Detyrimet e MSA-së për politikat sociale në duar të qeverisë së re
Shkruar nga Florina Duli
Një listë e gjatë e detyrave në fushën e politikave sociale që janë renditur në Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, e presin qeverinë e re të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Obligimet e Kosovës në raport me marrëveshjen dhe Bashkimin Evropian, janë renditur në nenin 106 të MSA-së, kryesisht në vija shumë të trasha.
Kosova obligohet të krijoj një sistem të mbrojtjes sociale, të aftë për të rritur punësimin dhe zhvillimin ekonomik, si dhe është kërkuar përafrim i legjislacionit të Kosovës me legjislacion të BE-së (ecquis).
Në MSA, nuk janë cekë ligjet që duhet të ndryshohen, por vetëm fushat siç është: puna, shëndeti, siguria në punë si dhe mundësi të barabarta për gratë dhe burrat, përfshirje sociale për personat me aftësi të kufizuara etj.
MSA-ja ka hyrë në fuqi në vitin 2016, ndërsa Qeveria e Kosovës në atë kohë kishte miratuar Programin Kombëtar për Zbatim të MSA-së.
Ky është edhe dokumenti kryesor ku vendoset një kornizë gjithëpërfshirëse e të gjitha reformave për përmbushjen detyrimeve që dalin nga MSA-ja.
Nënshkrimi i MSA-së është thënë së është hapi i parë dhe më i rëndësishëm në rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Përveç domethënies dhe rëndësisë politike – marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me BE-në, ishte prezantuar edhe si një arritje që do të sillte zhvillime pozitive në fushat konkrete që lidhen drejtpërdrejt me mirëqenien e qytetarëve: rritje ekonomike, përmirësim të dialogut social, e vende pune.
Megjithatë, për më shumë se një vit prej kur ka hy në fuqi MSA-ja, ka fare pak dëshmi për këtë.
Në Programin Kombëtar për Zbatim të MSA, konstatohet mos-zbatueshmëria e ligjeve të miratuara në fushën e punësimit, në veçanti ligji i punës, ligji për mbrojtjen e shëndetit në punë dhe ligjet tjera.
Është paraparë ndryshimi i këtyre ligjeve në mënyrë që ato të jenë më të zbatueshme.
Shkalla e lartë e papunësisë tek gratë është përmend si argument që Ligji i Punës, konkretisht neni për lehonat, të ndryshohet dhe plotësohet për të shtuar mbrojtjen për gratë dhe për të rritur punësimin e tyre.
Kosova ka marrë gjithashtu obligime të reformoi inspektoratin e punës dhe të rrisë numrin e inspektorëve si masë për garantimin e zbatimit të Ligjit të Punës.
Hiq më mirë nuk qëndron as me ligjin për mbrojtjen e shëndetit në punë, pasi numri i lëndimeve dhe vdekjeve në vendin e punës këtë vit ka shënuar rritje.
Është paraparë edhe reformë në skemat e ndihmës sociale, e cila përpiqet të mbushë hendekun e krijuar nga mungesa e llojeve të tjera të përfitimeve si: përfitimet për fëmije, përfitimet në rast sëmundjeje dhe përfitimet nga papunësia.
Tek masat afatshkurta ishte paraparë edhe plotësim-ndryshimi i Ligjit nr. 04/L-008 për Këshillin Ekonomiko-Social si dhe të miratohet Strategjia për Këshillin Ekonomiko-Social.
Të gjitha këto kërkesa ishin edhe pjesë e përsëritur e Raportit vjetor të Komisionit Evropian për Kosovën.
Edhe aty kërkohet ndryshim në Ligjin e Punës, zbatimi i Ligjit për Sigurin dhe Shëndetin në Punë si dhe ndryshimi i Ligji për Këshillin Ekonomiko Social.
Ligji i Punës ishte planifikuar të kalonte në qeveri e Kuvend, mirëpo deri në përfundim të mandatit të qeverisë Mustafa një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.
Madje, këto reforma ishin zvarrit edhe për shkak të nisjes së hershme të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit.
E në fushatën parazgjedhore, si zakonisht, kishte premtime shumë të fryra edhe për punësim, pushim të lehonisë, si dhe për skema të ndryshme sociale.
Siç është bërë traditë tashmë, në prag të fushatës është nënshkruar edhe Marrëveshja e re kolektive, ndërkohë që marrëveshja paraprake asnjëherë nuk gjeti zbatim.
Në ndërkohë që këto reforma ende nuk janë bërë, sfida kryesore e qeverisë së re mbetet krijimi i vendeve të reja të punës.
Shkalla e papunësisë në Kosovë është 30 për qind, ndërsa shkalla e punësimit është 25.2 për qind.
Ky dallim i madh në mes të personave të papunë dhe të punësuarve është për shkak të numrit shumë të madh të personave joaktiv.
Përveç shkallës se lartë të papunësisë, qeveria e re ka shumë punë edhe në uljen e shkallës së informalitetit.
Të dhënat e Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), tregojnë se informaliteti më i madh është në sektorin e ndërtimtarisë.
Ky i fundit është edhe njëri nga sektorët që po rrezikon me të madhe shëndetin dhe jetën e punëtorëve.
Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti në media është raportuar se në vendin e tyre të punës kanë humbur jetën dhjetë persona.
Kjo shifër del të jetë dyfish më e lartë se vitet paraprake, që tregon se obligimet që dalin nga MSA-ja në këtë fushë as që kanë filluar të adresohen.
Reformat në sektorin e punësimit dhe skemat sociale gjithmonë i kanë sfiduar qeveritë. Këto reforma mund të shkaktojnë protesta nga punëtorët apo reagime të fuqishme të bizneseve.
Për qeverinë e re, e ndërtuar më së paku mbi parime programore dhe prioritete të mirëfillta zhvillimore, e votuar nga vetëm 61 deputet, realizimi i projekteve dhe reformave ekonomiko-sociale dhe përgjegjësive të marra nga marrëveshja, më gjasë, do të mbesin edhe një shtyrje e radhës. Pa zgjidhje.