27 Dhjetor 2024

Devollët kundërligjshëm kërcënojnë me zhvatje të buxhetit

Fjalimi i deputetës Margarita Kadriu

Përderisa klasa politike kosovare janë duke u marrë me njëri- tjetrin, nga një shteg i lënë hapur shumë vjet më parë për goditje ndaj buxhetit të shtetit, shteti pësoi humbjen e madhe të radhës në Gjykatën e Arbitrazhit. Siç shihet, tanimë po ikin edhe gati 40 milionë euro të tjera përmes Arbitrazhit!

Para më shumë se 8 muajsh, pikërisht nga kjo foltore, e ngrita alarmin para qytetarëve, Qeverisë dhe deputetëve kolegë, se buxheti i taksapaguesve kosovarë po rrezikohet nga një skeme e kundërligjshme, kërcënuese, edhe atë për afro 450 milionë euro, përfshirë edhe shpenzimet e mbrojtjes.

Jo vetëm që e ngrita këtë çështje, por propozova edhe rekomandimet, të cilat në mungesë kuorumi një herë ose herën e parë nuk kaluan, por që më asnjëherë tjetër qëllimshëm nuk u vendosën në rend dite për të marrë votën tuaj.

Por, atë çka qytetarët morën ishte lajmi për vendimin e radhës të Gjykatës së Arbitrazhit, ku shoqërisë së shumëpërfolur  \"Devolli\" iu aprovua padia për hiç më pak se edhe për afro 40 milionë euro të tjera shtesë!

“Qershia mbi tortë” pritet të vijë së shpejti me vendimin për “AXOS”-in kundër Telekomit të Kosovës, respektivisht kundër Qeverisë së Kosovës dhe buxhetit të saj të varfër!

Prej kërkesës time për aprovimin e rekomandimeve kaluan mbi 8 muaj, e fakti se tanimë shkuan edhe 40 milionë euro të tjera, siç duket, edhe sot për zyrtarët e lartë të shtetit nuk është ndonjë arsye për të marrë masa!

A do të mbajë ndonjëherë dikush në këtë shtet, jo vetëm përgjegjësi politike, por edhe juridike e penale për këto zhvatje që po i bëhen buxhetit të taksapaguesve kosovarë?!!!

Natyrisht, si gjithnjë, është taksapaguesi i varfër ai, që e paguan faturën e çdo dështimi, ndonëse do të duhej të kishim një llogaridhënie konkrete të zyrtarëve përgjegjës pas një hetimi serioz të Prokurorisë Speciale të Shtetit.

Po të reagohej me kohë, apo po të votoheshin rekomandimet e propozuara, ku i bëhet ftesë Prokurorisë për të hetuar dhe për të zbardhur të vërtetën lidhur me paditë që kanë bërë “Z-MOBILE” dhe “AXOS”-i , pra në momentin që të dy paditësit, kompanitë që kanë ngritur padi, do të ishin nën një proces hetimor, edhe qëndrimi i Arbitrazhit do të relativizohej, me mundësinë për ta hedhur poshtë si të pabazë padinë e ngritur.

U bëj thirrje të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, si dhe deputetëve të pavarur, që urgjentisht sot t\'i votojmë rekomandimet, ku mes të tjerash kërkohet:

Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojë nga Prokuroria që menjëherë të fillojë hetimin për të verifikuar nëse zyrtarët e përfshirë në këto procedura të prokurimit kanë vepruar në përputhje me ligjin dhe për këtë të njoftojë me prioritet dhe shpejtësi  Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Pa e adresuar përgjegjësinë, pavarësisht prej pozicionit të secilit zyrtar, pavarësisht rangut që ka, nuk mund të kemi transparencë dhe drejtësi.

Buxheti pësoi në dy vendimet e fundit, ku humbjet janë dhe po i afrohen vlerës prej  50 milionë euro,ndërkaq pritet vendimi për edhe afro 400 milionë euro të tjera të buxhetit të shtetit. Por, pyetja pa përgjigje mbetet: kush janë fajtorët, kush janë autorët e këtij krimi të planifikuar kundër shtetit?

Përgjegjësit, kushdo qofshin ata, duhet të përballen me pasojat ligjore. Kështu do të krijohej një precedent pozitiv, në mënyrë që askush të mos guxojë të synojë e të planifikojë ta dëmtojë buxhetin e shtetit, ose shtetin dhe qytetarët.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)