22 Dhjetor 2024

Disa hapa për besimin tek zgjedhjet

Shkruar nga Behgjet Pacolli
 
Mediat vazhdojnë të spekulojnë për bisedime mbi qeverinë e ardhshme ndërkohë kur procesi zgjedhor ende nuk është përmbyllur. Mediat vazhdojnë të supozojnë përbërjen e kësaj qeverie, ndërsa procesi zgjedhor, themeli i çdo qeverisje të drejtë dhe të ndershme, ende nuk është vendosur siç duhet.

Duke vlerësuar nevojën që ka publiku për transparencë, unë e çmoj informimin mediatik që ju bë takimeve apo aktiviteteve të mia të premten në Rahovec me kryetarin e LDK-së, zotin Isa Mustafa dhe të shtunën me kryetarin e PDK-së, zotin Hashim Thaçi. Me insistimin tim, gjithçka u bë publike, dhe u konfirmua ajo që ne kemi thënë vazhdimisht, se AKR-ja, gjegjësisht Koalicioni për Kosovë të Re nuk ka vijë të kuqe për bashkëpunimin në të ardhshmen.

Por unë sot dua të shtroj shqetësimin për cilësinë e rivotimit nisur nga të metat e procesit zgjedhor. Cilësia e mirë e këtij rivotimi, do të sjellë në çertifikimin e rezultatit dhe procesit në tërësi. Unë këtë ja bëra të ditur kryeministrit Thaçi, i cili mban përgjegjësinë e vet si kreu i qeverisë, e cila ka kompetenca të rëndësishme për zgjedhjet.

Vetëm pasi të kemi çertifikim të rezultatit, atëherë mund me fol për çdo qeverisje të ardhshme, pa paragjykime ndaj askujt, si ndaj atyre që kanë qenë një vit, tre apo dhjetë vjet në qeverisje, si ndaj atyre që vijnë për herë të parë në ekzekutiv.

Çertifikimi i zgjedhjeve nuk na nevojitet vetëm për krijimin e qeverisë, por dhe për ruajtjen e imazhit të Kosovës, të popullit të Kosovës që i ka kapacitetet të krijojë një shtet funksional.  Edhe trajtimi i problemeve të vëna re në fazën e parë të votimit është dëshmi e këtij kapaciteti. Në çdo vend normal zgjedhjet mund të sjellin probleme, ama zgjidhja e tyre është dëshmi se shteti funksionon.

Janë disa momente ku unë dua të bëj apel për cilësinë e zgjedhjeve, nisur nga vendimet e fundit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, PZAP.

Do i kërkoja PZAP-it, të bëjë publik emrat e të gjithë komisionerëve komunalë  të cilët kanë abuzuar dhe kryer transaksione materiale e morale me votën e sovranit. Duke vlerësuar angazhimin e Prokurorisë së Kosovës për të vepruar ndaj krimit elektoral që është dhe krim penal, do të kërkoja që dënimi i komisionerëve që kanë shkelur dhe që do të shkelin ligjin dhe në të ardhmen, të bëhet me procedurë të përshpejtuar.

Por kujdes: nuk duhet me u ndëshku vetëm komisionerët, apo nivelet e ndryshme të personelit kompetent të administratës zgjedhore. Përgjegjësia penale duhet të shtrihet atje ku ekziston dhe tek palët e tjera. Ndëshkimi shembullor i shkelësve sot do të na sigurojë proces shembullor nesër.

KQZ-ja, nisur nga vendimet e PZAP-it për komunat ku do të bëhet rivotim, duhet të bëjë urgjentisht ndërrimin e këtyre komisionerëve. Në ato zona, dhe këtu është roli i qeverisë, duhet të ushtrohet mbrojtja dhe me polici  e qendrave të votimit të Zgjedhjeve, diçka që do të zvogëlojë hapësirën për manipulime dhe vendime ad hoc.

Komisioni Qendror Zgjedhor, me gjithë vërejtjet që mund të kemi për të, mbetet institucioni themelor për çertifikimin e zgjedhjeve. Ne e vlerësojmë vendimin e tij për shtrirjen e rinumërimit në 40% të zonave, një hap që e shton besimin në integritetin e procesit.

Por ai duhet të udhëheqë një monitorim shumë më transparent dhe më të ndërgjegjshëm të rinumërimit të votave për subjekt dhe kandidat në të gjithë komunat e mbetura në Qendrën e rinumërimit.  

Kur unë them monitorim transparent, dua të potencoj se duhet të raportohet herë pas herë në media lidhur për qartësimin e dyshimeve   për rinumërimin e votave në 5 komunat ku do të kemi rivotim, por dhe për pjesën tjetër. Një proces kaq i gjatë deri në dhjetëditëshin e parë të janarit krijon vetëvetiu dyshime, edhe sikur të mos kishim informacion për keqbërje. Ndaj ruajtja e një raporti transparent me mediat dhe me publikun, është thelbësor.

Ky proces gjithashtu duhet të mbikqyret 24 orë në 24 nga ai që ka nivelin më të lartë të përgjegjësisë- Kryeshefi, bashkë me stafin e tij. Asnjë hallkë e proçesit nuk duhet me u neglizhu: as rinumërimi për subjekt, as rinumërimi për kandidat, sepse ka zëra që po luhet dhe me rinumërimin për kandidat. Në këtë drejtim duhet të urdhërohen të gjithë zyrtarët e kësaj Qendre të përmbahen nga të gjithë veprimet e mundshme antiligjore që lidhen me këtë proces.

Unë jam i bindur se Kosova, institucionet e Kosovës e kanë kuptuar këtë herë sesa i rëndësishëm është ky proces zgjedhor, cilësia e tij për stabilitetin e ardhshëm të shtetit tonë të ri, për imazhin e këtij shteti dhe duhet me e falëmenderuar miqtë tanë perëndimorë në veçanti ambasadorin amerikan i cili dha me të vërtetë kontribut të jashtëzakonshëm me ndërhyrjen e vet ditën e zgjedhjeve.

Më së fund doja të propozoja diçka që nëse nuk mundet me u realizu që këto zgjedhje,  duhet me çdo kusht të kryhet në zgjedhjet e ardhshme. Meqënëse Kosova është vend i vogël ku distancat e largëta përshkrohen brenda një kohe të shkurtë, atëherë KQZ duhet ta kryejë në qendër procesin e numërimit të votave për zonat ku do rivotohet në 9 janar. Ky është një moment kyç në reformën zgjedhore të së nesërmes. 

Çdo individ, pra çdo komisioner është i prirur të abuzojë, por ne duhet me kriju sistemin që ta frenojë atë. Qendërzimi i numërimit në Prishtinë, apo në qendrat e komunave diçka normale për sistemin proporcional kombëtar, është një hap që rrit transparencën, zvogëlon ndikimin e komisionerëve të QV, shton besimin në rezultat. Edhe monitorimi i këtij procesi me kamera, është një masë që rrit transparencën dhe zvogëlon kontestimin.

Jam plotësisht dakord me konstatimin e kryetares së KQZ-së, se problemet filluan kur komisionerët u bënë partiakë. Për të gjithë këto probleme, për numrimin e centralizuar të votave, për komisionerë jopartiakë,për ndëshkime të rrepta për shkelësit e ligjit, për një reformë zgjedhore moderne, duhet me u ul në tryezë menjëherë pas krijimit të qeverisë së re.

Por më së pari duhet të kryejmë sa më shpejt regjistrimin e popullsisë. Ai është thelbësor për votën, për lëvizjen e lirë të popullit të Kosovës pa viza, për dokumenta të sigurt, për gjithçka. 

U mundova të tregoj se për ne si Koalicion për Kosovë të Re, nuk është me rëndësi krijimi i qeverisë së re, por një proces i besueshëm zgjedhor. Ky proces kalon nga këto hapa të propozuar e që vendosin besimin mes nesh. Besimi është kyç, për t’ja nisur sfidave të reja të shtetndërtimit.

(Autori është Kryetar i Koalicionit për Kosovë të Re)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)