Dëshironi të rritni normat e lindjeve? Provoni barazinë gjinore
Shkruar nga Alanna Armitage dhe Tomas Sobotka
Shumë vende në Evropën Lindore përballen me atë që perceptohet shpesh si një krizë popullsie. Njerëzit me kualifikim të lartë të moshës riprodhuese po i lënë vendet e tyre për të kërkuar mundësi më të mira diku tjetër.
Ndërsa te ata që qëndrojnë, normat e lindjeve janë nën dy fëmijë për grua; në disa vende, ato janë më afër një.
Këto trende kanë ngritur alarm mes politikanëve dhe publikut të gjerë. Frika është se largimi dhe shkalla e ulët e lindjeve do të çojnë në vende më të vogla, më të vjetra dhe më të dobëta.
A janë të justifikuara këto frika? Në një farë mase, po. Rënia e shpejtë e popullsisë dhe plakja mund të paraqesin sfida serioze, veçanërisht nëse vendet, për arsye ekonomike apo ideologjike, nuk mund të tërheqin emigrantë për të kompensuar humbjet demografike.
Në raste të tilla, numrat më të ulët të popullsisë vërtet mund të sforcojnë ekonomitë, sistemet sociale dhe infrastrukturën në zonat pak të populluara.
Megjithatë, shumica e shqetësimeve rreth këtyre ndryshimeve demografike janë të rrënjosura në nocione të vjetra mbi kombin dhe pushtetin.
Në Ditën e sotme Botërore të Popullsisë është e rëndësishme të theksohet se nuk është madhësia e popullsisë që ka rëndësi në shoqëritë bashkëkohore.
Ajo që ka rëndësi është kapitali njerëzor i një popullsie - arsimimi dhe shëndeti i saj, produktiviteti dhe potenciali inovativ.
Vende si Gjermania apo Japonia kanë pasur nivele shumë të ulëta të lindjeve për dekada, dhe kanë vazhduar të lulëzojnë. Vende të vogla si Zvicra apo Norvegjia vazhdimisht kanë pasur ndikim më të madh se përmasat e tyre.
Kjo na tregon se fiksimi në numrat që shohim ndonjëherë në rajon, dhe në shkallën e lindjeve në veçanti, është joproduktiv. Shumica e shkencëtarëve pajtohen se nuk ka një normë optimale të fertilitetit dhe se, në çdo rast, rritja e nivelit të lindjeve nuk është një zgjidhje e lehtë.
Studimet tregojnë se programet tradicionale që ju ofrojnë prindërve një formë nxitjeje financiare për të pasur më shumë fëmijë në përgjithësi kanë vetëm një efekt të përkohshëm.
Njerëzit mund të zgjedhin që të kenë një fëmijë më herët se sa kanë planifikuar për t’i marrë të hollat nga stimulimi, i cili fillimisht rrit numrin e lindjeve.
Por ata nuk do të kenë një familje më të madhe në përgjithësi, kështu që normat afatgjate të lindjes mbeten kryesisht të pandryshuara. Kjo nuk është për t'u habitur: madje edhe stimujt më bujarë financiar do të mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të kostove totale të rritjes së fëmijës.
Përveç kësaj, pa ndryshime në mjedisin e përgjithshëm, çdo përfitim potencial do të thotë vetëm shtim i më shumë të rinjve që do t’i bashkohen atyre që tashmë nuk mund të gjejnë një punë të mirë ose nuk mund të shohin një të ardhme afatgjatë në vendin e tyre dhe po lëvizin diku tjetër, duke marrë kështu me vete investimet publike në arsimimin e tyre.
Një rrugë më premtuese për vendet e Evropës Lindore është që të përqendrohen në një fakt shpesh të neglizhuar: shumica e njerëzve në rajon në të vërtetë dëshirojnë dy ose më shumë fëmijë. Arsyet pse nuk mund t'i realizojnë qëllimet e tyre riprodhuese janë çelësi për gjetjen e zgjidhjeve për krizën e popullsisë në rajon.
Aty ku të rinjtë nuk mund të jenë të sigurt për të ardhmen e vendit të tyre dhe perspektivat e tyre të punës, sjellja në jetë e fëmijëve është financiarisht e rrezikshme, sidomos duke pasur parasysh sigurimet e dobëta sociale në rajon.
Papunësia e lartë e të rinjve, pagat e ulëta - sidomos për gratë - dhe tendenca drejt vendeve të paqëndrueshme të punës nuk ndihmojnë.
Një tjetër faktor kryesor është mungesa e mbështetjes për gratë që punojnë, të cilat ende priten gjerësisht të kujdesen për fëmijët dhe familjen.
Kujdesi publik për fëmijët nën moshën tre vjeçare është mjerisht joadekuat në Evropën Lindore dhe kushtet e ashpra të punës, detyrojnë shumë gra të zgjedhin mes fëmijëve apo karrierës.
Çfarë do të thotë kjo është që secila qeveri që dëshiron të jetë e suksesshme në ngritjen e niveleve të lindjeve afër nivelit të dëshiruar të fertilitetit të njerëzve - dhe të ofrojë alternativa ndaj largimit nga vendi - ajo duhet të krijojë një mjedis në të cilin të rinjtë janë të sigurt për të planifikuar të ardhmen e tyre dhe për të krijuar familje.
Kjo kërkon përparim në qeverisjen e mirë, duke bërë ekonomitë më konkurruese dhe duke i përshtatur aftësitë individuale me kërkesat e tregut të punës. Dhe kërkon një sërë politikash specifike që u përgjigjen nevojave të familjeve, grave, burrave dhe fëmijëve.
Ekziston një konsensus i gjerë mbi atë se çfarë duhet të jetë pjesë e një pakete të tillë të politikave: Cilësia dhe kujdesi i përballueshëm për fëmijët që nga mosha e hershme. Leja prindërore fleksibile dhe e pagueshme për të dy prindërit (me nxitje për burrat që të marrin atë që kanë të drejtë).
Marrëveshje fleksibile të punës, dhe sigurimi i pagës së barabartë për gratë. Programet për të inkurajuar burrat dhe gratë që të ndajnë në mënyrë të barabartë kujdesin dhe punën shtëpiake. Dhe strehim të përballueshëm, si dhe mbështetje financiare për familjet me të ardhura të ulëta.
Vende si Suedia tregojnë se varioacione të këtij miksi politikash mund të funksionojnë në mbajtjen e normave më të larta të lindjeve.
Estonia ka shkuar më tej në ridisajnimin radikal të politikave të pushimit të prindërve dhe ka zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme arsimin e hershëm të fëmijërisë.
Disa vende në Evropën Lindore kanë hyrë në këtë rrugë, me mbështetjen e UNFPA, Fondit për Popullsisë i Kombeve të Bashkuara dhe partnerëve të saj.
Nuk do të jetë e lehtë. Zhvendosja e mjeteve të pakta drejt politikave familjare ka të ngjarë të shkaktojë rezistencë, ashtu si transformimi i domosdoshëm i normave tradicionale shoqërore dhe stereotipeve për rolet e burrave dhe grave në shoqëri.
Tejkalimi i këtyre pengesave do të kërkojë udhëheqje të fortë politike dhe gatishmëri për ndryshime. Por përfitimet potenciale janë masive - dhe shkojnë shumë përtej normave të rritjes së lindjeve.
Sepse kur të rinjtë kanë besim në të ardhmen e tyre dhe gratë mund të marrin pjesë plotësisht në të gjitha sferat e shoqërisë, pa hequr dorë nga lindja e fëmijëve, vendet do të rriten jo vetëm në numër, por në mundësi, stabilitet dhe prosperitet për gjeneratat që do të vijnë.
Alanna Armitage është Drejtore e Zyrës Rajonale të Fondit për Popullsi të Kombeve të Bashkuara për Europën Lindore dhe Azinë Qendrore. Tomas Sobotka drejton grupin kërkimor mbi fertilitetin dhe familjen në Institutin e Demografisë në Vjenë, Akademinë Austriake të Shkencave.