Dhuna, shpërngulja, analfabetizmi faktorë të lodhjes së identitetit të peshterasve!
Shkruar nga Ismet Azizi
Duke shfletuar literaturën që posedoj për Sanxhakun më ra në sy një e vërtetë e hidhur: Njerëzit me ndikim, posaçërisht në Peshter edhe pas vitit 1935, kanë lutur deputetin e vet që në trevat e tyre mos të hapen shkolla. Si është e mundur një gjë e tillë, do të mundohem ta shtjelloj më tutje.
Deri në vitin e 90-të, të shekullit të kaluar, gjegjësisht fundi i viteve të 80-ta nuk kishim analiza, shkrime apo të dhëna të sakta për gjendjen dhe pozitën e popullsisë së Sanxhakut. Ndër të parët dhe të rrallët është autori Avdia Avdiq i cili u mor me këtë problematikë. Për pozitën arsimore kulturore të Sanxhakut shkruan: Për arsimin, kulturën dhe shëndetësinë në periudhën në mes të dy luftërave botërore, është vështirë të flitet, posaçërisht nga viti 1930, kur popullata, pothuajse tërësisht ishte analfabete. Sanxhaku ka qenë i njohur jo vetëm si regjion i pazhvilluar, por edhe për prapambeturinë në aspektin kulturor dhe arsimor. Në fshatra të tëra nuk ka pasur kush të lexoj ndonjë shkresë, gjë që është dashur të udhëtohet me orë të tëra. Novi Pazari ishte qyteti në Jugosllavinë e atëhershme më i madhi për nga numri i analfabetëve. Sipas regjistrimit të popullsisë së viti 1931, 60% e meshkujve të moshës mbi 10 vjeçare ishte e pa arsimuar, ndërsa ajo e femrave ishte 92 %. Duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për popullsinë e përgjithshme, mandej pjesa dërmuese ishte popullsi fshatare, e cila jetonte në kushte të vështira jetësore. Dallimet e mëdha ishin edhe sipas qyteteve, p sh qarku i Tutinit, që ishte i banuar vetëm me shqiptarë dhe boshnjak, shkalla e analfabetizmit ishte 89%, ndërsa ai i Novi Pazarit 63%. Posaçërisht në Sanxhak, popullsia Muslimane (shqiptare dhe boshnjake I.A) ishte e tëra pothuajse analfabete. Ishte rast i rrallë që ndonjë Myslimane të jetë e arsimuar. Faktorët për një gjendje të tillë ishin të shumëfishtë, nga ato: popullsia myslimane nuk ka dashtë ta pranoj shkrim- leximin serb, ndërsa të vetin nuk e kishin,e deri te ajo se myslimanëve nuk ju duhet, posaçërisht femrave myslimane.
Në tërë Sanxhakun në vitin 1931 kanë ekzistuar vetëm 127 shkolla fillore katër klasash. Shkollat kryesisht ishin në vendbanime të mëdha, ndërsa fshatrat malore, sidomos ato të Peshterit ishin pothuajse pa asnjë shkollë, pra popullata ishte fare e paarsimuar.
Në tërë Sanxhakun në këtë kohë ekzistonin vetëm katër gjimnaze katërvjeçare (gjimnazi i ulët) të cilat herë punonin herë ishin të mbyllur. Novi Pazari kishte vetëm një gjimnaz të ulët tetë vjeçar, edhe kjo shkollë mandej zbret në atë katërvjeçar, kështu që vetëm Plevle kishte një gjimnaz tetëvjeçar në tërë Sanxhakun.
Shkollat ishin me numër të vogël të nxënësve. Prindërit nuk ishin të interesuar ti shkollojnë fëmijët e tyre, rezistonin ti dërgojnë fëmijët në shkolla. Posaçërisht popullsia Myslimane, sidomos vajzat nuk ishin të interesuar ti arsimonin. Pushtetarëve të atëhershëm kjo iu shkonte për shtati. Njerëzit me ndikim, posaçërisht në Peshter edhe pas vitit 1935, e kanë lutur deputetin e vet që në trevat e tyre mos të hapen shkolla. Si është e mundur një gjë e tillë?! Do të mundohem ta shtjelloj më tutje.
Sa më larg shkollave dhe kulturës, për popullin ishte më mirë; ishte bindja e popullatës Muslimane. Por edhe ata që kishin dëshirë që ti shkollonin fëmijët e tyre nuk kanë pasur mundësi materiale.
Mali i Zi hyri në Luftën ballkanike me qëllim të zgjerimit të territorit të saj në drejtim të Shqipërisë dhe në verilindje drejt Sanxhakut.
Gjatë marrjes së territoreve, pothuajse pa luftë forcat malazeze kudo që hynin vrisnin dhe plaçkitnin popullsinë e pafajshme, Pasi që kishin marrë trevën e Bjelopoles, atë të Kolashinit, Plavën dhe Gucinë, Ushtria malazeze niset drejt Senicës së cilës i shkon në ndihmë edhe ushtria serbe, të cilët kah do që shkonin vrisnin dhe plaçkitnin popullsinë vendase myslimane. Në tetor të viti 1912 shumë shpejt dorëzohet dhe bie në duart e ushtrisë serbo- malazeze. Udhëheqësi famëkeq ushtarak malazez Boshkoviq, menjëherë të nesërmen fillon çarmatosjen e popullsisë së Peshterit. Boshkovi vendoset në fshatin Doliq të banuar krejtësisht me popullsi shqiptare ku edhe kishte kaluar natën. Doliqin dhe disa fshatra të Peshterit i çarmatosin dhe i mblodhën mbi 100 pushkë, Një raport i oficerëve flet; të gjitha fshatrat i kanë sjellë armët, përveç një pjese e cila nuk i solli me dëshirë, por rezistuan dhe filluan të gjuajnë mbi ushtrinë tonë gjë që qëndruam burrërisht dhe i vranë dhe i therën 20 kriminel. Në këtë raport nuk flitet për humbjen që kishin pësuar nga luftëtarët të cilët mbronin vendin e tyre nga ushtria okupatore serbo-malazeze. Në raport nuk janë raportuar të dhëna për njësitë ushtarake të këtij batalioni a kanë pasur humbje apo të plagosur në radhët e tyre.
Për shpërnguljen e popullsisë së Sanxhakut, gjatë kësaj periudhe, po veçojmë autorin Safet Banxhoviq i cili shkruan; Pas Luftërave ballkanike fillon me të madhe shpërngulja e popullsisë për Turqi, para se gjithash pas krimeve të kryera ndaj tyre. Posaçërisht pas qërimit të hesapeve të ushtrisë malazeze me peshterasit, të përcjellë me plaçkitje, ndezjen e shtëpive. Për rrugën e Stambollit, e cila për shekuj ishte e rëndësisë jetësore, letrari Qamil Sijariq më vonë kishte shkruar; E shkretë është ajo rrugë nëpër fushën e Peshterit, dhe ska në te hane, sjanë më hanxhinjtë dhe kafexhinjtë, nuk është askush sepse njerëzit kanë shkuar në anët tjera, të duket se me ta ka shkuar edhe uji- nuk është askush. Kalldërma e dikurshme, kush e di se e kujt, mund të jetë, e romakëve, ndoshta e turqve, e ka mbuluar barishta. Barishta më së shumti paraqitet aty ku dikur ishin hanet. Pavarësisht sa qëndron, apo sa do të presësh asgjë nuk do të dëgjosh, Kanë shkuar nga këtu kaherë karvanët,.
Krimet që i ka bërë Boshko Boshkoviq, sipas autorit Avdiq, flet Skender Turkoviq ( Hukiq) 90 vjeçar.
Ende pa mbërri ushtria malazeze iu kishte shkuar porosia, me të cilën i këshillohet popullatës myslimane që para se të vjen ushtria malazeze, në shtëpitë e tyre duhet të vendosen flamujt e bardhë, të gjithë ti dorëzojnë armët, dhe municionin, të gjithë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të jenë të gatshëm tju përgjigjen ftesës se ushtrisë. Kush nuk iu përgjigjet këtyre urdhrave do të jetë i vrarë. Objekti për mbledhjen e armëve ishte caktuar shtëpia më e madhe në qendër te fshatit Doliq. Shtëpia kishte 11 dhoma, dhe në te jetonin 6 familje me 70 anëtarë.
Një dhomë ishte caktuar për Boshkoviqin dhe një dhomë për palët të cilat i sillte patrulla. Kjo dhomë shërbente për rrahjen dhe maltretimin, para se ti ekzekutonin apo i zhduknin. Me vendosjen e Boshkoviqit me ushtrinë e tij fillon edhe plaçkitja e popullsisë, duke ua marrë kafshët për sigurimin e ushqimit. Mbledhja e armëve ishte pretekst për të ua bërë jetën të padurueshme, me qëllim përfundimtar pastrimin etnik të kësaj treve. Likuidimet kryesisht bëheshin me vrasje nga pushkët por edhe me therje. Gjithsejtë në Doliq janë vrarë 20 persona pa asnjë arsye. Boshkoviq i pakënaqur me këtë vazhdoi të njëjtën gjë ta bëjë edhe nëpër fshatrat tjera.
Në Ugëll vritet Hajredin Qelaj, me dy djemtë e tij, mandej Hidë Uglanini, me gjithë vëllain e tij, hoxhë Omeri të cilin e vrasin me 13 plumba dhe e therrën në fyt. Përveç vrasjes së 5 njerëzve të pafajshëm ata i djegin dy shtëpi, dhe hanin e Hajredin Qelës. Para se ta bëjnë këtë, kishin plaçkitur 700 krerë dele, dhe 60 krerë gjedhe. Të njëjtën ditë në Boroshticë kanë vrarë Tahir Shkrelin, ndërsa në Tuzinje 10 persona të pafajshëm, mandej edhe tre në fshatin Bërniq. Në vazhdim e sipër në fshatin Rasno vrasin një person të Rshlaninëve. Qëllimi i tyre ishte të vazhdojnë edhe në fshatrat tjera, por për shkak se nga ana tjetër kishte hyrë ushtria serbe ata u desh të kthehen mbrapa. Edhe në kthim e sipër, nëpër vendbanimet tjera ata vazhduan ta bëjnë të njëjtën gjë. Ushtria malazeze, vazhdoi me plaçkitje e vrasje kudo që iu jepej rasti. Kur kishin arritur në Koritë( në anën malazeze të Sanxhakut I. A) atje tashmë armët ishin mbledhur për ti dorëzuar, dhe ishin vendosur në vend të caktuar, flamujt e bardhë ishin vendosur në të gjitha shtëpitë e Muslimanëve. Të gjitha masat e ndërmarra, si në Doliq, e edhe në fshatrat tjera, nuk i shpëtoi Myslimanët.
Me metoda perfide, marrjen e armëve, mandej, therjen e popullit duarthatë, u përdorën edhe këtu sikurse edhe në pjesët tjera të Sanxhakut disa vite më vonë. Në këtë fshat ushtarët malazezë vranë 58 meshkuj dhe dy gra, të cilat u munduan ti mbrojnë bashkëshortët e tyre. U vra edhe një djalosh 18 vjeçar, të vetmin që kishin prindërit, të cilin e ëma ashtu të sëmur, i shtrirë në shtrat, e mbështjell për kraharorin e sajë, duke ju lutur që ta kursejnë. Nuk kishin mëshirë. Së pari ia prenë hundën, mandej para syve të së ëmës e vrasin. Ishte tragjedi e madhe e këtij fshati dhe për banorët e tij të cilët ishin viktimë e një politike brutale.
Çarmatosja e popullsisë ka vazhduar të zbatohet edhe pas Luftës së parë botërore gjegjësisht menjëherë pas ri okupimit nga ushtria e Mbretërisë Serbe.
Çarmatimi ka pasur të bëjë me faktin se kjo popullsi konsiderohej e disponuar armiqësisht ndaj gjendjes së re. Citon Hakif Bajrami, autorët serb B. Hrabak, D Jankoviq.
Se deri kur kishte arritur në planin e çarmatimit, mësojmë nga raporti rezervë i Shtabit të Divizionit të Kosovës, dërguar Komandës së Armatës së tretë në Shkup, ku thuhet se kjo komandë ka forca të mjaftueshme për çarmatimin dhe se plani tejet sekret numër 172 mund të realizohet, por vetëm duke përdorur dhunën ndaj popullsisë shqiptare.
Për çështje të çarmatimit, në qarkun e Rashkës ishin në dispozicion dy qeta të Regjimentit 24 me 2 topa malesh në Novi Pazar dhe një çetë në Tutin.
Për shpërnguljen e shqiptarëve shkruanin të gjitha gazetat, duke shpresuar se për një kohë të shkurtër do të shpërngulen të gjithë shqiptarët. Askush nuk mundi ti mohojë vuajtjet e fshatarëve të Mitrovicës, të Vuçitërnës, të Sanxhakut dhe të Prishtinës që kanë pësuar mjaft dhe nuk mund të qëndrojnë më, por po i lëshojnë tokat e veta dhe po shpërngulen prej atdheut të vet. Shumë familje kanë lënë krejt çka kanë pasur dhe janë nisur për Turqi. Po dihet se shumë familje tani (1923) gjenden në Bullgari, pa të holla dhe jeta e tyre është në rrezik prej sëmundjeve të ndryshme. Për shpërngulje po përdoret propaganda e dhunës, Terrori ishte bërë dukuri sidomos në prag të zgjedhjeve.
Ali Hadri, në veprën e tij LNÇ në Kosovë shkruante: Kur merret parasysh pozita dhe gjendja jashtëzakonisht e vështirë e shqiptarëve në Jugosllavinë borgjeze, është plotësisht i arsyeshëm mendimi se Jugosllavia e vjetër për shqiptarët ishte burg me plot kuptimin e plotë të fjalës.
Lidhur me propagandën serbomadhe nëpërmjet Klubit Kulturor Serb, studimi që shkaktoi më së tepërmi erupcion për të ndërmarrë aksione brutale e që ka qenë ndër akuzat më të rënda kundër pushtetit që nuk u interesua më tepër për të asimiluar popullsinë shqiptare, është padyshim elaborati i Dr. Vasa Çubriloviqit Shpërngulja e shqiptarëve. Problemi i shqiptuarve theksoi ai, nuk lindi sot, ai, sipas tij, ishte problem edhe në mesjetë. Praninë e shqiptarëve Çubriloviqi e quante Pykë të rrezikshme. Mprehtësinë e kësaj pyke, sipas tij, Qeveria Serbe e kishte dobësuar qysh nga Kryengritja e Parë serbe. Për të pasur efekt pozitiv theksonte ai, duhet krijuar psikoza të nevojshme në këto forma: Është e njohur se masa shqiptare bie shumë vështirë nën ndikim dhe bindjet e veta i ruan me fanatizëm. Për këtë, në mes masave tjera kësaj radhe po përmendim atë që preferon në lidhje me ligjet të cilat duhet shfrytëzuar deri në maksimum, në mënyrë që ti vështirësohet jeta me anë të gjobave, burgimeve, me përdorimin e të gjitha formave të paskrupullt të të gjitha metodave policore me dënime në masë. Mandej e masave sanitare., rrëzimi i mureve dhe gardhiqeve, masave në veterinari, rritjen e tatimeve. Shqiptari duhet të ngacmohet, duke ua prishur varret, ndalimin e martesave, duhet detyruar që fëmijët të dërgohen në shkollat, ku fyhej elementi shqiptar dhe ku nxënësve u thuhej se shqiptarët janë njerëz me bishta.
Hajredin Hoxha, në punimin e tij në Përparimi; Politika e eliminimit të shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë së vjetër, shkruan: Gjoka Perina po ashtu ishte i mendimit si Çubriloviqi. Ky titullar i lidhjes së Kooperativave Serbe në Sarajevë thekson praninë e shqiptarëve në regjionin e Sanxhakut. Sipas Perinës popullsia shqiptare në Kosovë paraqet rrezik të përhershëm. Perina preferon shpërnguljen ciklike brenda për brenda shtetit, sepse ndërrimi i këtillë i popullsisë nuk kërkon mjete të mëdha, ndërsa popullsia shqiptare, thotë ai, do të humbasë në detin e gjerë sllav.
Represaliet, dhuna, shpërngulja, vazhdoi gjatë Luftës së I- rë, pas, në mes të Dy Luftërave Botërore, por edhe pas luftës së Dytë Botërore. Aksioni i mbledhjes së armëve në Jugosllavinë e Titos, nuk i kurseu sa shqiptarët e Peshterit. Peshterasit ishin therë në sy edhe gjatë pushtetit të Sllobodan Millosheviqit. Peshterasit vazhdojnë të jenë element i padëshiruar edhe sot e kësaj dite, pavarësisht ndryshimeve të qeverive në Serbi.
Ishin këto vetëm disa të dhëna të cilat dëshmojnë për të kaluarën e hidhur të popullsisë së Sanxhakut me theks të veçantë të peshterasve. Dhe, nga kjo mund të konkludojmë se shqiptarëve të Peshterit, rreziku më i madh iu kanosej nga asimilimi, ishte pikërisht ndjekja e shkollimit në shkollat serbe, çka, që deri diku edhe u dëshmua. Shqiptarët e Peshterit kurrë nuk iu nënshtruan pushtimit serbo- malazez. Ata ruajtën fenë, doket, zakonet, mënyrën e jetesës, por, në masë të madhe e humbën gjuhën shqipe.