23 Dhjetor 2024

Diplomacia e Pacollit

Shkruar nga Arbër Geci

Çdo sukses që korret në fushën e diplomacisë, është betejë e fituar pas një sfide me diplomacinë e Serbisë. Potenciali lobues i zv.Kryeministrit Pacolli, deri me tani, ka dalë triumfues përballë kundërshtarëve të njohjeve të reja.

Pas daljes publike të Kryeministrit z. Thaçi i cili e sqaroi çështjen e njohjes nga Republika e Malit, u duk se gjërat përfundimisht u sqaruan. Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, me rastin e konferencës ndërkombëtare për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, ftoj në Kosovë edhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Ganës, i cili mund të konsiderohet që gjatë qëndrimit në Kosovë nuk ishte shumë prezent në media, edhe pse mbajti fjalim gjatë konferencës.

Ndërkaq nderimi i familjes Rugova për miqtë afrikanë, që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, bëri që qytetarët të kuptonin edhe më shumë, duke konsideruar se miqtë e z. Pacolli janë edhe miqtë e Kosovës.

Nëpërmjet vizitës së Ministrit të Punëve të Jashtme të Ganës, tek familja Rugova, iu përcoll një mesazh gjenive të diplomacisë dhe gjenive të gazetarisë, se kur z. Pacolli siguron një njohje, siguron një miqësi dhe një marrëdhënie që ka potencialin të zhvillohet midis Kosovës dhe atij vendi.

E di që dikush prej kategorive të mësipërme, do nxitet të dyshojë apo të zemërohet, por skeptikët dhe të pakënaqurit me vetveten këtë punë kanë, të ankohen. Sidoqoftë ka edhe të atillë që u zgjuan nga gjumi dhe thanë: “duam edhe Ne të flasim për Malin” ! Pavarësisht se deri atëherë me siguri nuk kishin qenë në dijeni të ekzistencës së këtij shteti.

Ne kujtonim se me Malin, për Malin rreth Malit ishte sqaruar gjithçka, por me këtë s ‘janë dakord shumë nga gjenitë e analizave të “ thella “ skeptike. Duke qenë se sipas tyre Kosova i ka punët shumë mirë me ekonominë, me bujqësinë dhe me gjithçka tjetër, ndonjëri prej këtyre vendosi sërish të hedhë gurë në çatinë e veprimtarisë diplomatike që z. Pacolli po ndërton në shtetin më të ri në Evropë. 

Për hire të lexuesve duhet të sqarohet se çuditërisht dhe çmendurisht disa media dhe shërbëtorë, të vetëquajtur analistë, e presin me më shumë gëzim ndonjë lajm të keq për njohjet se sa njohjet faktike që i vinë Kosovës. Për më tepër titujt dhe ajo çka thuhet janë fiks ajo çka shkruhet ne gazetat serbe, që propagandojnë kundër njohjeve të reja për Kosovën.

Le ta supozojmë për një çast se njohja s’ka ardhur apo është falsifikuar ?! Kush prej jush guxoi dhe e tha se e ka falsifikuar zëvendëskryeministri?! Pse duhet ta bënte ai këtë ? Nëse Zv.Kryeministri, z. Pacolli ka sjellë shumë njohje, pse duhet të rrezikonte emrin e tij, moralin e tij, për një njohje fiktive, me një vepër të turpshme që do zbulohej menjëherë ?!

Këta skeptikë të mjerë, e gjeni në pakënaqësinë e tyre me vetveten dhe të tjerët, nuk dinë diçka elementare. Sapo jepet një konferencë shtypi me një njohje të re, ajo bëhet lajm i tërë agjencive të botës. Të paktën ata që merren me media duhet ta dinë këtë. Pse do duhet dikush të guxonte të sajonte një lajm, një mashtrim që s’do ta kishte jetën e gjatë ? Kjo akuzë u duhet hedhur në kurriz këtyre njerëzve.

A e kanë parë këta njerëz letrën e njohjes ? I kanë bërë ekspertizë ? Pse imitojnë njeri tjetrin si majmuni dhe vihen në garë për të sulmuar dikë që punon 24 orë në ditë ? E që si rrjedhojë e kësaj pune e këtij lobimi, Kosova, shteti i Ne të gjithëve, nuk njihet nga 65 shtete, (çka do të konsiderohet shumë pak), por sot njihet nga më shumë se 90 shtete të botës, numër ky që sigurisht forcon pavarësinë e Shtetit të Kosovës.

Në koordinim me SHBA-të

Sa i përket bashkëpunimit për njohje, si Kosova, si SHBA-të, që janë miqtë tanë më të mirë në botë, me të cilët Ne bashkëpunojmë për njohjet,  e dinë se njohjet kanë një qëllim brenda vetes, sigurim votash për në OKB, ku Kosova synon të bëhet anëtare.

Jo me të gjithë shtetet që na njohin ne kemi mundësi që të zhvillojmë marrëdhënie intensive diplomatike, por duhet të jemi maksimalisht mirënjohës për shtetet që na njohin. Si rrjedhojë ne presim votat e tyre në OKB.

Ne duhet të besojmë se një vend si Nigeria, që kërkon të zhvillojë marrëdhënie ekonomike me Kosovën, dhe kërkon hapjen e zyrës ndërlidhëse në kryeqytetin e Kosovës (siç e quajnë ata), do të votojë pro nesh, pavarësisht, se  ka mbërritur apo jo në Kosovë nota verbale, që konfirmon njohjen në kuptimin klasik.

Me një lehtësi të papërballueshme, kategoritë e mësipërme të kritikëve, që njëjtë kanë sulmuar sistematikisht miqtë tanë, SHBA-të, Bashkimin Evropian, ambasadorët e tyre etj, injorojnë shumëçka nga puna e z. Pacollit për Malin, për Nigerinë, për çdo shtet. P.sh ata s’duan ta dinë  se kërkesat nga President të vendeve si Nigeria që kërkojnë zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike me Kosovën,  vinë si produkt i diplomacisë ekonomike që zhvillon zv.Kryeministri, Pacolli.

Çdo sukses që korret në fushën e diplomacisë është betejë e fituar pas një sfide me diplomacinë e Serbisë. Këta njerëz, që improvizohen si ekspertë as nuk u shkon nëpër mend se dhe një vend si Serbia, kundërshton dhe sfidon në çdo hap Pacolli gjatë lobimit të tij.

Pra kemi një shtet si Serbia në ofensivë diplomatike për të bllokuar njohjet, dhe nga ana tjetër kemi një njeri të njohur si biznesmen i fuqishëm, lobistë me lidhje të forta miqësie me Mbretër, Presidentë e Kryeministra të shumë vendeve, që arrin të kurorëzoj më shumë se 27 njohje për Shtetin e Kosovës.

Potenciali lobues i zv.Kryeministrit z. Pacolli ka dalë triumfues deri tani përballë kundërshtarëve të njohjeve të reja. Fatkeqësisht plot analistë e opinjonistë nuk e din se në anën e kujt janë, kur flasin e shkruajnë për njohjet !

Personalisht z. Pacolli i ka duruar sulmet e këtyre individëve si dhe më parë, duke i trajtuar me shpirtgjerësi, por këta dritëshkurtrër nuk e kuptojnë se kështu goditet Kosova. Ai sot përfaqëson zyrtarisht Kosovën. Nëse vihet në diskutim ajo çfarë ne mbrojmë për numrin e njohjeve, etj, vihet në diskutim kredibiliteti i Kosovës përballë Serbisë.

Është dramatike, por as vetë diplomacia serbe, as vetë shtypi serb nuk vihen në një garë kaq të shëmtuar si kjo, dhe nuk vënë pikëpyetje disa njohje, që vënë në pikëpyetje, vet, disa analistë tanë.

Nëse një njohje është formalisht e përkryer, apo de facto e përmbyllur, kjo do testohet në të ardhmen, kur të votohet anëtarësimi i Kosovës në OKB. Është e shëmtuar e dritëshkurtësi provinciale të tentosh që në emër të diskreditimit të Behgjet Pacollit të diskreditosh Kosovën në sytë e botës dhe përballë Serbisë.

 Kjo qasje është produkt i zilisë, i urrejtjes për atë tjetrin që punon e që e ka universin ku rrotullohet shumë më të gjerë se një lokal ku dikush pi një machiato të vogël pa shkumë e pa plumb. Besoj që edhe skeptikët e pakënaqur me vetveten, pajtohen në këtë pik me mua, se z. Behgjet Pacolli i ka sjell njohje Kosovës, çka është edhe botërisht e njohur.

Që ato njohje që ka sjell z. Pacolli, nuk janë 5, 10, 15 apo 20, por janë më shumë, gjithashtu edhe kjo dihet. Janë shumë notat verbale që i janë drejtuar atij dhe kur ishte në opozitë.

Vetëm një fakt po iu kujtoj. Para pak kohë, MPJ nuk po i gjente disa nga notat verbale të njohjeve që duhet të ishin protokolluar dhe arkivuar me kohë. Si pasojë ata kishin vetëm një alternativë, i kërkuan z. Pacolli që t’i ridërgoj edhe një herë kopjet e notave verbale të mbi 15 shteteve që e kishin njohur Kosovën falë angazhimit të Pacolli.

Si pasojë zv.Kryeministri, z. Pacolli edhe  mund të ketë thënë ndonjë fakt që s’duhet thënë rreth diplomacisë së tij që përfshin lobimin ekonomik, angazhimin humanitar, projekte zhvillimi, asistencë logjistike dhe gjithçka të ligjshme që sjell rezultate.

Por do t’u lutesha të gjithëve që vuajnë të gjejnë gabimet e të tjerëve, që të bëjnë ndonjë punë që dinë të bëjnë, nëse dinë ndonjë, dhe t’u lejojnë edhe të tjerëve të bëjnë atë që dinë, sidomos kur ajo që dinë është direkt e lidhur me interesin madhor të Shtetit të Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)