Dita e Gruas: Premtim për një botë më përfshirëse e më të begatshme
Shkruar nga ambasadorja Tracey Ann Jacobson
Gjatë gjashtë muajve të parë si ambasadore e SHBA-së në Kosovë kam takuar plot udhëheqës dinamikë prej të gjitha shtresave të shoqërisë së Kosovës.
Kam dëgjuar rrëfime nga individë dhe komunitete të motivuara dhe të zgjuara që punojnë në të gjithë nivelet e qeverisë, të sektorit privat dhe shoqërisë civile dhe kam dëgjuar vizionin e tyre për ta ndërtuar një të ardhme më të ndritshme dhe më të begatshme. Energjia dhe entuziazmi i qytetarëve të Kosovës më bën rregullisht përshtypje.
E megjithatë, shpesh ndjej që nganjëherë zërat kryesorë në këto biseda mbesin të heshtur. Pikëpamjet e grave, posaçërisht e atyre që jetojnë jashtë Prishtinës, jo gjithmonë merren parasysh sa duhet.
Dita Ndërkombëtare e Gruas na jep rastin që të reflektojmë mbi rolin e vlefshëm që gratë e luajnë në jetën bashkëkohore dhe të mendojmë se çka mund të bëjmë më shumë për të garantuar një botë më përfshirëse dhe më të begatshme.
Shtetet më të fuqishme e kuptojnë se nëse gratë dhe vajzat i kanë mundësitë e barabarta, ato mund të japin kontribut të jashtëzakonshëm: në rrafshin ekonomik, social dhe politik.
Edhe pse Kosova është me fat që ka një femër të mrekullueshme si presidente dhe gra të fuqishme që shërbejnë si ministre dhe deputete, ndryshe është gjendja në disa struktura qeveritare në nivel lokal.
Asnjë grua momentalisht nuk është udhëheqëse e ndonjë dege partie e Kosova po ashtu nuk ka zgjedhur asnjë kryetare komune.
Nëse ky vend shpreson të forcojë institucionet e saj të rrënjosura në demokraci, duhet ti përfshijë gratë në të gjitha nivelet e qeverisë jo vetëm në nivelin e lartë - si dhe në të gjitha fushat afariste, politike dhe të jetës civile.
Promovimi i pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor dhe si udhëheqëse në të gjitha nivelet nuk është thjesht gjëja e duhur për ta bërë është gjë e mençur për ta bërë. Kosova e ka kornizën ligjore. Tash është koha që tua hapim rrugën grave.
Përfshirja e zërave të grave në procesin politik siguron që qeveria i përfaqëson të gjithë qytetarët e saj dhe gratë shpesh ofrojnë këndvështrim tjetër për një varg çështjesh që prej politikave publike deri te paqja dhe siguria.
Ish-Sekretaret e Shtetit, Madeleine Albright, Condoleezza Rice dhe Hillary Clinton ndritin si shembuj të fortë dhe të shndritshëm, udhëheqja e të cilave ka kontribuar në ndërtimin e një bote më të mirë dhe më të begatshme për të gjithë.
Bashkëpunimi, komunikimi dhe ndërtimi i konsensusit janë vetëm disa shembuj të vegjël të shkathtësive themelore që gratë ia ofrojnë jetës publike; ato mund të përbëjnë ndryshimin në përfundimin e një konfliktit dhe ndoshta edhe të parandalojnë plotësisht shpërthimin e ndonjë konflikti.
Udhëheqësit politikë rrallëherë e nisin jetën e tyre politike në nivel kombëtar: ata ia fillojnë prej nivelit të ulët nivelit lokal dhe i mësojnë shkathtësitë dhe metodat e reja përderisa zhvillohen dhe rriten në pozita që kanë ndikim më të gjerë në shoqëri.
Sigurimi që gratë të gëzojnë qasje dhe mundësi të njëjtë në nivel lokal është thelbësor për vënien në funksion të procesit të ndërtimit të udhëheqësve të ardhshëm të Kosovës.
Për çdo vit, në SHBA shohim më shumë gra në politikë në nivel federal, të shtetit dhe atë lokal dhe nxitja e grave për të ndjekur pozita udhëheqëse është çështje aktuale edhe në vendin tim.
Sfida përcaktuese me të cilën përballet komuniteti global i shek. XXI është sigurimi që vendet dhe komunitetet kudo nëpër botë gëzojnë prosperitet të përbashkët. Promovimi i barazisë gjinore është thelbësor për përmbushjen e kësaj detyre.
Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës po e çon përpara këtë kauzë duke kërkuar përfaqësim të barabartë në strukturat qeveritare dhe në dhjetor, Kuvendi njëzëri miratoi një rezolutë në mbështetje të zbatimit të Parimeve të Prishtinës, të hartuara si pjesë e Samitit Ndërkombëtar të Gruas të mbajtur në Kosovë. Këta janë hapa premtues, por mbetet ende shumë punë për të bërë.
Dita Ndërkombëtare e Gruas paraqet mundësinë për tu zotuar sërish për të krijuar një botë, në të cilën të gjithë qytetarët mund të përmbushin talentin e tyre dhe të ndjekin ëndrrat e tyre.
Kjo nuk është çështje vetëm e njërës gjini, por më saktë është përgjegjësi e përbashkët që mund të ndihmojë përparimin e të gjitha komuniteteve.
Në të gjitha komunitetet e Kosovës ka gra të jashtëzakonshme me talent dhe vizion, të cilat mund ta ndihmojnë Kosovën për ta përmbushur potencialin e saj të plotë. Secila prej tyre meriton një rast dhe ne duhet tia japim atë.