22 Dhjetor 2024

Demonstratat e 1981 dhe ndikimi i tyre në çështjen e Kosovës

Shkruar nga Metush Zenuni

Rezistenca aktive e shqipëtarëve kundër pushtuesit serb nuk ishte ndalur asnjëherë që nga viti 1912, kur Shqipëria kishte shpallur pavarësinë e saj, duke mbetur jashtë gjysma e trojeve të saj që më vonë u aneksuan me dhunë nga Jugosllavia. Kjo rezistence vazhdoi pa u ndalur edhe në LDB, por edhe pas përfundimit të saj. Lëvizja Ilegale në Kosvë me vise vazhdoi me Adem Demaçin, Metush Krasniqin, Fazli Grejqevcin, per të ardhur deri në vitin 1968 me demonstratat masive në të gjitha territoret shqiptare.

Ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë, janë ,, nyja” e historisë së shqiptarëve që mbetën në shtetin e ish – Jugosllavisë në përfundim të luftës antifashiste botërore. Me argumente të mjaftueshme është provuar se asnjë zhvillim tjetër i kësaj periudhe nuk mund t’i zëvendësojë këto ngjarje në funksionin e një nyjeje që mund të jetë e vlefshme për të qartësuar jo vetëm momentin historik kur ndodhën, por edhe parathënien dhe pasthënien e tyre. Në demonstratat e vitit 1981, për herë të parë, pas një shtypje të gjatë, jo vetëm në ish – Jugosllavi, por për të gjithë vendet e lindjes, po ndodhte një uragan i jashtëzakonshëm kombëtar : kërkesa për Republikën e Kosovës dhe për herë të parë, pas shumë dekadash heshtjeje, pas shtypjes së vazhdueshme të regjimit policor UDB-ash e KOS-ist, dhe bartësve të tyre, një vend po zgjohej dhe po kërkonte të drejtën e tyre për të vetvendosur.

Udhëheqja Komuniste e Kosovës dhe e Jugosllavisë, për ngjarjet e Pranverës së vitit 1981, akuzonin shtetin Shqiptar dhe udhëheqësin e saj Enver Hoxha. Në Kongresin e 8 të PPSH-së, të mbajtur më 1 nëntor 1981, Enver Hoxha, kishte deklaruar se Shteti Shqiptar e ka mbrojtur dhe do ta mbrojë edhe në të ardhmen pjesën e kombit shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi dhe kjo nuk është ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë.

Kjo është e drejtë e pamohueshme. Menjëherë pas demonstratave pasuan burgosjet masive, maltretimet dhe dënimet pjesëmarrësve dhe organizatorëve të demonstratave, të cilët u dënuan me qindra vite burg nëpër kazamatet e ish -Jugosllavisë. Grupet ilegale brenda dhe jashtë vendit kishin filluar të riorganizoheshin dhe kishin hedhur idenë e bashkimit të këtyre grupeve në një subjekt të vetëm politik të fuqishëm. Nga disa grupe ilegale që ekzistonin deri në fillim të demonstratave të vitit 1981, pas shkrirjes së tyre në një subjekt të vetëm politik arrihet të krijohet LRSSHJ (Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi).

Ky subjekt politik kishte përfshirë në gjirin e saj thuaja të gjithë elementët anti Jugosllav dhe antikomunist që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Lëvizja ilegale e Kosovës edhe pese e dëmtuar rëndë pas arrestimeve që ndodhën në vitet 1982, 83 e në vazhdim, megjithatë arriti tu mbaj lidhjet e vazhdueshme të atdhetarëve rreth një qëllimi të vetëm për Republikën e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë. Në kuadër të kësaj Lëvizje, në janar 1984, ranë heroikisht REXHEP MALA e NUHI BERISHA, ndërsa vitin 1985 në burgun e CZ në Beograd vritet nga torturat atdhetari ZIJA SHEMSIU.

Viti 1989, që e majta në gjithë botën e kishte planifikuar për të festuar 200 vjetorin e revolucionit Francez, që thuhej se ishte periudha e fillimit të politikës radikale, u kthye në diçka tjetër, në një vit revolucionesh. Më 4 nëntor në Berlinin lindor marshuan mbi 1 milion vetë. Pesë ditë më vonë muri i Berlinit që ndante Gjermanët ra. Më 24 nëntor pas demonstratave në Pragë udhëheqja komuniste dha dorëheqje, dhe më pas Vacllav Haveli u zgjodh President.

Kriza politike dhe ekonomike në Jugosllavi, ndryshe nga vendet e tjera të Evropës Juglindore, kishte ndodhur shumë më parë se në vitin 1989. Demontratat në Kosovë vazhduan, ndërsa tensionet në mes të Serbisë dhe Republikave tjera u bënë intenzive. Sllovenia dhe Kroacia përgatiteshin të dilnin nga Federata. Në fakt, shqiptarët qysh në vitin 1981, kishin filluar të parët shkatërrimin e Jugosllavisë me demonstratat e tyre të njohura, por tani ishte një situatë krejt tjetër dhe ata më lehtë kuptoheshin nga popujt e Republikave të tjera në Jugosllavi.

Në vitin 1989 me Lëvizjen illegale udhëhiqnin Afrim Zhitia, Fadil Vata, Fahri Fazliu etj. Më 2 nëntor të këtij viti, pas një demonstrate të suksesshme në Prishtinë, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu rrethohen në Bregun e Diellit në Prishtinë, për tu rënë heroikisht, ashtu siç ishin betuar para flamurit dhe para shokëve të idealit. LPRK, e dëmtuar shumë nga burgosjet dhe rënia e dy udhëheqësve të saj Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, si dhe vdekja e udhëheqësit tjetër, Fadil Vata, u ndodh para situatave sfiduese.

Ajo ishte bartëse e aktivitetit ilegal në Kosovë dhe viseve shqiptare në Jugosllavi, prandaj duhej angazhim dhe vizion i shumëanshëm për të qenë në ballë të kërkesave të kohës. Më 23 dhjetor 1989 u formua LDK, pastaj Partia Fshatare e Kosovës -PFK, Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës - PSHDK, Partia Social Demokrate e Kosovës - PSDK etj. Formimi i partive legale me orientim demokratik fillimisht ndihmoi preceset politike në Kosovë.

Ngjarje tjetër me rëndësi në Kosovë në këtë

periudhë isht Pajtimi i gjaqeve. Ideja për pajtimin e gjaqeve ka lindur nga një grup i studentëve të burgosur në proceset e njohura politike pas demonstratave të vitit 1981, pas lirimit nga burgu të një pjese të tyre. Nismëtarët e parë të pajtimit të gjaqeve kanë qenë veprimtarët e LPRK-së: Adem Grabovci, Hava Shala, Ibrahim Dreshaj, Lulëzim Etemaj, Myrvete Dreshaj, Nurije Zekaj, Flamur Gashi, Ramë Buja, Akile Dedinca, Naser Veliu, Ibish Neziri, Jashar Salihu, Bajram Kurti, Serbeze Vokshi. Aksioni për pajtimin e gjaqeve, bëri jehonë të madhe në tërë Kosovën dhe viset shqiptare, si një e keqe, e cila duhej larguar njëherë e përgjithmonë.

Në përkrahje të çështjes së pa zgjidhur të shqiptarëve në Jugosllavi, dhe demonstratave që po ndodhnin në Kosovë, i dhanë me të madhe edhe gurbetqarët të cilët të ikur nga ndjekjet e pushtuesit serb jetonin në shtetet perëndimore. Që nga demonstrata e Bernit në vitin 1981, organizuar nga Kadri Zeka e deri në Mars 1998, atdhetarët shqiptar në mërgim nuk rreshtën as një ditë së vepruari në i interes të çështjes kombëtare.

Demonstratë shumë me rëndësi është demonstrata dyjavore nga 19 maj e deri më 02 qershor 1990, para selisë së OKB-së në Gjenevë.Nga kjo demonstratë, ku morën pjesë mbi njëqind mijë mërgimtarë, një peticion me 23.800 nënshkrime për njohjen e të drejtave të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë iu dërgua Sekretarit të OKB-së, z. Peres De Kuelar, Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Asamblesë së përgjithshme të OKB-së etj. Në peticion, njoftoheshin për terrorin, vrasjet, shpërnguljet e shqiptarëve dhe burgosjet që ka bërë e po bën Jugosllavia nga viti 1945 e deri në vitin 1990.

Gjatë viteve 1991-1992, në Kosovë, represioni shtetëror u rrit në mënyrë dramatike. Vrasjet, kindapimet, rrahjet dhe torturat, burgosjet e disidentëve politik dhe aktivistëve, mbylljet e shkollave dhe institucioneve kulturore ishin bërë përditshmëri.

Grupet ultranacionaliste paramilitare, të sponzoruara nga Millosheviqi, ishin dërguar në Kosovë për të kërcënuar dhe terrorizuar popullatën shqiptare. Pas gjithë këtyre atdhatarët shqiptarë në Kosovë dhe Lëvizja illegale e shihnin se me mjete paqësore nuk mund të realizohet ndarja e Kosovës, prandaj ata filluan që të përgatiteshin për një luftë tu armatosur.

1. Formimi i UÇK-së

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, i ka rrënjët e saj te organizatat nacionaliste, të cilat vepruan në fund të viteve‚ 70 –ta, tek demonstrata e vitit 1981, e veçanarisht te LPRK-ja, e cila u krijua në vitin 1982. Rënia heroike e Naser Hajrizit më 1981, e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës më 1984, e Zija Shemsiut më 1985, e Bajram Bahtirit, Bedri Sokolit, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut më 1989, e Ali Ajetit, Hasan Ramadanit, Arif Seferit e shumë të tjerëve, i kishte nxitur veprimtarët e devotshëm të çështjes kombëtare që lufta të vazhdojë deri në çlirimin përfundimtar të trojeve shqiptare.

Aksionet e armatosura të njësiteve guerile gjatë viteve 1991, 1992, 1993, janë parahistoria dhe provë për formimin e UÇK-së. Aksione te kohë pas kohshme pati thuaja në të gjitha rajonet, qytetet dhe fshatrat e Kosovës.

Aksionet e para të kryera në Kosovë dhe ato të mëpastajmet, nuk u panë me sy të mirë, nga politika pacifiste, e cila ende kishte ndjenjën iluzioniste të bërjes së lirisë. Anatema për UÇK-në dhe veprimet e saj, fatkeqësisht, ishte shumë prezente në një pjesë të subjektit politik të Kosovës të asaj kohe.

Ashtu siç u quajtën të parakohshme dhe u anatemuan nga udhëhqja Komuniste e Kosovës, demonstratat e vitit 1981, poashtu u anatemua dhe u etiketua edhe dalja në skenë e UÇK-së, nga udhëheqësit e politikës pacifiste të Kosovës.

Ideja për emërimin e ushtrisë, UÇK është realizuar nga sektori i veçant i LPRK-së, në prill të vitit 1993, në Kollare të Kërçovës dhe më 28 -29 korrik 1993, në ,,Kodrën e Trimave\" në Prishtinë, në MKP të LPRK-së, ku u mor vendim për kalimin në fazën e organizimit të luftës së armatosur.

2. Konferenca e Daytonit 1995

Kthesa e madhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës u bë veqanarisht pas Konferencës së Daytonit, në nëntor 1995,e cila i dha fund luftës së përgjakshme në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa shqiptarët e kuptuan përfundimisht se Kosova nuk mund të çlirohet pa luftë.

Në këtë Konferencë çështja e Kosovës dhe konflikti shqiptaro – serb, edhe pse ishte folur shumë herë, u anashkalua dhe prej aty filloi zhgënjimi dhe mosbesimi në rezistencën paqësore. Në Dayton, vëmendja kryesore u përqëndrua në arritjen e një zgjidhje paqësore për konfliktin serbo – kroato –boshnjak.

Në këtë mënyrë Marrëveshja e Daytonit solli pasoja të rënda për zhvilllimet në Kosovë. Përgjigjien më të duhur, për mospraninë e çështjes së Kosovës në Dayton e kishte dhënë, Rudolf Perrina, shef i Misionit diplomatik të SHBA-ve në Beograd, dhe pjesëmarrës në Konferencën paqësore për Bosnje e Hercegovinën në Dayton. Pyetjes së gazetarëve se ,, pse në Dayton nuk u hap çështja e Kosovës“? iu përgjigj : ,, Në Dayton janë ftuar ata që kanë luftuar“.

3. Demonstratat e Studentëve 1997

Vitet 1996- 1997, ishin vite të zhvillimeve të mëdha në trojet shqiptare. Më 1 shtator 1996 Kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova nënshkroi dogovorin (marrëveshjen) me Kryetarin e Sërbisë, Sllobodan Millosheviq për ,, përmirësimin“ e kushteve të arsimit në Kosovë. Më 31 janar 1997 në fshatin Pestovë të Vushtrrisë vriten tre udhëheqësit e UÇK-së, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu.

Në Mars 1997, në Shqipëri, ndodhën revoltat e mëdha të qytetarëve kundër skemave piramidale, duke e sjellur shtetin shqiptar në një kaos politik dhe ekonomik, por duke sjellur edhe pasiguri dhe viktima të shumta. Megjithë anët negative, këto revolta ndikuan që ushtarëve e UÇK-së, t’u krijohen mundësi më të mëdha për furnizim me armatim dhe mjete tjera të nevojshëm për luftë.

Në anën tjetër, në Kosovë, pushtuesi serb, për çdo ditë ndërmerrte masa të egra represive kundër popullit të pa mbrojtur të Kosovës, veçanarisht kundër veprimtarëve të LPK-së dhe LKÇK-së, të cilët ishin të organizuar në radhët e UÇK-së.

Ngjarje me rëndësi per Kosovën ishin demonstratat e studentëve më 1 tetor 1997. Këto demonstrata ishin vazhdimësi e demonstrative të vitit 1981. Edhe kësaj radhe si në vitin 1981, kundër studentëve ishte LDK-ja, vazhduese e politikës së LKJ-së.

Pos demonstrative të studentëve, aksionet e armatosura të njësiteve të UÇK-së gati në të gjitha pjesët e Kosovës, arrestimi i një pjese të udhëheqësve të UÇK-së, rënia heroike e Ardian Krasniqit, më 15 tetor 1997 dhe ngjarjet që rrodhën gjatë periudhës së dytë të vitit 1997, në Prishtinë, sollën një gjendje të re politike në Kosovë dhe Shqipëri, por ato e ndryshuan edhe gjendjen organizative dhe logjistike të UÇK-së.

Pak javë pas rënies së Ardian Krasniqit, më 28 nëntor 1997, në Llaushë të Skenderajt, tre ushtarë të UÇK-së: Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj, zbresin nga malet e Drenicës dhe u thonë popullit të tubuar në varrimin e mësuesit Halit Geci se ,, ka dhe do të ketë UÇK-së, derisa të çlirohet Kosova nga Serbia\" se ,, Serbia po vret dhe po masakron shqiptarët dhe UÇK është e vetmja forcë që lufton për çlirim dhe bashkim kombëtar“.

Dalja publike e UÇK-së ktheu besimin e popullit se kësaj radhe është një forcë që do t’i dalë zot vendit. Edhe mesazhi ishte i qartë se ushtarët e UÇK-së janë të gatshëm të sakrifikohen për ta fituar lirinë.

Fillimi i luftës së armatosur në Kosovë 1998

Në pranverën e hershme të vitit 1998, vatër e rezistencës dhe qëndresës heroike ishte prapë Drenica. Robert Geldbard në një nga takimet e tij më 23.02.1998, me Kryetarin e Kosovës, Ibrahim Rugova në Prishtinë, publikisht e akuzoi “UÇK-në si organizatë terroriste”, ndërsa kërkonte forcimin e lidershipit politik të moderuar .

Natën e 4 dhe 5 marsit 1998, forca të mëdha policore e ushtarake e kishin rrethuar Prekazin dhe lagjen e Jasharajve, ku sipas tyre, fshihej Adem Jashari me çetën e tij.

Ndonëse skajshmërisht të pabarabart, pas tri ditë e tri net luftimesh e rezistence të armatosur ranë heroikisht komandanti Adem Jashari dhe 55 dëshmorë të lirisë, prej tyre u flijuan edhe gra, fëmijë dhe pleq. Lufta heroike e Jasharajve pushtoi të gjitha mediat dhe vuri në lëvizje politikën botërore.

4.Konferenca e Rambujesë

Edhe përkundër luftimeve të pa ndërprera në Kosovë mes UCK-së dhe forcave serbe, deri në masakrën e Reçakut më 15 janar 1999, Bashkësia Ndërkombëtare dhe NATO-ja ende ngurronin për të vepruar ushtarakisht dhe ende nuk ishte e vendosur kundrejt barbarive serbe.

Pas kësaj masakre ajo më në fund u bind se çështja e Kosovës do zgjidhje politike dhe filloi t´i intestifikojë përpjëkjet për organizimi i Konferencës së Rambujesë.Më 6 shkurt 1999, filloi në Rambuje afër Parisit Konferenca e Paqës.Baza e këtyre negociatave ishte një propozim, i ambasadorit të SHBA-së në Maqedoni Cristofer Hill.

Ky plan përmbante një tërësi të detajuar të aranzhimeve kushtetuese të autonomisë së Kosovës. Pjesa e parë e bisedimeve në Rambuje zgjati deri më 23 shkurt. Vazhdimi i Konferencës së Rambujesë në Paris zgjati nga 14 – 19 mars 1999. Pala serbe i mbeti besnike mospërfilljes dhe mosbashkëpunimit me ndërkombëtarët, veçanarisht me SHBA-të dhe nuk e nënshkroi marrëveshjen.

Marrëveshja e përkohshme për paqe dhe vetëqeverisje në Kosovë u nënshkrua vetëm nga pala Kosovare. Si rrjedhojë e mosnënshkrimit nga pala serbo – jugosllave, pas kësaj do të pasojë intervenimi i NATO-s më 24 mars 1999, i cili do të kurorëzohet fillimisht me planin G8, të cilin më 3 qershor e ka miratuar Parlamenti i Serbisë dhe presidenti Millosheviq dhe më pas me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, më 10 qershor 1999.

Demonstratat e filluara nga Lëvizja Ilegale dhe studentët në vitin 1981, përfunduan me organizimin e luftës së armatosur të viteve 1998/99 dhe me çlirimin faktik të Kosovës nga forcat okupatore të Sërbisë. Përderisa në vitin 1981, demonstratat e studentëve në Prishtinë ishin paralajmërimi për rënien e sitemit komunist në Evropën Juglindore, në vitin 1999, Kosova ishte vendi i fundit në Europë që po çlirohej përmes luftës së armatosur.

Edhe përkundër tri luftrave çlirimtare që organizoi Lëvizja illegale në ish -Jugosllavi, ato ende mbetën të ndara die ende nuk u realizua qëllimi përfundimtar - BASHKIMI KOMEBTAR!

Kumtesë e lexuar më 06 Mars 2011, në Zurich, Zvicër, në tribunën shkencore të organizuar për nder të 30 vjetorit të Demonstratave të vitit 1981.

(Autori është Kryetar i Klubit Politik ,, Afrim Zhitia“ Prishtinë)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)