Demokracia nuk mund të jetojë pa media të lira
Shkruar nga Frederica Mogherini
Demokracia nuk mund të jetojë pa media të lira, të larmishme dhe të pavarura. Gazetarët dhe akterët e medias në mbarë botën i mbajnë shtetet, zyrtarët qeveritarë, korporatat dhe shoqërinë në përgjithësi përgjegjës për veprimet e tyre.
Por tepër shumë prej tyre përballen me kërcënime dhe sulme vetëm për shkak të kryerjes së punës së tyre, ndërsa kryesit e këtyre sulmeve shpesh veprojnë me mosndëshkim të plotë.
Në këtë ditë, e cila është shpallur si Dita Ndërkombëtare për t'i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve, në sajë të Rezolutës 68/163 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ne i falënderohemi të gjithë atyre gazetarëve anembanë botës që humbën jetën dhe u ballafaquan me sulme në ushtrimin e profesionit të tyre.
Ne gjithashtu përshëndesim të gjithë ata gazetarë të guximshëm që po vazhdojnë punën e kolegëve të tyre të cilët më nuk janë në gjendje të ndjekin hetimet e tyre.
Vrasjet e gazetarëve hulumtues Daphne Caruana Galizia dhe Jan Kuciak në BE tregojnë që asnjë rajon i botës nuk është imun ndaj kësaj. Këto krime të neveritshme duhet të hetohen hollësisht dhe të ndiqen penalisht, siç është rasti i vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi në Konsullatën Saudite në Stamboll.
Kemi kërkuar dhe presim që Arabia Saudite të bashkëpunojë në një hetim të plotë, të besueshëm dhe transparent dhe insistojmë në nevojën për qartësimin e rrethanave të vdekjes së tij dhe llogaridhënies së plotë të të gjithë atyre që janë përgjegjës për këtë.
Në shumë vende ka një tendencë shqetësuese për të zhdukur dhe zvogëluar hapësirën për gazetari të lirë, shpesh duke vënë në mënyrë indiskrete dyshimin mbi kredibilitetin e mediave për të diskredituar dhe dobësuar punën e tyre.
Gazetarët kanë nevojë për një mjedis ku ata janë në gjendje të punojnë në siguri, brenda dhe jashtë internetit, pa frikë nga ngacmimi, presioni politik, censura ose persekutimi.
Një sistem i fuqishëm ligjor duhet të mbrojë shtëpitë mediale dhe gazetarët anembanë botes, që ata të mund të kryejnë punën e tyre në pavarësi të plotë. Në një kohë kur dezinformimi është në rritje, siguria e gazetarëve duhet të garantohet për t'u lejuar atyre të promovojnë raportim të saktë për të mirën dhe në interes të të gjithë qytetarëve tanë.
BE-ja do të vazhdojë të përdorë të gjitha instrumentet e përshtatshme të politikës së jashtme dhe ato financiare për të rritur cilësinë e gazetarisë, qasjen në informata publike dhe lirinë e shprehjes.
Do të vazhdojë financimin e Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), si dhe sigurimin e mbrojtjes së shënjestruar përmes programeve për Mbështetjen e Mbrojtësve të Drejtave të Njeriut.
Të gjitha shtetet brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian kanë për detyrë të përmbushin detyrimet e tyre për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve, duke siguruar një mjedis ligjor i cili mundëson të punuarit, duke marrë kërcënimet ndaj gazetarëve seriozisht dhe duke ndjekur me vendosmëri sulmet aktuale.
Presim që të gjithë të përforcojnë masat parandaluese, duke mobilizuar të gjithë akterët dhe duke krijuar mekanizma kombëtare të sigurisë, në përputhje me Planin e Veprimit të OKB-së për Sigurinë e Gazetarëve dhe Çështjen e Mosndëshkimit.
Gazetaria e lirë është shtylla kurrizore e shoqërive të lira: minimi i saj nënkupton minimin e lirisë sonë.