22 Dhjetor 2024

Disa ide për zgjedhjet

Shkruar nga Behgjet Pacolli

Në një opinion të mëhershëm, unë shpreha disa propozime për punën e mëtutjeshme të institucioneve zgjedhore pas votimeve të 12 dhjetorit. Ato lidheshin me transparencën dhe mbikqyrjen e rinumërimit, trajtimin e ankesave nga PZAP, masat ndëshkimore ndaj komisionerëve, si dhe disa propozime për të ardhmen.

Unë vlerësoja ndërhyrjen e ambasadorit amerikan Christofer Dell me kritikat që i bëri procesit në disa zona,  ndërhyrje e cila ishte vendimtare për të shpëtuar procesin zgjedhor nga kompromentimi i plotë.

Njëjtë vlerësoj dhe sot ndërhyrjen e kreut të Përfaqësisë ndërkombëtare në Kosovës, Piter Feith, të shefes së misionit të vëzhguesve Lunacek, të cilët vunë theksin në rëndësinë e procesit për imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

Sot disa ditë para rivotimit në Mitrovicë pas vendimit të Gjykatës Supreme, pas rivotimit në Drenicë, do doja të thoja disa përfundime të tjera.

Faktori ndërkombëtar

Së pari, unë e vlerësoj shumë ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar se Kosovës në këtë situatë, me këto sfida që i ka, i duhet qeverisje me duar të pastra, dhe jo një zinxhir zgjedhjesh të kontestuara apo të lënduara në integritetin e tyre.

Ne të gjithë pamë se ky është një qëndrim i unifikuar, qoftë i SHBA-ve, aleatit tonë strategjik, qoftë i Bashkimit Europian, shprehur nga përfaqësuesit e tyre më të lartë, ambasadorëve Dell dhe Feith.

Të gjithë do donim të merrnim rezultate më të mira për forcat tona politike nga përsëritja e zgjedhjeve, por kush na garanton se nëse zgjedhjet do të bëheshin nesër, s’do të kishim të njëjtat probleme?

Zgjidhja e problemeve kalon nga krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të Kosovës, dhe miratimi me konsensus të plotë i një kuadri zgjedhor të ri, nën dritën e sugjerimeve të miqve ndërkombëtarë, por dhe korrigjimi i parregullsive që ne provuam në kurrizin tonë.

Institucionet e procesit zgjedhor reaguan, megjithëse me vonesë

Së dyti, në pikëpamje të cilësisë së këtyre zgjedhjeve, unë do ftoja dhe kritikët më të fortë të procesit të zgjidhnim një qasje më tërësore analize mbi të gjitha hallkat e tij. Procesi nuk është vetëm dita e votimit. Procesi është dhe numërimi i votave, trajtimi i ankesave, rinumërimi, rivotimi, përpunimi i rezultatit, etj.

Madje pjesë e procesit është dhe fushata elektorale, roli i mediave, etj. E di mirë se zgjedhjet patën probleme të mëdha ku më kryesoret, përveç vullnetit të partive për t’i udhëzuar militantët e vet të manipulojnë, gjenden tek regjistrimi i popullsisë që do të siguronte një regjistër zgjedhor të besueshëm.

Më tej gjenden tek komisionerët partiakë, tek numërimi i votave në qendra votimi dhe jo në një qendër të vetme në Prishtinë, etj. Reforma zgjedhore  që mund të zgjidhte diçka,  u krye me shpejtësi dhe nuk u korrigjuan shumë të meta të votimeve të mëhershme.

Por sot duhet me u marr pak me mënyrën e trajtimit të ankesave. Gjatë ditëve që pasuan 12 dhjetorin, KQZ dhe PZAP-i kanë marrë disa vendime historike: ka çuar për rivotim një numër të madh zonash ku diskutohen midis 20 deri në 30 % të votave; kanë dërguar për rinumërim 40 % të votave.

PZAP-i i ka dërguar prokurorisë për ndjekje penale një numër të madh rastesh dhe organi i ndjekjes ka nisur hetimet, megjithëse duhet të reagonte më shpejt. KQZ ndërroi të gjithë komisionerët në zonat ku pati probleme. Problemet më të mëdha u panë tek Qendra e numërimit të votave me vonesën dhe mungesën e transparencës, që duhet të ishte e përditshme në punën e saj.

Duartrokitje për Gjykatën Supreme: ndërhyri tek manipulimet me identitetin e votuesve

Së treti, diçka për Gjykatën Supreme. Ndërhyrja e kësaj Gjykate ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi ndryshe nga vendimet e KQZ-së, apo PZAP-it, ajo ndëshkoi apo korrigjoi manipulimin në pjesën e parë të procesit. Pra atë pjesë të manipulimit, kur vota nuk kishte shkuar akoma në kuti.

Kjo pjesë e procesit ishte e rëndësishme për fatin e zgjedhjeve, pse ajo përcaktonte në mënyrë të ndjeshme rezultatin. Gjykata ktheu vetëm Mitrovicën, por vendimi i saj në një farë mënyre vendos pikëpyetje mbi cilësinë e procesit dhe në zona të tjera, ku s’është ankuar Vetëvendosja.

Si një politikan i votuar që aspiron një detyrë që lidhet me garancinë e pavarësisë së Gjyqësorit, e duartrokas këtë vendim dhe zotohem se do të punoj edhe më tej për të rritur këto garanci. Vendimi për të futur Gjykatën Supreme si institucion i shkallës së tretë të apelimit të procesit elektoral, njëjtë me procesin gjyqësor, rezultoi i dobishëm në shpëtimin sadopak të procesit.

Vlerësim për Vetëvendosjen- ajo dokumentoi shkeljet.

Së katërti, ne duhet të vlerësojmë këmbënguljen e Vetëvendosjes që e dërgoi çështjen nga PZAP-i, në Gjykatën Supreme duke e bindur Gjykatën në drejtësinë e pretendimeve të veta. Prej kësaj këmbëngulje, nuk fitoi vetëm Vetëvendosja, por fitoi dhe procesi zgjedhor, fitoi qytetari i Kosovës, fituam të gjithë ne.

Vetëvendosja megjithëse parti e re, pati meritën se arriti të dokumentonte më mirë se të gjithë ne, partitë e tjera që duhet me u ndi fajtore pse nuk ditëm të bënim këtë njëjtë sikur Vetëvendosja.

Sot një pjesë e mirë vendimeve për rivotim, rinumërim,  janë për shkak të pretendimeve të saj në institucionet zgjedhore. Kjo këmbëngulje, kjo qasje legjitimiste, e fut këtë parti në shinat e sistemit politik, pse ajo po pranon, rregullat e lojës së sistemit.

Këmbëngulja për të metat në këtë fazë të procesit-  tek mungesa e instrumenteve identifikuese kur qytetari shkonte për të votuar, etj,- nuk ishte shërbim vetëm për Vetëvendosjen, por për të gjithë ne. Nga votimi i shumëfishtë kanë vuajtur pasoja të gjitha partitë.

Vonesa, problemi më i madh megjithë funksionalitetin e pjesshëm

Së pesti, përfundimi më i rëndësishëm që dua të nxjerr është se  Kosova po dëften që ka institucione deridiku funksionale. Gjykata Supreme veçanërisht e tregoi veten në lartësinë e detyrës së saj. Për institucionet e tjera të procesit zgjedhor, mund të them se shumë vepra të mira do mund të bënin, nëse komisionerët në të gjithë nivelet do të ishin jopartiakë.

Ne kemi hyrë në një shtëpi të re ku nuk ka mbaruar akoma përkryerja e gjithçkaje dhe s’mund të presim që gjithçka të funksionojë. Pajisjet e kësaj shtëpie po testohen, ndërsa ato janë në ndërtim e sipër.

Dhe krejt për fund një vërejtje. Ka kaluar një kohë bukur e gjatë që nga dita e votimit dhe nuk kemi një rezultat prej këtyre institucioneve. Por këtu nuk është faji i tyre, sepse faji vërtet është i politikës. Nga njera anë shumë parti politike, ku shquhet ajo qeverisëse kanë krijuar aq shumë probleme, sa këto institucione  e kishin të vështirë të merrnin vendime të shpejta të mbytura në ankesa.

Nga ana tjetër kur u bënë ndryshimet në Ligjin zgjedhor, do duhet që për punën e këtyre institucioneve të ishin vendosur afate në seicilën hallkë të ankimimit, dhe një numër më i madh njerëzish që të trajtonin ankesat. Kështu, në njerin nga vendet më të vogla të Evropës do të kishim rezultat përfundimtar shumë më shpejt. Dhe institucionet e reja ekzekutive me legjitimitet të plotë, krijuar mbi bazën e këtij rezultati s’do të prisnin kaq gjatë për t’u krijuar dhe  filluar punën e tyre.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)