Dialogu është frymë europiane
Shkruar nga Dr. Ukë Berisha
Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, (PSHDK), duke e analizuar procesin e negociatave në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, kujton se Kosova e ka realizuar synimin për liri dhe shtetësi, vetëm falë bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare dhe sidomos me shtetet e fuqishme perëndimore, prej të cilave është vulosur liria edhe pavarësia e vendit tonë.
Prandaj, edhe kjo etapë me rëndësi për Kosovën, procesi i negociatave në nivel të lartë në mes Serbisë dhe Kosovës, të përfaqësuar nga dy kryeministrat do të përmbyllet në funksion të vendit dhe të shtrirjes se sovranitetit të vendit në pjesët problematike, siç është veriu i Kosovës.
Në këtë mënyrë, pavarësia e vendit tonë konsolidohet dhe kushtetutshmëria shtrihet në tërë vendin. Ky është një hap i rëndësishëm për avancimin e shtetit të Kosovës dhe për një etapë të re të marrëdhënieve ndërshtetërore në rajon.
PSHDK-ja vlerëson faktin se Kosova nuk mund të shmanget nga dialogu me Serbinë, i cili po zhvillohet në Bruksel, për faktin e thjeshtë se ky proces synon që veriun e vendit, këtë zonë problematike dhe të pakontrollueshme, përfundimisht ta fusë nën ombrellën e ligjit dhe kështu ta stabilizojë njëherë e përgjithmonë.
Në këtë drejtim, na inkurajojnë zotimet e Bashkimit Europian se nuk do të ketë integrim në BE për Serbinë pa shuarjen e strukturave paralele dhe pa realizmin e marrëveshjeve mes të dy palëve. Këto deklarime janë sinjale që duhet mirëpritur dhe që tregojnë se përfundimisht ajo pjesë problematike e vendit do të hyjë në proces të stabilizimit dhe ligjshmërisë.
Ne vazhdën e bisedave që bëhen ne Bruksel, PSHDK-ja konsideron se çdo marrëveshje që nuk është në kundërshtim me kushtetutën dhe që nuk është në kundërshtim me legjislacionin e vendit, duhet pranuar si një zgjidhje të pranueshme.
Në këto momente me rëndësi për vendin, i gjithë spektri politikë duhet të shprehim unitetin tonë politik dhe qytetarë, në çështje kyçe të vendit dhe të kujtojmë se synimi dhe platforma jonë e përgjithshme për të qenë pjesë e strukturave perëndimore, sikur që janë BE-së, NATO-së, nuk mund të arrihen pa një stabilizim të përgjithshëm dhe afatgjatë te vendit. Në saje të dialogut, hapen shtigje për paqen e stabilitetin më të gjerë rajonal dhe pjesët problematike të vendit futen nën ombrellën e institucioneve dhe kushtetutës së vendit.
PSHDK-ja vlerëson se në këtë proces, duhet të reflektojmë drejt dhe të vihemi në shërbim të interesit të vendit, mbi të gjitha, duke reflektuar me urtësi dhe duke kujtuar faktin se Kosova nga dialogu me mbikëqyrjen perëndimore, asnjëherë nuk ka dal humbëse, por ka dalë fituese, njëherë e lirisë me 1999, pastaj e shtetit të pavarur të Kosovës me 2008.
Ne inkurajojmë institucionet e vendit në këtë proces të negociatave, por kërkojmë më shumë transparencë.
PSHDK-ja vlerëson se në këtë drejtim është bërë një gabim, ngase institucionet e vendit nuk e kanë bërë transparent dialogun dhe kështu kanë krijuar paqartësi dhe shqetësime te qytetarët, që shpeshherë keqinformohen për këtë proces.
Është në përgjegjësinë e institucioneve që të demonstrojë me fakte bindëse, se procesi i negociatave nuk do ta dëmtojë integritetin e brendshëm të vendit dhe sdo të ketë ndarje e as autonomi politike për serbët, si dhe nuk do të ketë pushtet serb në veri.
/Kryetar i PSHDK-së/