Demagogjia e institucioneve rreth rolit të shtetit në ekonominë e tregut
Shkruar nga Isa Mulaj
Nuk është tregu ai që i zgjidh problemet ekonomike të njerëzve, por njerëzit dhe shteti duhet ta rregullojnë dhe zgjidhin problemin e tregut. Kosovës i duhet vetëm një lloj tregu - ai i përgjegjësisë dhe i llogaridhënies së politikë-bërësve dhe të punësuarve nëpër institucione. Demokracia për shqiptarët është religjion dhe opium.
Në kohën kur në shumicën e vendeve të zhvilluara me ekonomi të tregut, kriza financiare detyron ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe përgjegjshme të shtetit, zyrtarët e Kosovës vazhdojnë me deklarata të papërgjegjshme rreth rolit të shtetit në ekonominë tonë. Ekspertiza e tyre është e atij niveli që përsëritë vetëm dy fjalë: ia kemi lënë tregut.
Këta, ose nuk kanë ide për rolin kritik të shtetit në ekonominë bashkëkohore, e cilësojnë shtetin si ndërmarrje private për ta plaçkitur, ose nuk duan ta pranojnë realitetin ekonomik të Kosovës dhe përgjegjësinë e tyre. Logjikisht shtrohet pyetja: Kujt i duhet këto institucione, për kë punojnë këta zyrtarë, dhe pse janë aty?
Rreziku dhe pasojat nga fundamentalizmi i një religjioni
Është vërtetuar shkencërisht dhe praktikisht, se roli më i madh i shtetit në ekonomi është më i parapëlqyer për shtetet e prapambetura ekonomikisht, për shkak të aftësisë më të madhe në mobilizimin e resurseve se nga ndërmarrjet private individualisht apo në formë grupore.
Mirëpo, pas një periudhe të gjatë qeverisjeje shtetërore në ekonomi ose komunizmit, u bë e qartë se shteti mund të jetë pengesë për përparim të mëtejmë ekonomik duke e kufizuar iniciativën private.
Të mësuar dhe duke jetuar me kufizimet shtetërore për një kohë, me rastin e shpërbërjes së komunizmit në fillim vitet 1990-ta, shumica u turrën me eufori drejt një religjioni, të cilin nobelisti Shtiglic e quan fundamentalizmi i tregut.
Radikalizmi i këtij religjioni i ka terrorizuar ekonomikisht shumicën e shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore gjatë gjysmës së parë të dekadës së fundit të shekullit 20-të. Ata kishin një bindje naive për rolin kritik që e ka shteti në ekonominë e tregut në përcaktimin, fuqizimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e rregullave të lojës.
Euforia fillestare se liria e tregut vetvetiu do ti zgjidh problemet ekonomike dhe sjell mirëqenie më të mirë për qytetarët, shumë shpejtë rezultoi në rënien e standardit jetësorë dhe trauma socio-ekonomike për shumicën e popullsisë, që as pesimistët më të mëdhenj komunistë nuk i kishin imagjinuar.
Nuk është tregu ai që i zgjidh problemet ekonomike të njerëzve, por njerëzit dhe shteti duhet ta rregullojnë dhe zgjidhin problemin e tregut.
Nga diktatura e proletariatit, te opiumi për popullin - demokracia
Disa vende, si për shembull Kosova, ende janë nën ndikimin e demagogjisë dhe fundamentalizmin e dokrrave për demokraci dhe ekonomi të tregut.
Këtu ende nuk ka filluar as transicioni politik, e aq më pak ai për në ekonominë e tregut. Kosova ka një sistem politik të nëntokës dhe një ekonomi që është tepër larg asaj normale të tregut.
Disa mendojnë dhe guxojnë ta quajnë sistemin politik si demokraci vetëm pse ka dhjetëra parti politike me ngjyrime të shpifura, shumica me fasadën demokratike.
E tërë demokracia kosovare prej votuesit më të thjeshtë e deri në Kuvend, merr fund si matrapazllëk i mafiozëve kur jo vetëm vendimet për shtetin, por edhe në zgjedhjen e përfaqësuesve kryesorë duke përfshirë kryetarin e shtetit, e bëjnë edhe ata për të cilët elektorati nuk ka dëgjuar kurrë, me metoda shumë të thjeshta me SMS.
Ja pra, kjo është demokracia që po e kapërdijnë qytetarët. Shumë më e zezë se komunizmi, apo jo? Cilët pesimistë komunist e kanë paraparë këtë degradim aq të tmerrshëm politik në demokracinë kosovare? Asnjë.
Në vend të industrisë së rëndë gjatë komunizmit si prioritet i zhvillimit, në demokraci zhvillohet industria e vjedhjes dhe keqpërdorimit të votave (në bazë të asaj që u cilësua si vjedhje në shkallë industriale), me prioritet që graviton rreth industrisë më të zhvilluar në Kosovë asaj të rrenave, mashtrimeve, dhe shpëlarjes së trurit.
(Pu)shteti privat në sektorit joformal
Edhe më keq se në politikë qëndron ideologjia e demokracisë kosovare për ekonominë e tregut. Në secilin institucion e hasni këtë. Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila kurrsesi nuk duhet të quhet e tillë për shkak të mungesës së funksioneve më elementare që i kryejnë bankat e ngjashme në ekonomitë e tregut, thotë se çështjen e kredive dhe normat e kamatës ia ka lënë tregut.
Kështu nuk mendojnë dhe veprojnë bankat qendrore në shtetet ku ekonomia e tregut është më funksionale se në Kosovë. Atje po ndodh intervenimi masiv i shtetit në ekonomi me të ashtuquajturat pako shpëtuese dhe stimuluese.
Politikat ekonomike të rregullimit, të cilat BQK as që dëshiron ti diskutoj, nuk e kryenin punën e duhur në ekonomitë e mirëfillta të tregut, prandaj kërkohej intervenimi i drejtpërdrejtë i shtetit.
Aq larg kanë shkuar propozimet për rolin e shtetit në ekonomitë e zhvilluara të tregut, sa që disa ekonomistë propozojnë ndërhyrje të atilla për ta shpëtuar Perëndimin, e jo vetëm ekonomitë e tij.
Qëndrimi zyrtar rreth politikës monetare dhe kreditore në Kosovë mbetet i pandryshuar por i gabuar. Ia kanë lënë tregut.
Ky lloj tregu kauboj me pjesëmarrje më të lartë në Evropë të sektorit joformal dhe kontrabandës në raport me ekonominë nacionale, vazhdon ta bëjë të veten, e të cilin më së shumti e udhëheqin zyrtarët e institucioneve të Kosovës.
Ata që përnjëmend janë të përkushtuar ta luftojnë kontrabandën, pavarësisht se kush qëndron prapa saj, mund të humbin edhe jetën jo nga personat privatë, por detyrohen të bëjnë vetëvrasje nga pushteti sikur pjesëtari i Policisë Kufitare në pikë kalimin me Malin e Zi, Luan Ademaj, më 13 shkurt 2011. Këtë vetëvrasje Policia e Kosovës është munduar ta fsheh ose ta shtrembëroj shkakun.
Dyshohet se vetëvrasja ishte e lidhur me konfiskimin e 28 tonëve mish nga India. Polici ka lënë një dëshmi sqaruese me shkrim, duke përfshirë edhe emrat e atyre që e kanë kërcënuar.
Nuk po i përmendim edhe emrat e policëve të vrarë më herët rreth kësaj çështje (kontrabandës dhe sektorit joformal), por mjafton të jemi pak në dijeni se bërthama kryesore e ekonomisë ilegale është shteti dhe shumë njerëz nëpër institucionet e tij, në vend se të ishte krejtësisht e kundërta sikur në shtetet normale me ekonomi të tregut.
Këta turren për ta luftuar pjesërisht dhe në mënyrë selektive sektorin joformal duke i gjobitur vetëm bizneset që nuk janë të tyre, ose nga të cilat nuk përfitojnë dy herë, sepse njëherë përfitojnë pa meritë duke i marrë rrogat nëpër institucione.
Situata e këtij sektori dhe e kauboj tregut ka filluar të bëhet më dramatike kohëve të fundit pas rritjes astronomike të çmimeve të artikujve elementarë ushqimorë (buka, vaji, sheqeri).
Përkundër kësaj, demagogjia dhe papërgjegjësia institucionale përsërit broçkullat e njëjta për ekonominë e hapur dhe tregun e lirë.
Nëse brenda muajve ndodhin ndryshime dhe çrregullime të mëdha ekonomike dhe në ecurinë e çmimeve, në qasjen ndaj politikave ekonomike nuk ndryshon asgjë për vite të tëra.
Kështu për shembull, Selim Thaçi nga njësia makroekonomike e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, në një prononcim për RTK-në më 27 shkurt 2011, pyetjes së këtij televizioni publik rreth ngritjes së befasishme të çmimeve dhe kompetencave të institucionit ku ai punon për ndonjë masë, i përgjigjet:
Ne jemi përcaktuar për një ekonomi të hapur dhe të tregut të lirë, dhe nuk mund të ndërhyjmë në çmime.
Përcaktimi është dukuri abstrakte, ndërsa ajo që ndodh me ekonominë dhe çmimet, janë gjëra konkrete. Sigurisht, konsumatorët nuk do ta pëlqenin përcaktimin e tillë deklarativ nëse brenda disa muajve çmimet shtrenjtohen me normë dyshifrore të përqindjes.
Rritja e çmimeve si domosdoshmëri e tregut, apo edhe e jo kompetencës së institucioneve kosovare të tregut?
Janë disa faktorë paraprak dhe të tanishëm që kanë ndikuar në kërcimet e papritura të çmimeve, ndaj të cilave institucionet dhe zyrtarët e Kosovës kanë qenë neglizhues, që do të thotë se deri-diku edhe shkaktarë.
E para, nuk është reaguar me kohë ndaj çmimeve \"dumping\", ose atyre mallrave nga importi që shiteshin më lirë se që kushtojnë për t\'i prodhuar në vendet e origjinës. Shumë bujq kosovarë kanë ardhur në përfundim, se nuk ia vlen të merren me kultivimin e shumë produkteve kur shpenzimet e prodhimit ishin më të larta se çmimi i atyre produkteve në treg.
Pas një kohe, kur kanë dalë jashtë loje shumica e bizneseve kosovare në këtë sektor, produktet e eksportuesve shiten me çmime më të shtrenjta ose ato që i hasim sot, dhe kështu ata ia nxjerrin yndyrën humbjeve të mëparshme nga çmimet damping.
E dyta, nuk ka ofertë të mjaftueshme kur tregtinë dhe prodhimin e kontrollojnë disa biznese të caktuara, dhe ato mund ti imponojnë çmimet. Oferta e pamjaftueshme nuk lidhet me sasinë e një malli në treg, por me numrin e ofertuesve ose shitësve të ndryshëm.
E treta, nuk ka subvencione për shume produkte bujqësore dhe të agrobiznesit, me çka ngulfatet prodhimin vendor përballë produkteve të importit që subvencionohen.
Këtu bien poshtë dokrrat e institucioneve dhe zyrtarëve kosovarë për ekonomi të hapur dhe të tregut të lirë, dhe mos ndërhyrje në politikën e çmimeve. Të gjitha vendet e Evropës dhe ato që eksportojnë në Kosovë, janë ekonomi më shumë të tregut se Kosova, me të vetmin fakt nuk ia kanë lënë çdo gjë tregut.
E katërta, disa prodhues të mirëfilltë të specave dhe patateve në Kosovë detyrohen ti hedhin produktet e tyre në Dri të Bardhë sepse për to nuk ka treg, dhe kjo ndodh vetëm pse institucionet e Kosovës ia kanë lë çdo gjë tregut.
Rritja kaq e madhe e çmimeve dhe shkatërrimi i ekonomisë, më tepër pasoje e mos veprimit të shume mekanizmave nga institucionet e Kosovës. Kuptohet se rritje çmimesh ka edhe në shtetet tjera, por atje ka mekanizma shtetëror të kontrollit për parandalimin e kaosit të çmimeve sikur këtu.
Për fund, Kosovës i duhet vetëm një lloj tregu - ai i përgjegjësisë dhe i llogaridhënies së politikë-bërësve dhe të punësuarve nëpër institucione. Pikërisht, vetëm këtu çdo gjë duhet tia lëmë tregut, ashtu që vrasjet dhe vetëvrasjet e policëve në pikat kufitare të zëvendësohen dhe zhvendosen atje ku është burimi i problemeve të papërgjegjshmit e politikave ekonomike.
(Autori është kryetar i Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike (INEPRA))