetërore.

Tatimet dhe taksat po ashtu diversohen edhe sa i përket trajtimit të tyre ligjor, sepse tatimet janë të obligueshme sa i përket pagesës për çdo qytetar të vendit, p.sh: çdo qytetar është i obliguar ta paguajë tatimin në të ardhura, tatimin në pronë etj., ndërsa taksat kanë karakter vullnetar në aspektin ligjor sepse nuk jemi të obliguar të paguajmë taksat në rast se nuk kryejmë ndonjë shërbim.

Taksat bëhen të obligueshme për ne në momentin kur ne si qytetarë kryejmë ndonjë shërbim apo punë në institucionet publike, qoftë në nivelit lokal apo qendror p.sh: nëse nxjerrim një dokument për ndërrimin e vendbanimit duhet të paguhet taksa dhe kjo taksë nuk është për ne obligative që të paguhet nëse nuk kemi bërë kërkesë për t nxjerrë këtë dokument, mirëpo nëse ne kemi bë kërkesë për ta nxjerrë një dokument të tillë dhe ndaj neve është kryer shërbimi nga ana e institucioneve, atëherë taksat për ne janë të obliguar të paguhen sepse është kryer shërbimi ndaj neve, d.m.th taksat kanë karakter të obligueshëm ligjor atëherë kur kryhet një shërbim ndaj neve.

Në shtetet në zhvillim ashtu sikurse jemi ne, duhet një shkathtësi teorike e mirëfilltë për trajtimin e tatimeve dhe taksave në mënyrë që këto të jenë të përshtatshme për institucionet e vendit dhe po ashtu duhet një elegancë profesionale që praktikisht të aplikohen tatimet dhe taksat, nëse dëshirojmë të kemi një shtet stabil juridiko fiskal dhe fiskal.

Ne si shoqëri sot, duhet patjetër të nënkuptojmë atë se duhet të kemi një kombinim të mirëfilltë të teorisë ekonomike dhe juridike, sepse nuk mund të parashohësh me ligj ndonjë tatim apo taksë e cila nuk është në harmoni me zhvillimin ekonomike të vendit dhe po ashtu nuk mund të kërkosh ndonjë tatim apo taksë e cila nuk është e paraparë me legjislacion vendor.

Përfundim: Sot është koha e patriotizmit juridiko - financiar, që nënkupton se me shtetin në aspektin e obligimeve financiare duhet të jesh zero zero.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)