28 Dhjetor 2024

Deri kur në Kosovë me qeveri të kushtëzuar

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora


 A është lufta për pushtet vetëm pasion apo interes :  Milovan Gjilas ishte një intelektual i cili atëbotë e përktheu Parajsën e Miltonit dhe kishte prejardhje nga një familje borxheze.

 Mirëpo,  gjatë luftës së dytë botërore iu bashkangjit luftës kundër nacizmit duke u bërë edhe udhëheqës i luftës. U bë partizan  që vepronte i udhëhequr nga ideali dhe jo nga interesi material.

Në kujtimet që i la pas vetes , tregonte se kur aradhat partizane hynë në Beograd , shtëpitë e të pasurve ishin objekt i  “vizitave” dhe plaçkitjeve nga çlirimtarët e atëhershëm.

Në fakt , ai tregonte se disa partizanë halabakë , nga shtëpitë e të pasurve vidhnin tepihë, pjata dhe orendi të ndryshme ndërsa nuk i preknin pikturat apo veprat shumë të vlefshme artistike sepse nuk ua dinin vlerën.

Qysh atëherë  kishte shprehur rezerva ndaj “pushtetit popullor”  ndonëse edhe vet u bë pjesë e pushtetit duke u larguar nga linja intelektuale.

Më vonë , kur “ pushtetit popullor “ i doli boja u shndërrua në opozitë të Titos duke u angazhuar për pluralizëm partiak apo pushtet dypartiak. Titoja, si absolutist që ishte nuk dëshironte ta ndante pushtetin me askend prandaj e eliminoi Gjilasin.

Po krejt kjo hyrje nuk është se kam pasur vlerësim për Gjilasin i cili ishte malazez por u deklarua si serb dhe vdiq si serb por për një thënie që e ka lënë pas se :” pushteti ( e jo shteti ) është pasioni më i madh dhe kush një herë e provon nuk ndahet me vullnet nga pushteti …”

Duket se  kjo thënie do të jetojë për aq kohë sa do të ketë pushtete. Pasioni  për pushtet kryesisht e mbanë vulën e pushteteve diktatoriale, monarkive , shteteve të ish kampit socialist dhe komunist dhe shteteve që janë në transicion e që karakterizohen me një brishtësi dhe jofunksionalitet.

Edhe Kosova pa as një dyshim bënë pjesë në këto shtete dhe lufta për pushtet është shenjë identifikuese që nga koha kur nuk kishte fare shtet ( nga viti 1999 deri në vitin 2008 ) por edhe tani kur ende nuk jemi shtet në kuptimin e plotë të fjalës sepse jemi duke luftuar për të mbijetuar si shtet në kohën kur funksionaliteti i shtetit seriozisht  sfidohet edhe nga jashtë por edhe nga brenda.

Nga ata që na kanë mbajtur nën robëri mbi 100 vjet por edhe nga ata që na kanë çliruar ( vendorët dhe ndërkombëtarët ). Lufta për pushtet në Kosovë është shndërruar në luftë brenda llojit prandaj është shumë e rrezikshme.

Buburrecat  e kuq luftën më të madhe nuk e bëjnë me insekte të llojit tjetër por kundër njëri – tjetrit. Ata nuk luftojnë vetëm për fitore por luftojnë ta asgjësojnë kundërshatrin ( buburrecat e kuq të tjerë ) deri në vdekje duke mos e lënë të gjallë edhe një buburrec të vetëm.

A jemi shndërruar edhe ne në buburreca të kuq ?! A duam , jo ta mundim kundërsharin politik që e konsiderojmë si armik por edhe ta asgjësojmë ate deri në shkatërrim ?!

Ndryshe ,  si të arsyetohen këto kërcënime që shpërndahen në të katër anët si fjalët e Papës në enciklikat e tij të dieleve në sheshin e shën Pjetrit , me burgosje, gjykime dhe dënime etj.

Tash është bërë pjesë e fjalorit parazgjedhor e politikanëve të Kosovës gjeografia përkatësisht vendet ekzotike si Burgu i Dubravës apo Burgu për Siguri të Lartë në Dyz të cilat u prenotohen armiqve të tyre politikë ndonëse edhe vet janë kandidatë shumë serioz për aso aranzhmanesh.

Të gjitha këto kërcënime  bëhen ekskluzivisht për marrje të pushtetit përmes kapjes së shtetit. Ka qenë  mbase si rregull që në vendet ku ka sunduar diktatura ( e djathta apo e majta , pa dallim ) udhëhësit, në” emër të  popullit “ kanë qëndruar në pushtet për aq sa ka qenë vullneti i Zotit ( deri në vdekje ) ndërsa në raste të rralla janë përmbysur nga pushteti nga ndonjë kundërshtar që ka qenë më tarak se ai vet por vullnetarisht nuk kanë pranuar të largohen.

Shtetet e Ballkanit janë të njohura për këtë. Dhe  vazhdon të jetë ashtu edhe sot , për fat të keq për demokracinë dhe qytetarët që vuajnë nën këtë demokraci!

A kanë problem shqiptarët me gjuhën apo me mendjen : Sigurisht se për shkak të robërisë shekullore shqiptarët kanë qenë të ndrydhur dhe të shtrydhur prandaj, si pjesë të identitetit e kanë pasur edhe ndjenjën e inferioritetit ndaj pushtuesve.

Inferioritetit  intelektual , ushtarak, historik, strategjik  dhe politik! Prandaj  ka pasur edhe aq shumë dallime dhe përçarje në çastet me rëndësi strategjike,  që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit deri te lufta e fundit e udhëhequr nga Ushtria e Lavdishme Çlirimtare e Kosovës me Komandantin Legjendar , Adem Jashari.

Këto dallime dhe përçarje i kemi edhe sot. Jo vetëm në Kosovë po gjithandej ku jetojnë shqiptarët! Në Shqipëri ishte një konflikt i shndërruar në armiqësi midis Nanos dhe Berishës tash midis Berishës dhe Ramës.

Për t’i bërë bashkë dhe për të biseduar në praninë e përkthyesve i dërguan në Strasbur  ( Francë) Ramën dhe Berishën. Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin në Maqedoni i bën bashkë vetëm Nikolla Gruevski i cili nuk flet shqip ndërsa këta të dy gjuhën shqipe e kanë gjuhë të nënës por nuk merren vesh!

Një grusht shqiptarësh që po bëjnë përpjekje të mbijetojnë në Mal të Zi bisedojnë në tavolinë vetëm kur e kanë aty Gjukanoviqin. Edhe këta gjuhën shqipe e kanë gjuhë të nënës por nuk merren vesh midis tyre.

Në Luginën e Preshevës duhet të jetë i pranishëm Vuçiqi apo Daçiqi për t’i bërë bashkë shqiptarët që e kanë gjuhë amtare gjuhën shqipe por kuptojnë vetëm kur të flasin serbisht! Situata duket të jetë më e rënda në Kosovë ku i kemi dy blloqe ( si në kohërat e Luftës së Ftohtë ) të cilat fare nuk komunikojnë midis tyre ndonëse gjuhë amtare e kanë gjuhën shqipe.

Që të dyja palët. më me dëshirë dhe me pasion  komunikojnë në gjuhën serbe ndonëse me përjashtim të një grushti deputetësh në LDK dhe PDK, nuk kanë njohuri elemetare nga kjo gjuhë.

Mosnjohjen e gjuhës serbe e kompensojnë me gjestikulime , buzëqeshje të vërteta dhe të rreme, vardisje dhe lëvyrje të skajshme sipas parimit të Gjilasit se pushteti është pasioni më i madh. Edhe  për këta që janë në pushtet por edhe për ata që duan të bëhen pushtet !

Ndryshe, si mund të arsyetohet vardisja aq e madhe që i bëhet Lista Srpska “ Ivica Daçiq” , edhe nga pozita , edhe nga opozita ! Sipas parimit :” të gjithë rreth Listës Srpska të përbashkuar , me një dëshirë , me një qëllim, jo për shtet por për pushtet të amshuar … që duket se është i vetmi synim….”.

Lexues  të nderuar , besoj se nuk e keni vështirë ta vëreni se sa shumë janë shëndoshur  daputetët e kësaj liste nga drekat dhe  darkat e shumta që për nderë ( vota ) të tyre rregullisht ua shtrojnë pozita dhe opozita!  

E sidomos udhëheqësi i kësaj liste , ndryshe deputet në Kuvendin e Serbisë , gospodin Aleksandar Jabllanoviq i cili u bë rrumbullak nga drekat dhe darkat e pozitës dhe opozitës!

 Në ditën konstituive të Kuvendit të Kosovës që përfundoi për faqe të zezë , deputeti i Skupshtinës së Serbisë , gospodin Aleksandar Jabllanoviq sillej më komod se të ishte në dhomën e tij të fjetjes. Sikur të ishte Zoti vet!

 Paramendojeni situatën kur ndonjëri nga deputetët e Kuvendit të Kosovës si Arsim Bajrami , Ismet Beqiri , Donika Kada , Visar  Imeri apo dikush nga NISMA do të shkonte në Kuvendin e Serbisë dhe t’i organizonte deputetët shqiptarë se si duhet të votojnë dhe për kë duhet të votojnë! 

Kjo as që mund të paramendohet ! E pse  Jabllanoviqi ka të drejtë të ladrojë në Kuvendin e Kosovës sikur të ishte në livadhet e Shumadisë ndërsa Ibrahim Makollin e kthyen nga kufiri duke mos e lejuar ta vizitojë Luginën e Preshevës ?!

Madje, vetëm mbeti t’i fusin një shkelm prapa. Pse standarde të dyfishta dhe të trefishta ?! Sepse nuk e respektojmë as veten prandaj nuk e respektojmë as shtetin! Tash , për këtë arsye Jabllanoviqi u bë boshti rreth të cilit sillen edhe ata që duan të mbesin në pushtet sikur edhe ata që e duan fort pushtetin.

Nuk mbahet shteti me një bosht ( Lista Srpska “ Ivica Daçiq “) : Lufta në Kosovë po bëhet midis dy koalicioneve ; atij parazgjedhor dhe këtij paszgjedhor. Për mbajtje të pushtetit dhe marrje të pushtetit! Realisht koalicioni parazgjedhor ka shumë probleme me numra. Ka ngelur te numri 37.

Adem Grabovcit mbase për shkak të dioptrisë po i dalin 67 vota për formimin e qeverisë. Unë nuk po i shoh ata numra! Mirëpo koalicioni parazgjedhor ka përparësi nëse i referohemi Kushtetutës.

Sidomos për postin e të parit të Kuvendit që koalicioni paszgjedhor , si në Bahqe të Babës ia ka ndarë Isa Mustafës! Dhe këtu është bllokuar puna sepse  nëse Isai mbetet pa këtë post ( e me gjasë në mungesë të një marrëveshjeje politike do të mbetet ) atëherë mund të lindin problemet për koalicionin i cili është aq i përbetuar kundër Thaçit sa që as që duan të takohen me te.

Problemi është i natyrës psikologjike. I frikës se çka do të ndodhë pas një takimi eventual me Thaçin. Pse nuk mund të takohen dhe të ndahen me qëndrime që i kanë pasur edhe më herët! Pse aq miqësor me Jabllanoviqin e aq armiqësor me Thaçin ? E pakuptueshme për mua dhe aspak normale !

Po të ishin aq të vendosur disa nga këta të koalicionit paszgjedhor në luftë kundër Serbisë , Isa Mustafa nuk do të konsiderohej muhaxher por do të kthehej në trojet e të parëve ndërsa më nuk do të flisnim fare për Mollën e Kuqe.

Edhe Jakup Krasniqi do ta rishkruante historinë kombëtare dhe shtetërore. Në situatën në të cilën jemi, Jabllanoviqi po ha molla nga Molla  e Kuqe ndërsa neve po na mpihen dhëmbët duke hëngër dardha kakiqke ! Si gjithmonë!

E provuam se si  ( nuk ) funksionon qeveria nëse mbështetet vetëm në Jabllanoviqin. Pse ta bëjmë të njëjtin gabim edhe në të ardhmën ?

Pse  mos ta bëjmë një shumicë vendosëse shqiptare ndërkaq Jabllanoviqët t’i trajtojmë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe dokumentet relevante ndërkombëtare për trajtimin e pakicave kombëtare ?!

As më pak e as më shumë! Sikur të gjitha vendet demokratike në botë e që eksportojnë demokraci sikur te ne e që nuk ka lidhje me demokracinë si i ashtuquajturi diskriminimi pozitiv! Shpresoj se nga e kaluara duhet të nxirret një mësim.

Po duket se ne nuk do të mësojmë ende për aq kohë sa na duhet t’i thyejmë kokën njëri –tjetrit! Koalicioni paszgjedhor ka numra por nuk siguron stabilitet. Lista Srpska “ Ivica Daçiq “ i rri mbi kokë si shpata e Demokleut.

Çdo koalicion që e mbështet perspektivën qeverisëse në Listën Srpska “ Ivica Daçiq “ në fakt e ka futur kokën nën gijotinë. Dhe fati dihet ! Është shumë më e arsyeshme të pranohen kushtet e LVV – FERR se të kësaj liste.  Edhe me LVV – FERR formati i bisedimeve nuk do të ndryshojë fare. Vetëm do të vazhdojë. Ndërprerjen e privatizimit po e kundërshtojnë Lista dhe LVV – FERR.  Ndërkaq hetimin e privatizimit e kundërshtojnë PDK , AAK , LDK dhe NISMA. Sigurisht për shkaqe parimore ( !!! ). E dinë pse ?!

Në një mungesë të një marrëveshjeje politike për sigurimin e shumicës së votës shqiptare e vetmja zgjidhje mbeten zgjedhjet e jashtëzakonshme. Nuk  shoh mundësi tjetër !

Nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës me të gjitha organet ( të brendshme dhe të jashtme ) atëherë Presidentja e Kosovës duhet ta zbatojë detyrimin kushtetues duke e shpërbërë një Kuvend jofunksional. 

Nëse koalicioni paszgjedhor beson se e i ka shumicën e votave atëherë nuk ka as një arsye t’i kundërshtojë këto zgjedhje. Madje, ka interes t’i provokojë zgjedhjet e jashtëzakonshme! Unë mendoj ndryshe.

Në zgjedhjet  eventuale të jashtëzakonshme , koalicioni paszgjedhor do të pësonte bukur shumë! Duket se edhe në koalicionin paszgjedhor ka të tillë që e ndajnë mendimin me mua. Prandaj edhe po i kundërshtojnë këto zgjedhje eventuale!

Për shkak të mungesës së marrëveshjes politike apo kokëfortësisë , lehtë mund të ndodhë që ata që duan tërë pushtetin , si të pozitës ashtu edhe të opozitës, do të mbesin pa asgjë !

Si shpresë e  fundit mbesin edhe 67 votat e Adem Grabovcit , që si magjistar i ka mëshehur dikund  dhe në seancën e radhës mund t’i nxjerr nga doreza e dorës së majt! Le të shpresojmë ! Po të ishte 1 Prilli!

Njoftim : Njoftohen të gjithë ata që më kanë përcjellur se nga data 8 gusht deri më 18 gusht nuk do të jem këtu. Gjithashtu, edhe telefonat nuk keni nevojë t’i përgjoni sepse nuk do të kenë qasje! Ju falenderoj shumë për mirëkuptim.


 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)