Constitutio Habita
Shkruar nga Vehbi Miftari
Çfarë po ndodh me universitetin? A është i vetëdijshëm ish-rektori Gashi dhe ata që e mbanin përdhunshëm aty se e kanë lënduar së skajshmi besimin qytetar në demokracinë shqiptare? Pse duhet që të rimerret shembulli i Frederiko Barbarosës, i shekullit XII?
Në romanin e tij, Baudolinoja, rrëfimtari i shkëlqyer i shekullit XX, Umberto Eko rrëfente për një bisedë të cilën perandori Frederiko Barbarosa e zhvilloi me këshilltarët e tij një natë të errët sterrë, kur nuk po gjente dot zgjidhje për kryelartësinë me të cilën qytetet italiane të veriut refuzonin ti nënshtroheshin atij. Këtë nënshtrim ai mund ta siguronte vetëm po ta kërkonte bekimin e papës. Por, nëse do ta pranonte këtë bekim, bashkë me të do ta pranonte edhe fuqinë vendimmarëse të papës mbi të.
Ku dreqin ta gjej dikë që mund ti përkufizojë të drejtat e mia pa pretenduar të qëndrojë mbi mua? Nuk ekziston në botë-thoshte ai.
Ndoshta nuk ekziston një fuqi e tillë, - i kishte thënë atëherë Baudolinoja, - por ekziston dija
Bëje një ligj ku të njohësh të drejtën që maestrot e Bolonjës të jenë vërtet të pavarur nga çdo pushtet.
Barbarosa bëri çbëri dhe e shpalli Constitutio Habita-n e tij, me të cilën ia njihte autonominë dijes bolonjeze. Ky akt i një të pushtetshmi mbi tokë mbase është rruga e vetme të cilën duhet ndjekur për ta shpëtuar dijen në Kosovë nga katandisja. Ai na jep një mori mundësish për reflektim:
1. Dija është e pavarur nga politika
Shumëkush tashmë e pranon botërisht se universiteti është i ndikuar politikisht. Aty, thonë ata, dija i është nënshtruar pseudodijes, ndërsa vendimmarja akademike urdhëresave parapolitike (nuk them dot se vijnë vetëm nga politika urdhërat për rekrutim stafi, për rehabilitim militantësh partiakë, për ngjallje të apetiteve akademike atyre të cilët do tu duhej të merreshin me profesione të tjera, të cilat i njohin shumë më mirë dhe të cilave do të mund tu dilnin zot etj.).
Universitetet gjatë historisë shpesh herë janë trajtuar si instrumente jolegale në duar të atyre që spara marrin vesh shuimë nga akademizmi. Constitutio Habita është i domosdoshëm që ta largojë parapolitikën dhe politikën nga vendimmarja akademike, që stafi të përzgjedhet në bazë të kritereve akademike e jo fisnore, që numri i studentëve të regjistruar të jetë sa është i përcaktuar dhe jo i trefishuar për shkak të miqësive me vendimmarrësit politikë; që nëse shtohet lista e të pranuarve ajo të jetë e arsyetuar akademikisht dhe për të të nxirret vendim i veçantë i përgjegjësve universitarë; që të pranuarit të jenë nga lista e pritjes dhe jo nga ata që mbase as nuk e kanë marrë mundin që të konkurronin; që ligjëratat të mos i mbajnë personat e tretë, që profesorët të jenë të përgjegjshëm për detyrimet e tyre ndaj sudentëve etj.
Një burrështetas a qeveritar, i cili do të ishte i përgjegjshëm në vendimmarrjen politike, do të provonte ta ruante autoritetin e tij duke ua siguruar autonominë institucioneve dhe ju duke ua shkelur atë; duke ua prerë rrugët e ndikimit mbi këto institucione sidomos dishepujve të tij; si dhe duke krijuar ambient në të cilin elitat do të ishin të lira të gjykonin lirshëm për këdo e për çfarëdo çështjeje, pa qenë të frikësuar se do ti prekte në shpatull dora e pushtetit.
2. Njerëzit në universitet nuk gjykohen për përkatësinë politike, por për dijen akademike
Paramendojeni situatën kur ju jeni një i punësuar (mësimdhënës) në njërin nga këtio dy universitete dhe keni gjykime që nuk përkojnë me gjykimin e shefave (të cilët vetëm rrallë janë rektorët). Si njeri akademik ju vlerësoni se gjykmi i lirë ose gjykimi kritik është parim thelbësor akademik, por zgjoheni një mëngjes të bardhë dhe e shihni se bota është përmbysur përmbi ju, duke jua zënë frymën.
Nëse kjo nuk ka ndodhur, janë dy arsye: ju kanë trajtuar si të krisur, por e presin rastin që tju largojnë heshtur, ose në ndërkohë ju jeni shndërruar pahetueshëm në konformistë dhe nuk u besoni më as vetë gjykimeve të cilat do të dëshironit ti shprehnit.
Constitutio Habita do tju siguronte se gjykimi juaj do të respektohej, se institucionet kanë nevojë për shumësi idesh e vlerash, se në vend të gozhdimit në kryq duhet tju tëhrrasin dhe tju kërkojnë që të hulumtoni më tej, në mënyrë që institucioni, por sidomos opinioni publik, të mund të përfitojë.
Ju mund të jeni shndërruar tashmë në konformistë (ngase e dini se dora e pushtetit ju arrin kurdo qoftë), ose e keni shprehur gjykimin tuaj dhe po luteni që, sikur ngjiste në kohët e shkuara, gijotina të mund të ishte e prishur dhe që ju të keni mundësi të qëndroni në universitet ende.
A mund ta shprehë njeriu gjykimin e tij akademik (të pavarur) në këtë vend dhe të trajtohet si gjykim i cili, sado që mund të mos na pëlqejë, duhet të trajtohet dhe sojesh të nxirren përfitimie? Jo, pa e pasur guximin që vendimmarjen politike ta trajtoni si jashtakademike.
3. Perandoria e vërtetë nuk janë mandatet politike, por jetëgjatësia e ideve
Ata që qeverisin me universitetet duhet ta dinë se jetëgjatësia e institucioneve duhet të sigurohet përtej mandateve politike dhe se ajo është e siguruar tashmë nëse është ndërtuar së brendshmi kultura akademike e cila promovon dijen. Akademikët nuk mund të gozhdohen në kryq për shkak të gjykimeve të tyre, ngase ato janë mjeti i vetëm i tyre. Pra, çfarë mund të mësojnë politikanët e sotëm nga Constitutio Habita e Barbarosës?
Pikë së pari, se fuqia e pushtetit duhet të përdoret në të mirë të të gjithë qytetarëve e jo të kastave politke. Universiteti është univers i dijes dhe jo univers i mundësive për një kategori të caktuar njerëzish, të cilët u kanë rënë kaherë mohit dijeve.
Së dyti, të qenit në pushtet ta krijon domosdoshmërisht iluzionin e të pasurit fuqi. Por, politikanët e mirë (dhe jo ata të mjerët) e kuptojnë se kjo fuqi nuk është e tyre, por e atyre të cilët mund ti përfaqësojnë.
Ata duhet ta mbajnë ndëremnd se po u përdor fuqia si duhet mund ti japë jetëgjatësi autoritetit të tij, por po u përdor sikur nuk duhet (duke e zaptuar universitetin, në rastin tonë) jo vetëm do tia shlyejë mundësinë e ndërtimit të çfarëdo autoriteti, por do ta kthejë në siluetë të zbehtë të pushtetit.
Së treti, ndonjëherë vendimet politike mund të jenë të drejta vetëm nëse ju e keni vënë veten në sekëlldi. Një qveritar i mirë do ta derdhte gjithë mundin që, qoftë edhe duke e vënë veten në sekëlldi të paskajë, ta çlironte universitetin nga damka që e ka pllakosur.
Së katërti, opinioni publik është më i rëndësishëm se tendenca për ta refuzuar atë qëllimshëm. Rektori Gashi mund të jetë viktimë ose shkas i aferës së fundit, por ata që e mbanin deri dje përdhunshëm aty duhet ta dijnë se perceptimi i studentëve dhe i stafit akademik, i qytetarëve dhe i atyre që brengosen për fatin e dijes është i tillë që nuk u lë perspektivë aty.
Ata që e mbajnë ende në agoni universitetin nuk mund të kërkojnë që njerëzit akademikë ti gjykojnë për idetë, mendimet e tyre, ngase ato janë mjeti i vetëm i tyre.
Këshilla e vetme e Barbarosës do të ishte: Nëse dëshironi të nisni çfarëdo beteje me akademikë të vërtetë, lutuni që ata të mos jenë shndërruar tashmë në konformistët tuaj, sepse më vonë do të keni nevojë për gjykimin e pavarur, jokonformist, të tyre.