24 Dhjetor 2024

Demokracia nuk mund të jetojë pa lirinë e fjalës dhe të shprehjes

Shkruar Faik Krasniqi

Demokracia nuk mund të jetojë pa lirinë e fjalës dhe të shprehjes. Të diskutosh dhe të votosh, të mblidhesh dhe të kundërshtosh, të falesh përpara Perëndisë, të sigurosh drejtësi për të gjithë — të gjitha këto varen nga liria e fjalës dhe e informacionit.

Kanadezi Petrik Uillson, autor i serisë televizive ‘’Lufta për demokraci’’, shkruan: ‘’Demokraci do të thotë komunikim: njerëz që bisedojnë me njëri-tjetrin për shqetësimet e përbashkëta e që ndërtojnë të ardhmen e tyre. Përpara se të mund të qeverisen, njerëzit duhet të jenë të lirë të shprehen.’’

Shtetasit e një vendi demokratik janë të bindur se nëpërmjet shkëmbimit të lirë të ideve dhe mendimeve, e vërteta triumfon mbi gënjeshtrën, vlerat e të tjerëve çmohen më mirë, zonat e kompromisit përcaktohen më saktë dhe rruga drejt përparimit hapet.

Sa më i madh të jetë vëllimi i këtyre shkëmbimeve, aq më mirë! Eseisti amerikan E.B. Uait shprehet kështu: ‘’Shtypi në vendin tonë të lirë është i besueshëm dhe i dobishëm, jo për shkak të cilësisë së tij të lartë, por për shkak të larmisë së tij të madhe.

Përderisa numri i botuesve, të cilët e paraqesin të vërtetën sipas mënyrës së tyre, është i madh, neve si popull na jepet mundësia ta mësojmë të vërtetën dhe të jetojmë në dritën e saj... Larmia sjell siguri.’’

Ndryshe nga sa ndodh në shtetet autoritare, në shtetet me qeveri demokratike, përmbajtja e fjalës së shkruar dhe të folur është jashtë çdo kontrolli, diktati apo gjykimi.

Demokracia mbështetet në qytetarë të shkolluar e të ditur, të cilët vetëm duke përfituar sa më shumë nga informacioni i pasur, mund të marrin pjesë në mënyrë sa më të plotë në jetën e shoqërisë në të cilën bëjnë pjesë.

Padija lind plogështinë. Demokracia lulëzon në saje të energjisë së qytetarëve, të cilët i ushqen një burim i pashtershëm idesh, të dhënash, mendimesh e hamendjesh.

Çfarë duhet të bëjë një qeveri kur mjetet e informacionit ose organizatat e tjera e shpërdorojnë lirinë e fjalës duke përhapur të dhëna që sipas mendimit të shumicës, janë të rreme, të neveritshme, pa përgjegjësi apo thjesht të pahijshme?

Përgjigjja e përgjithshme do të ishte: ‘’Asgjë!’’ Qeveria nuk ka për detyrë të merret me gjëra të tilla. Në përgjithësi, të kujdesesh për lirinë e fjalës do të thotë të lejosh liri fjale akoma edhe më të madhe.

Mund të duket paradoksale, por në emër të fjalës së lirë, një vend demokratik duhet të mbrojë nganjëherë edhe të drejtat e individëve dhe grupeve që përkrahin një politikë të atillë antidemokratike që është për shtypjen e fjalës së lirë.

Qytetarët e një shoqërie demokratike e mbrojnë këtë të drejtë, të nisur nga bindja se në fund të fundit, debati i hapur çon drejt një të vërtete edhe më të madhe e drejt veprimeve politike edhe më të mençura, sesa kur liria e fjalës dhe e kundërshtimit shtypet.

Krahas kësaj, përkrahësit e fjalës së lirë mendojnë se heqja dikujt sot e lirisë së fjalës që sipas mendimit tim përbën fyerje, shërben si kërcënim i mundshëm ndaj ushtrimit nga ana ime të fjalës së lirë nesër, pasi fjalët e mia mund t’i duken dikujt tjetër si fyese.

Një ndër mbrojtjet klasike të kësaj pikëpamjeje është ajo e filozofit anglez Xhon Stjuërt Mill, i cili në esenë me titull ‘’Mbi lirinë’’, të shkruar në vitin 1859, shfaq mendimin se shtypja e lirisë së fjalës është e dëmshme për të gjithë.

‘’Në qoftë se një mendim është i drejtë, — shkruante ai, — njerëzit humbasin rastin për të zëvendësuar gabimin me të vërtetën. Në qoftë se ai është i gabuar, njerëzit humbasin... një perceptim më të qartë dhe një mbresë më të gjallë për të vërtetën, të cilat lindin si pasojë e ndeshjes së kësaj të vërtete me gënjeshtrën.’’

Rrjedhim i drejtpërdrejtë i lirisë së fjalës është e drejta e njerëzve për t’u grumbulluar dhe për t’i kërkuar në mënyrë paqësore qeverisë të dëgjojë ankesat e tyre. Në qoftë se populli nuk do të kishte një të drejtë të tillë për t’u grumbulluar dhe për t\'iu dëgjuar zëri, liria e fjalës nuk do të kishte asnjë vlerë.

Për këtë arsye, liria e fjalës vështrohet e lidhur ngushtë, madje pazgjidhshmërisht, me të drejtën për t’u grumbulluar, për të kundërshtuar dhe për të kërkuar ndryshime.

Qeveria demokratike mund të caktojë në bazë të ligjeve, kohën dhe vendin e grumbullimeve dhe të manifestimeve politike për mbrojtjen e qetësisë, por ajo nuk duhet ta përdorë kurrsesi këtë të drejtë për të shtypur protestat, ose për të penguar grupet kundërshtare që të shprehin hapur mendimet e tyre.

(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i Kryesisë së’’ALEANCA KUQ E ZI’’)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)