25 Dhjetor 2024

Dëmi ekonomik dhe shoqëror nga korrupsioni e nepotizmi

Shkruar nga Fidan Kosumi

Korrupsioni dhe nepotizmi janë dy dukuri negative për të cilat sot flitet shumë dhe të cilat fatkeqësisht janë prezente në masë të madhe në shoqërinë tonë. Korrupsioni dhe nepotizmi janë të vjetër aq sa edhe shoqëria njerëzore dhe gjithmonë kanë përcjellur organizimin njerëzor.

Këto fenomene nuk ndërlidhen ekskluzivisht me një vend apo popull, pa marrë parasysh stadin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, ato janë prezente edhe në vendet e zhvilluara të botës që do të thotë se asnjëherë nuk janë zhdukur krejtësisht, por gjithnjë është punuar në eliminimin e tyre.

Ndonëse korrupsioni mbulon të gjitha fushat e jetës shoqërore, një nga format më të zakonshme të paraqitjes së tij sot është në punësim.

Nga pikëpamja ekonomike, korrupsioni është sjellje e parregullt e nëpunësve publikë të cilët duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare dhe autorizimet, tentojnë të arrijnë ndonjë përfitim.

Nepotizmi ka të bëjë me sjelljën e individëve, gjegjësisht bartësve të pushtetit politik, ekonomik etj. të cilët për shkak të pozitës së privilegjuar sigurojnë përfitime apo favorizojnë anëtarët e familjeve të tyre, të afërmit apo njerëzit e caktuar në raport me njerëzit e tjerë pa marrë parasysh aftësitë profesionale gjatë punësimit apo dhënies së punës.

Si pasojë e këtyre dukurive negative sot në shoqërinë tonë gjeneralisht mbizotëron bindja se nuk mund të sigurohet punësim pa të njofshëm ose pa dhënie të ryshfetit.

Kriza ekonomike, problemet sociale, papunësia e madhe, lufta për ekzistencë apo për një jetë më të mirë ka detyruar njerëzit të shërbehen me të gjitha mjetet e mundshme për të siguruar punë, por jo vetëm kjo, është bërë trend që njerëzit të punësohen me të njofshëm ose të japin ryshfet për t’u punësuar sepse format e rregullta të punësimit nuk janë më të frytshme.

Sigurisht se një gjë e tillë mundësohet nga njerëzit që keqpërdorin pozitën e tyre zyrtare gjegjësisht besimin të cilin ua ka dhuruar shoqëria e që konsiderohet korrupsion. Kjo dukuri ka kosto të madhe dhe lë pasoja afatgjata për shoqërinë.

Shoqëria nuk mund të përparojë nëse në vend mbizotëron antivlera. Antivlera pamundëson krijim e vlerës. Nuk mund të ketë progres një vend nëse administrohet në mënyrë kundër ligjore, gjegjësisht nëse nuk ekziston shteti i së drejtës. Një shoqëri ku ka korrupsion nuk është shoqëri e shëndoshë, vlerat akademike dhe profesionale nuk mund të dalin në pah pasiqë ato gjithmonë do të pengohen nga antivlera.

Në fushën e ekonomisë korrupsioni shkakton çrregullime të shumta, në radhë të parë ato manifestohen nëpërmes çrregullimin të ekuilibrit në treg ku afaristët të cilët janë pjesë e konspiracionit, për të përfituar sa më shumë, tentojnë të fitojnë pozicionin monopol. Përveç kësaj korrupsioni largon investitorët e huaj, rrit kostot, rrit varfërinë etj. Me fjalë të tjera, në një garë jo të ndershme, të ndershmit gjithnjë do të humbin.

Është evident numri i të rinjëve të papunë të cilët sot janë të dëshpëruar nga aplikimi i kotë në konkurset që shpallen vetëm formalisht. Njerëzit e rinj, të shkolluar, me aftësi dhe shkathtësi të caktuara, ambicjet personale, profesionale zakonisht i drejtojnë kah profesionet apo organizatat e caktuara. Këta të rinj duhet të jenë bazë për një zhvillim normal. Krejt çka u nevojitet atyre është shansi për të punuar, për të dëshmuar vehten.

    Çfarë janë personat të cilët përdorin mënyrat ilegale dhe jomorale për t’u punësuar? Këta persona zakonisht janë të papërshtatshëm për punë, shpeshherë nuk kanë kualifikimet e nevojshme për punën të cilën tentojnë të marrin, nuk kanë aftësi dhe shkathtësi adekuate, nuk kanë cilësi dhe guxim për të hyrë në garë të ndershme për punë, janë formuar në mënyrë të paligjshme apo misterioze, ndërsa në punë kanë mungesë të vizionit, janë jokreativë, jofleksibilë, i ikin përgjegjësisë, i frikësohen çfarëdolloj ndryshimi etj.

    Sa është dëmi ekonomik nga korrupsioni dhe nepotizmi? Sigurisht se dëmi ekonomik nuk mund të llogaritet dhe të shprehet me një shifër të vetme dhe të saktë, por mund të paramendohet.

Dëmi ekonomik konsiston në të gjitha punët të cilat kryhen nga joprofesionistët e të cilat do të kryheshin nga profesionistët, mandej konsiston në mungesë të vizionit që është thelb i progresit, në mungesë të planeve, projekteve, sigurimit të zgjidhjeve adekuate, në mungesë të iniciativës, menaxhimit të keq, të përdorimit të resurseve në mënyrë joracionale, në vazhdim të mëtejmë të zinxhirit të korrupsionit etj.

Domethënë, dëmi shkaktohet nga mosveprimi, neglizhenca, nga malverzimet, nga padituria, nga mungesa e aftësive, mungesa e profesionalizmit të njerëzve të cilët punësohen në mënyrë ilegale etj.

Dëmin më të madh nga korrupsioni dhe nepotizmi mund të pësojë sektori publik, sektori i cili financohet nga populli, nga taksapaguesit. Ky sektor është punëdhënësi më i madh dhe më i dëshiruar pasiqë siguria e të qenurit në punë është më e madhe, prandaj konsiderohet të jetë shumë atraktiv. Këto dukuri janë të pranishme gjithashtu edhe në sektorin privat por ky sektor për keqmenaxhim eventual drejtpërdrejt ndëshkohet nga tregu.

Si pasojë e mbizotërimit të këtyre dukurive negative, cilësia dhe performancat e një shoqërie do të jenë shumë të dobëta, nuk mund të ketë efektivitet dhe efikasitet as në organizata e as në shtet pasiqë kuadrot nuk zgjedhen në bazë të kualifikimeve, aftësive dhe shkathtësive por zgjedhen me të njofshëm. Nëse nepotizmi dhe korrupsioni vazhdojnë të ekzistojnë si model nuk do të ketë as shtet të fortë, as polici të fortë, as gjyqësor të fortë, as shëndetësi të mirë, as universitete apo shkolla cilësore etj.

Ky dëm mund të parandalohet vetëm nëse kuptohet rëndësia e mbizotërimit të vlerës dhe nëse në mënyrë gjithëpërfshirëse, serioze dhe të organizuar mirë luftohet antivlera. Luftimi i këtyre fenomeneve negative në kuptim të mobilizimit të të gjitha forcave duhet të bëhet nga të gjithë akterët që nga niveli mikro deri tek ai makro, përfshirë këtu individët, organizatat, gjyqësorin, qeverinë etj.

Individët dhe organizatat definitivisht duhet të veprojnë në përputhje me normat etike dhe ligjore ndërsa shteti duhet të vë në funksion të gjithë mekanizmat ligjorë. Rolin kryesor në luftimin e këtyre dukurive negative duhet të luaj Agjencioni kundër korrupsionit por edhe të gjitha organet dhe institucionet tjera relevante me qëllim të krijimit të një shoqërie sa më të shëndoshë ku do të respektohen vlerat.

Mbi të gjitha zgjidhja e këtij problemi kërkon edhe një dozë të patriotizmit ku gjithësecili duhet të thotë: “Ky është vendi ku jetoj. Ky është vendi ku do të jetojnë apo jetojnë fëmijët e mi”.




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)