Diaspora jonë dhe identiteti që duhet ushqyer
Shkrur nga Faton Abdullahu
Nëse ne nuk do tia qojmë diasporës tonë Kosovën atje ku ajo punon dhe jeton, nëse asaj nuk do tia servojmë Kosovën e ndryshuar dhe të re, me të gjitha ato që i ka sot dhe që i ka pasur dje, me gjuhën, kulturën, traditën dhe shumëçka që është akumuluar në memorien e re dhe të vjetër kolektive.
Nëse nuk e bëjmë këtë pandalshëm dhe me përditësime të nevojshme e me baza të shëndosha nacionale e qytetare, kjo diasporë e jona jo vetëm që do ta harroj Kosovën dhe çdo gjë që lidhet me te, por kjo zbrazësi e krijuar, gjithsesi herret e vonë do të mbushet me diçka tjetër, me diçka ndryshe, me diçka që nuk është e Kosovës, që nuk është e jona, e që në disa raste as që funksionon dhe gërshetohet mirë dhe dobishëm me atë që është e jona dhe e cila mund të kthehet edhe në pengesë në të ardhmen, kur ne mund të bëjmë përpjekje të vonuara që ta ringjallim atë me nevojën e kuptuar vonë se diaspora është e jona dhe se na duhet shumë dhe për shumëçka dhe në çdo kohë.
Kjo hapësirë do të mbushet me një identitet të ri, si një kërkesë, por edhe nevojë normale njerëzore, e sidomos do të ndodhë ky fenomen tek të rinjtë tanë pjesa më e madhe e të cilëve kanë lindur dhe janë duke u shkolluar dhe edukuar në vende të ndryshme të botës, kurse prindërit i kanë shqiptarë nga Kosova por kohë të gjatë në gyrbet.
Me cilin identitet do të përmbushet kjo zbrazësi? Kjo gjithsesi do të varet nga ajo se në cilin vend do të jetë mërgimtari, do të varet nga shumë faktor. Kjo nuk do të thotë detyrimisht se nëse ai është ta zëmë në Londër identiteti i tij i munguar prej shqiptari do të mbushet me identitet të ri prej anglezi apo britaniku. Jo mund të mbushet me diçka krejt ndryshe, sikundër ta zëmë me identitet të ri arabo-mysliman apo irlandezo - krishtere.
Në anën tjetër mund të konstatojmë sepse është dëshmuar shumë se dy identitete mund të bashkëjetojnë sado që mund të jenë të dallueshme. Bota është plotë me raste të këtilla.
Por halli i diasporës tonë nuk është se tek ajo sidomos te të rinjtë tanë kemi të bëjmë edhe me një identitet të ri shtesë, por me davaritjen graduale por të pandalshme të identitetit shqiptarë.
Kjo davaritje ka efekte jo të mira. Në rend të parë në të ardhmen e afërt kjo do të thotë se ne si shtet dhe shoqëri nuk mund të llogarisim për asgjë tek ata. Kurse tjetra është se ata duke mbetur shumë pak shqiptarë marrin identitete të reja herë jo funksionale me shqiptarizmën e herë edhe identitete të reja në kundërshtim me bazat e identitetit shqiptarë.
Shpjeguar kështu mund të kuptohet se si një i ri shqiptarë nga Kosova konverton duke e përqafuar ideologjinë islamiste dhe është në gjendje edhe të ndërmarrë akte terroriste kundër forcave të ndryshme perëndimore në shenjë përkrahje të kësaj ideologjie.
Kjo mund të ndodhë dhe po ndodhë vetëm atëherë kur tek ky i ri është shkëputur çdo kontakt dhe informacion i vërtetë me Kosovën, me institucionet e Kosovë, me kulturën dhe traditën tonë e mbi të gjitha me identitetin shqiptarë.
Është e dëshmuar në mënyra të ndryshme dhe kohë të gjatë se vetëm familja në diasporë nuk është e mjaftueshme që ta mbajë gjallë identitetin shqiptarë atje ku janë kurbetqarët tanë.
Familja mund të bëjë shumë, duke filluar nga mbajtja gjallë e gjuhës shqipe, duke festuar festat tona dhe në mënyrën tonë, dhe në shumë forma të tjera nga më të ndryshme. Por në ato rrethana, pra atje ku çdo gjë tjetër nuk është shqiptare, kjo assesi nuk është e mjaftueshme.
Prandaj për këtë familjes i duhet ndihma dhe këtë ndihmë askush më mirë nuk mund të jap se sa institucionet e Kosovës. Kjo nuk është e lehtë, përkundrazi. Në të vërtetë kjo as që ka ndodhur ndonjëherë deri më tani. Kurbetqarët e Kosovës që nga koha kur ka përfunduar lufta, janë lënë si është më së keqi.
Sot organizimi i shqiptarëve të Kosovës, pra i diasporës tonë, është për të të ardhur keq. A jemi të vetëdijshëm se nga kjo po humbim shumë dhe të gjithë.
Dikur diaspora shqiptare ishte e organizuar edhe mirë edhe mbi baza të shëndosha kombëtare. Problem ishte vetëm se ato ishin të ndara mbi baza partiake, të cilat importoheshin nga Kosova, por si rezultat i shtypjes dhe diskriminimit të madh kombëtar që po na bënte Serbia, por edhe vetëdijes së lartë nacionale dhe atdhedashurisë, ato dallime u tejkaluan dhe uniteti kombëtar u bë parësor në diasporë.
Prandaj nga kjo perspektivë mund të thuhet se diaspora e jonë ka qenë në nivel të detyrave që ja ka parashtruar koha edhe në aspektin e ndihmës me para edhe në aspektin e internacionalizimit të çështjes së Kosovës, por edhe të ndihmave të tjera.
Natyrisht se ka mundur të bëhet më shumë, por gjithsesi është bërë shumë dhe kjo, jo që nuk mund të mohohet, por kjo do të duhej të shpërblehet sot. Dhe mënyra më e mirë por ta shpërblyer sot diasporën tonë është ndihma konkrete nga Prishtina zyrtare që ajo të orientohet drejtë sidomos në aspektin kulturor dhe nacional të organizohet mirë mbi baza të shëndosha nacionale dhe mbi baza të traditës sonë dhe me krijimin e lidhjeve të përhershme dhe funksionale me institucionet shtetërore të Kosovës.
Përkundër të gjithave se çka është thënë për krijimin e Ministrisë së Diasporës, ajo është një nismë e mirë dhe me parakushte shumë të mira, për të bërë një punë të madhe dhe shumë të rëndësishme për diasporën. Gjithandej ku janë shqiptarë duhet të hapen përfaqësi kulturore.
Duhet që ata të organizohen dhe të ndihmohen në rend të parë nga kjo ministri që të kenë në posedim të përhershëm lokale të përshtatshme dhe dinjitoze për aktivitetet të përhershme dhe nga më të ndryshme. Aty duhet të ketë staf të punësuar mbi baza të përhershme.
Të gjitha këto aktivitetet (koncerte, recitime, ekspozita, festime, promovime librash, dreka e darka, pritje e përcjellje mysafirësh, shkrimtar, intelektual, aktivist, etj, etj..) duhet të bëhen në lidhje të ngushtë e të përhershme me Kosovën, por edhe me Shqipërinë.
Sot kjo ndihmë është vitale dhe e domosdoshme për diasporën tonë. Kjo është mënyra më e mirë për ta mbajtur këtë diasporë afër Kosovës. Nga kjo do të përfitojmë të gjithë.
Përndryshe nëse këtë nuk e bëjmë menjëherë duke investuar shumë, dhe me këtë veç jemi vonuar, do të kemi djem e vajza tona të cilët në vend se qytetarë lojal ndaj vendit ku jetojnë dhe krenar e të lidhur me Kosovën do të përqafojnë ideologji të huaja, sot atë islamiste e nesër kushedi se çka tjetër, prej të cilave vetëm se do të kemi dëm të gjithë ne.