Dita botërore e planifikimit urban dhe transformimi i jetës urban
Shkruar nga Besim Gollopeni
Me anë të kësaj analize sociologjike, po tentojmë të sjellim para lexuesve anën përmbajtjesore (origjinën, rolin dhe rëndësinë) të ditës botërore të planifikimit të qyteti dhe për të vazhduar më pastaj me analizimin e disa elementeve në mënyrë kronologjike të transformimeve urbane të ndodhura në Kosovë, në periudhën pas-konfliktuale (99), me fokusim në sjelljen qytetarësie nga jeta mes zhurmave, frikësimeve qytetare, hedhjes së mbeturinave vend e pa vend, drejt një jete më të mirë urbane.
Dita botërore e planifikimit të qytetit daton që nga viti 1949, ku për çdo vit me datë 08 nëntor, shënohet (festohet) kjo ditë, me shtrirje në 30 vende, në katër kontinente të Botës. Ideatori i kësaj ngjarje të veçantë, me qëllim të avancimit të interesit të përgjithshëm, si në nivel lokal dhe atë global, është Profesori Carlos Maria della Paolera nga Universiteti i Buenos Aires.
Kjo është një ditë e veçantë për tu njohur dhe për të promovuar rolin e planifikimit në krijimin e komuniteteve të qëndrueshëm (jetueshëm).
Dita botërore e planifikimit të qytetit, paraqet një mundësi të shkëlqyer në promovimin e planifikimit urban nga perspektiva globale, jep mundësin e promovimit të vetëdijes kolektive në ngritjen e çështjeve jetike urbane etj.
Për çdo vit, në shenjë të shënimit të ditës botërore urbane, ngritjes dhe promovimit të vetëdijes në përmasa globale, organizohen konferenca shkencore me karakter ndërkombëtar, me qëllim të ngritjes së çështjeve apo sfidave me të cilat atakohet shoqëria urbane në përgjithësi dhe për dhënien e alternativave dalëse nga këto sfida.
Këtë vit (2013), me rastin e shënimit të kësaj dite, është organizuar konferenca shkencore ndërkombëtare me tematikë Uji dhe Planifikimi: ... Sfidat.
Edhe përkundër të dinamizmit të jetës urbane në qytetet kosovare dhe sfidat me të cilat përballet jeta urbane në vend, ende kjo ditë e veçantë nuk është shënuar me ndonjë aktivitet të veçantë, me karakter urban deri me tash (2013), gjë që, do të dëshironim që kjo ditë të jetë ditë tradicionale në vend, sikurse në vendet tjera dhe për çdo vit, të shënohet me tematika të caktuara urbane, gjithnjë duke i harmonizuar me tematikat e konferencave globale që kanë për qëllim shënimin e kësaj dite globale.
Pa dashur të zgjatemi më shumë në këtë aspekt, do të ndalemi në analizimin e disa transformimeve sociologjike në kontekstin urban të ndodhura në periudhën pas-konfliktuale në Kosovë.
Pas 99-ës, migrimet fshat qytet e veçmas imigrimi në qendrat e mëdha urbane ishte mjaftë i theksuar, migrime të pakontrolluara institucionalisht të cilat në një formë apo tjetër patën ndikim në jetën urbane.
Megjithëse, duhet theksuar se në vendin tonë, kemi të bëjmë me një urbanizim të vonshëm dhe që, në këtë mënyrë me disa përjashtime, kemi të bëjmë me diferencime jo të mëdha në nivel vendi për nga mënyra e jetesës apo e përdorimit të teknikave të avancuara dhe funksionimit të qyteteve tona.
Sidoqoftë, të emocionuar pas asaj se jemi çliruar jemi të lirë dhe mund të sillemi si të donim, mbi baza krejtësisht individuale, kjo e fundit kishte pasoja kolektive.
Sjelljet jo të qytetëruara pa dallime prejardhje (fshat apo qytet) nëpër rrugët e qytetit-eve, në hapësira publike, në kohë të pa caktuar, britmat për pikë qejfi, zhurmat e lokaleve të ditës dhe të natës të pa kontrolluara, kacafytje për hiq gjë mes individëve e grupeve të caktuara etj.
Situata të kësaj natyre dhe të tjera, krijuan frikë dhe pa siguri tek shumë familje urbane në atë kohë, për faktin se mos vallë po ndodh diçka e keqe në familje e farefis etj., vazhdimisht duke jetuar mes frikës dhe pasigurisë për jetë.
Zhurma nga veturat, nga qytetar të dehur dhe të pa dehur të emocionuar, veçmas në orët e vona të natës, trembnin (frikësonin) jo vetëm fëmijët por edhe të rriturit.
Një situatë e tranzicionit si kjo, të konsolidimit të institucioneve të reja, ku mungonte rendi dhe ligji, shtrohet pyetja çfarë tjetër nuk mund të ndodhte?. Një dukuri si kjo që u përmend, ka marrë kohë por, gjithsesi vlen të theksohet se ka shënuar progres të theksuar deri në ditët e sotme.
Ndërsa, një dukuri me përmasa të mëdha shoqërore e që ishte mjaftë prezentë për periudhën për të cilën po flasim, ishte ajo e hedhjes apo ekspozimit të mbeturinave vend e pa vend ne hapësirat urbane.
Që është edhe me e keqja se, mbeturinat hidheshin në hapësira publike (korridore të banesave - ndërtesave, në rrugë, parqe etj.)., kishte raste kur hidheshin nga katet e larta të ndërtesave shumë banesore e kështu me radhë, duke bërë që në raste të caktuara të binin mbi vetura të parkuara apo në lëvizje, e kishte të tilla raste kur qytetarit të pafajshëm, ti binte para këmbëve ndonjë qesë me mbeturina etj.
Megjithëse, kjo e fundit len për të dëshiruar, për faktin se edhe sot e kësaj dite, kemi të bëjmë me shumë objekte banimore (shumë banesore) të pa mirëmbajtura, hapësira publike gjithashtu etj.
Mirëpo, nëse i referohemi mbi baza individuale për çka edhe e filluam këtë temë, gjithsesi mund të vijmë në përfundime se ka pas përparime të dukshme të sjelljeve të qytetarësie civilizuese deri në ditët e sotme.
Ndikim të madh në shënimin e përparimeve në tematikat e sipërpërmendura ka pasur padyshim, konsolidimi i institucioneve të vendit, sjellja e kulturave perëndimore në vend e veçmas nga diaspora shqiptare, edukimi dhe arsimimi i gjeneratave, jeta dinamike urbane, etj.
Sociologët të cilët u morën me studimin e jetës urbane pra, si Simmel, edhe Wirth pranojnë se në situata tranzicioni gjithmonë paraqiten ndeshje e kulturave të cilat marrin kohë për tu integruar.
Megjithatë, në kontekstin kosovar, nuk kemi të bëjmë me ballafaqim kulturash (rurale urbane) në atë masë, sa kemi të bëjmë me ndjenjën vetëbesimit vetëshfrenimit të kontrollit individual dhe lirisë së tepruar drejt pushtimit të gjithëqkaje.
Në përmbyllje të kësaj analize sociologjike, jemi të bindur se, jetë të rehatshme urbane nuk mund të ketë në qytetet bashkëkohore për deri sa, nuk ka planifikim urban të mirëfilltë ku të gjitha shtresat e shoqërisë do të mund ta gjenin veten dhe të gëzojnë një jetë të rehatshme.
Që kjo e fundit të ndodh, do të duhej që sa më parë fusha e planifikimit urban të vihet në TOP agjendat e politikëbërsve dhe vendimmarrësve.