Dita Botërore e Turizmit
Halil J. Halili
Turizmi viteve të fundit është bërë posaçërisht i njohur për potencialin e tij ekonomik që të kontribuoj në uljen e varfërisë në vendet në zhvillim. WTO, Organizata Botërore e Turizmit, Turizmin e përcakton si; \"Turizmi përfshinë aktivitetet e personave që udhëtojnë për të qëndruar në vende jashtë mjedisit të tyre të zakonshëm, për jo më shumë se një vit radhazi me motive për kohën e lirë, biznes dhe qëllime të tjera.\"
Dita Botërore e Turizmit (WTD) mbahet çdo vit më 27 shtator. Qëllimi i shënimit të kësaj dite është për të nxitur ndërgjegjësimin në mesin e komunitetit ndërkombëtar për rëndësinë e turizmit dhe vlerat e tij sociale, kulturore, politike dhe ekonomike.
Ngjarja synon të adresojë sfidat globale të përfshira në Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZHM) të Kombeve të Bashkuara dhe për të nxjerrë në pah kontributin që mund të jap sektori i turizmit në arritjen e këtyre qëllimeve.
Për te shënuar ditën botërore te Turizmit është vendosur në seancën e trete të Kuvendit te Përgjithshëm te Organizatës Botërore të Turizmit (Torremolinos, Spanjë, shtator 1979), duke filluar nga viti 1980.
Kjo date u zgjodh ngase përkonte me 10 vjetorin e miratimit te Statutit te WTO (27 shtator 1970). Miratimi i statutit te WTO konsiderohet një moment historik në turizmin global.
Gjithashtu caktimi i Ditës Botërore të Turizmit në këtë datë, ishte veçanërisht e përshtatshme ngase është në fund të sezonit në hemisferën veriore dhe në fillim të sezonit në hemisferën jugore, pra është koha kur turizmi është në mendjet e miliona njerëzve në mbarë botën.
Në sesionin e tij të dymbëdhjetë në Stamboll, Turqi, në tetor të vitit 1997, Asambleja e Përgjithshme WTO vendosi të caktojë një vend pritës çdo vit për të vepruar si partner i Organizatës në festimin e Ditës Botërore të Turizmit.
Ndërkohë në Sesionin e XV-të që u mbajt në Pekin në Tetor 2003, Asambleja vendosi që të ndiqte rendin gjeografik përse i përket aktiviteteve që lidheshin me festimet e Ditës Botërore të Turizmit.
Për çdo vit Dita Botërore e Turizmit i kushtohet një tematike të caktuar e cila zgjidhet nga Asambleja e Përgjithshme e WTO-s, me rekomandimin e Këshillit Ekzekutiv të WTO-s. Temat e turizmit ne vitet e fundit ishin: Ne vitin 2010 Dita botërore e Turizmit është shënuar ne Kine, duke trajtuar këtë temë: Turizmi dhe Biodiversiteti, ne vitin 2011, Dita botërore e Turizmit është shënuar ne Egjipt me temën: Turizmi dhe Lidhja kulturave ndërsa këtë vit do të shënohet në Maspalomas, Gran Canaria dhe tematika që do të trajtohet është: Turizmi dhe Energjetika e Qëndrueshme.
Ne Kosovë për herë te par Dita Botërore e Turizmit u shënua ne Prishtinë, vitin e kaluar (2011) nga Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës e cila organizoi një Takim referues.
Zhvillimi i turizmit shtrihet në shumë aspekte, por veçanërisht ekziston një lidhje e ngushtë e turizmit me ekonominë.
Turizmi rrit mundësinë e punësimit dhe krijon punë të përkohshme, gjeneron të ardhura dhe rrit standardin e jetesës, veçanërisht në rajonet që nuk kanë një zhvillim të mirë ekonomik. Me rritjen e turizmit rriten mundësitë për investime, zhvillim dhe infrastrukturë.
Turizmi shpeshherë nxit përmirësimin e shërbimeve publike si sistemi i ujësjellësit, ndriçimi i rrugëve, trotuaret, etj. Nga këto përmirësime përfitojnë njëlloj si turistët edhe rezidentët.
Në të njëjtën mënyrë turizmi përmirëson infrastrukturën e transportit që rezulton në rrugë dhe aeroporte më të mira. Shpesh rriten të ardhurat nga taksat për Autoritetet Lokale, komunitetin dhe për vendin në përgjithësi. Gjithashtu, krijimi i vendeve te reja të punës rrit të ardhurat nga taksat që gjenerohen nga tatimi mbi të ardhurat.
Kosova disponon me potenciale te shumta turistike te cilat premtojnë perspektiv të zhvillimit të ofertës turistike megjithatë Kosova ka ende për të bërë ngase:
Republika e Kosovës është ende zonë e pazhvilluar Turistike ngase pjesëmarrja e Turizmit në GDP e Republikën e Kosovës është e vogël, / 1.0 %, viti 2010;
Në strukturën e përgjithshme të punësimit Turizmi dhe akomodimi merr pjesë vetëm me 6%, viti 2011; Volumin më të madh të fluksit turistik, bazuar në numrin e vizitoreve, e realizojnë turistët vendas / 58 % /, viti 2011, gjithsejtë 42044 vizitor;
Turistët e huaj, bazuar në numrin e vizitoreve, marrin vetëm 42 % të xhiros totale në Republikën e Kosovës, gjithsejtë 30349 vizitor, viti 2011,;
Turistët e huaj, bazuar në numrin e fjetjeve, realizojnë vëllimin më të madhe në Kryeqytet dhe zonat malore ( rreth 80%); Ende në Kosovë mbretëron një standard i ulët në turizëm;
Infrastruktura Turistike në industrinë e turizmit, veçanërisht trafiku (komunikacioni) nuk i përmbushin kërkesat moderne; Infrastruktura Komuna është modeste;
Ndihet mungesa e kapaciteteve akomoduese në turizmin malor dhe balnear i cili është problemi kryesor për këto dy forma te turizmit; Produkte jo të Plota turistike, zakonisht ka mungesë të programeve turistike shtesë për turizmin malore dhe turizmin balnear etj.
Gjithashtu duhet potencuar edhe sfida në zhvillimi turizmit si: Si do të ndikojnë në zhvillimin e Turizmit, kufizimi në hyrje, ( psh. Aplikimi i sistemit te vizave për 86 shtete nga 1 janari 2013;
Cilat janë përfitimet ekonomike dhe kostot e ndalimit apo legalizimit të lojërave të fatit apo edhe e veprimtarive tjera si Prostitucioni etj ?;
Si mund të tërhiqen Investimet e Huaj Direkte (FDI- Foreign Direct Investments) në turizëm, te cila konsiderohen se ja shumë të ulëta?
Si mund të zbatohet partneriteti publike-private në sferën e Turizmit?
Seria 3; Statistikat Ekonomike, Bruto Produkti Vendor sipas aktiviteteve ekonomike, Enti I Statistikave të Kosovës
Raporti I Zhvillimit Njerëzor në Kosovë 2012, Sektori Privat dhe Punësimi, ENDP, Empowered lives. Resilient nations.
Seria 3; Statistikat Ekonomike, Statistikat e Hotelerisë, TM1 2012, Enti I Statistikave të Kosovës;
Po aty;
The impact of foreign direct investment in the truism development in Kosovo, Msc. Valdete Rexhepi, Universities of Prishtine, faculty of Applied Science of Business in Peja