24 Dhjetor 2024

Defunksionalizimi i UNMIK si strategji dalëse nga Kosova

Shkruar nga Adem Beha


Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovë në shkurt të vitit 2008, misioni i UNMIK-ut në Kosovë nuk është më i njëjtë me atë që ka qenë përgjatë dhjetë viteve të kaluara.

Raportet tre mujore të Sekretarit të Përgjithshëm mbi misionin e UNMIK në Kosovë evidentojnë se prioritet e UNMIK-ut kanë ndryshuar me ndryshimin e situatës në Kosovë, kurse qëllimi strategjik mbetet ‘promovimi i sigurisë, stabiliteti dhe respektimi i të drejtave të njeriut në Kosovë dhe rajon’.

Që nga viti 1999, Misioni i UNMIK-ut në Kosovë – bazuar në Rezolutën 1244 të KS, ka aplikuar katër politika në Kosovë. Së pari, ‘politika e garantimi të paqes negative’ (1999

– 2002), e që ka qenë restaurimi i rendit dhe ligjit në Kosovë.

Së dyti, politika e ‘kushtetutës pa shtet’ (2002 – 2003), që ka nënkuptuar krijimin e institucioneve autonome vete-qeverisëse në Kosovë dhe, së treti, ‘politika e kushtëzimit’, nëpërmjet ‘standardeve para statusit’ (2003 – 2007) dhe transferit gradual të kompetencave nga PSSP në institutcionet lokale, e që ka nënkuptuar realisht vendosjen e qartësisë mbi statusin final të Kosovës.

 Momentalisht, UNMIK-u ndjek ‘politikën e mosnjohjes’ (2008 – 2013), e që nënkupton se fakti i shpalljes së pavarësisë nuk është i njohur për këtë mision ndërkombëtar.

Këto fakte tashmë dihen. Siç dihet edhe fakti se, derisa në njërën anë, misioni i UNMIK - gjithnjë sipas Rezolutës 1244 të KS – kishte për qëllim të krijoj institucione autonome vetë-qeverisëse në Kosovë, në anën tjetër, bazuar në po të njëjtin dokument, garantonte pandashmërinë e sovranitetit të Republikës Federale të Jugosllavisë – një kontradiktë kjo në vetvete e patejkaluar.

Nëse perifrazohet Timonthy Gardon Ash, UNMIK-u kishte objektiva të ‘pa-arritshme’: objektivat e UNMIK-ut ishin ruajtja e virgjërisë dhe amësisë njëkohësisht.

Për nga definicioni, nëna nuk mund të jetë e virgjër, (me përjashtim kur ato kanë një mision mesianik, si në rastin e Marisë në tekstin biblik), sikurse sovraniteti i Jugoslavisë nuk mund të konsiderohej i paprekshëm dhe i virgjër njëkohësisht me ndërhyrjen e ‘fortë’ të administrimit civil dhe ushtarak në vitin 1999 në Kosovë.

Këtë kontradiktë të virigjinitetit dhe ‘amësisë’ e heton poashtu Micheal Ignatieff, i cili përkitazi me këtë Rezolutën 1244 thotë se ky dokument është ‘fiksion shkencor politik’ – pra fiksion dhe shkencë njëkohësisht.

 Megjithatë, ka një pajtueshmëri të konsoliduar në mesin e shkencëtarëve dhe fiksionarëve se shkenca nuk është fiksion, sikurse që nuk është as fiksioni shkencë.

Një pajtueshmëri e tillë ekzistonte edhe rreth misionit të UNMIK-ut në Kosovë, se prezenca e tij në Kosovë përjashtonte faktikisht sovranitetin e Jugosllavisë mbi Kosovën. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ishte e artikuluar qartësishtë nga vetë UNMIK-u.

Nuk njihet ndonjë mision tjetër ndërkombëtar paqendërtues që të jetë shoqëruar kaq shumë me kontradikta të brendshme, qëllime të padefinuara dhe pushtet të pakufizuar në librat shkollor të administrimit ndërkombëtar. Së këndejmi, nëse UNMIK e krahasojmë me misione të tjera paqendërtuese si ai i UNTAET në Timorin Lindor, misionit të UNMIK i mungonte si qartësia ashtu edhe strategjia dalëse nga Kosova.

Simon Chesterman, një prej hulumtuesëve më të zellshëm në fushën e shtetndërtimit dhe paqendërtimit ndërkombëtar, thekson se njëri prej elementeve kyqe për efikasitetin e një administrimi tranzitor është parasegjithash ekzistenca e qartësisë politike. Për fat të keq të shumicën së popullësisë në Kosovë, UNMIK nuk garantonte qartësi rreth statusit të ardhshëm të Kosovës.

Siç thotë Chesterman: ‘Në Kosovë, dështimi për të artikuluar një pozicion karshi statusit final ka pamundësuar zhvillimin e një elite politike të pjekur’ dhe krijmin e institucioneve të fuqishme. Me fjalë të tjera, në Kosovë

5
institucionet ishin krijuar për të qenë të pafuqishme për shkak se këto institucione nuk ushtronin kompetenca për të cilat ishin krijuar, dhe për shkak të mungesës së balancit të pushtetit mes institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare.

Kjo politikë e tejzgjatjes së hapjes së statusit dhe qartësimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës kishte krijuar politikën e ‘strategjisë pa strategji’ të UNMIK-ut ‘Ska dalje nga Kosova pa një strategji’. UNMIK-u nuk kishte, sikurse nuk ka as tani një strategji dalëse. Shpallja e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 e përmbysi mantrën kryesore të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë nga ‘nuk ka dalje pa një strategji’ në atë se ‘nuk ka strategji pa dalje’.

Ndonëse misioni i UNMIK-ut është reduktuar në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë, prezenca e këtij misioni përmes Rezoultës 1244 dëmton identitetin juridik ndërkombëtar të Kosovës, dhe krijon përshtypjen se ende problemi i Kosovës nuk është i zgjidhur një herë e përgjithmonë.

Komuniteti serb në Kosovë, i cili përgjatë një dekade të administrimit në Kosovë, kishte refuzuar bashkëpunimin me UNMIK-un që të zbatonte Rezolutën 1244 në terren, me shpalljen e pavarësisë së Kosovë, po i njëti komunitet, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës, tashmë legjitimon dhe përkrah këtë mision, për shkak se ky mision nuk e pranon faktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, njëjtë sikurse komuniteti serb në pjesën veriore të Kosovës.

Janë katër role që UNMIK-u luan sot në Kosovë. Së pari, UNMIK ofron ‘shërbime të buta’ komunikuese mes serbëve dhe shqiptarëve në veri të Kosovës. Së dyti, UNMIK ndërmjetëson komunikimin mes institucioneve paralele serbe në veri dhe EULEX-it, për shkak se kryetarët e komunave paralele serbe nuk e pranojnë prezencën e EULEX në veri.

Së treti, UNMIK-u ndërmjetëson komunikimin mes institucioneve paralele serbe në veri dhe shtetit të Kosovës, të cilin ata nuk e pranojnë. Së katëri, UNMIK përfaqëson Kosovën në forume rajonale dhe ndërkombëtare, të cilat forume dhe organizata nuk e kanë njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

Nën dritën e implementimit të ‘marrëveshjes’ për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, që parasheh krijimin e kushteve për normalizimin e jetës institucionale në komunat veriore të Kosovës, do të duhej shikuar edhe mundësitë potenciale të ‘daljes së UNMIK’ nga Kosova.

Dy punë mbeten për tu bërë. Së pari. Përmbushja e funksioneve dhe roleve të UNMIK-ut në pjesën veriore të Kosovës nga institucionet e shtetit të Kosovës, organizimi i zgjedhjeve dhe shuarja e strukturave paralele, vendosja e plotë e prezencës së EULEX-it në veri të Kosovës, dhe forcimi i sundimit të ligjit dhe rendit në atë pjesë, pa lënë anash një diplomaci të fokusuar në 5 shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, do të krijonte mundësi më të mëdha për ‘përfundimin’ e misionit të UNMIK-ut në Kosovë ose në zvogëlimin e këtij misioni, duke ja marrë një nga një funksionet, deri më mosekzistencë.

Së dyti, institucionet e Kosovës duhet të punojnë fuqishëm me aktorët ndërkombëtar, sidomos me Gjermaninë (marrë këtu për bazë edhe marrëdhëniet e mira që gëzon Gjermania me Rusinë) dhe SHBA-të, Britaninë e Madhe etj., për të sponzorizuar një rezolutë të re në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përmes së cilit do të përfundohej misioni i UNMIK-ut në Kosovë për një periudhë 2 vjeçare.

Eschenach thotë se ‘njeriu mëson kur është i ri dhe kupton kur plaket’. Besoj se institucionet dhe lidershipi jonë kanë mësuar mjaftueshëm gjatë tremëdhjetëviteve të prezencës ndërkombëtare në Kosovë për të kuptuar se ato ende nuk janë ‘zot shtëpie në Kosovë’.

E kjo do të thotë se ata duhet: ‘Me punu si n’shpi t’vet. Me prezencën e UNMIK-ut në Kosovë, shpija e Kosovës nuk ka vetëm një zot shpije. Këtë të paktën duhet ta kuptojmë. Në të kundërtën, ‘përkohëshmëria’ e UNMIK-ut në Kosovë do të zgjasë ‘pakufi’.

/Autori është Drejtor i Programeve në Institutin Kosovar të Paqes. Prezentim i mbajtur në tryezën ‘UNMIK-u: 1999 - ? skenarët dalës’, organizuar nga Instituti Kosovar i Paqes, 29 prill 2013/




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)