22 Dhjetor 2024

Çmimi i bukës dhe mekanizmat e tregut

Shkruan: Adil Behramaj

Rritja e çmimeve të produkteve bujqësore është një realitet me të cilin përballemi çdo ditë e më shumë dhe për një vend si Kosova, ku varfëria është shumëdimensionale dhe mjaft e përhapur, rritja e çmimeve të ushqimeve bazë ndikon në uljen e standardit jetësor dhe redukton akoma më shumë fuqinë blerëse. 


Secili vend, sipas mundësive dhe pozitës së tij harton politika e strategji në përpjekje për të përballuar krizat eventuale dhe mbi të gjitha për të gjetur rrugëzgjidhjet më efektive kundrejt tendencave të reja të çmimeve. 


Ngritja e çmimit të grurit dhe nënprodukteve të tij, përgjatë këtyre javëve është përcjellur me shqetësime të shumta, interpretime të llojeve të ndryshme, pastaj mohime pune dhe adresim kritikash se gjoja Ministria e Bujqësisë nuk i ka subvencionuar dhe nuk i ka mbështetur aspak fermerët, etj. Sikundër, faktet kryeneçe flasin shumë më ndryshe. 


Aktualisht vendi ynë mbjellë çdo vit rreth 70 mijë hektarë grurë dhe kjo sipërfaqe prodhon mesatarisht rreth 220 mijë tonë. Me qëllim të stimulimit të fermerëve për të rritur sipërfaqen e mbjellur dhe rritur prodhimtarinë e grurit në këtë vit, Ministria e Bujqësisë ka subvencionuar me 2.1 milionë euro këto të mbjellura dhe nëpërmjet politikave të saj, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ka mundësuar që shumica e inputeve si farërat për mbjellje, pesticidet, plehërat dhe pajisjet bujqësore të cilat përdoren për kultivimin e kulturave bujqësore, të lirohen nga tarifat doganore dhe TVSH-ja me qëllim të uljes së kostos prodhuese të fermerëve. 


Po ashtu, për ta përcjellur procesin e prodhimtarisë së grurit në tërësi, për fushatën e korrje-shirjeve janë ndarë 500.000€ në mbështetje të drejtpërdrejtë për pronarët e autokombajnave me qëllim që çmimi i korrje-shirjeve të grurit të jetë më i lirë dhe unik në tërë territorin e vendit. E gjithë kjo mbase mbështetje jo në nivelin e duhur, por megjithatë është vlerësuar lartë nga fermerët dhe do duhej të vlerësohej nga të gjithë. 


Ministria e Bujqësisë luan rol të rëndësishëm në prodhimtarinë bujqësore nëpërmjet projekteve zhvillimore dhe politikave strategjike të saj për mbështetjen e ekonomive agrare, projekte të cilat i ka realizuar dhe është duke i realizuar, por duhet pasur të qartë që kjo nuk bënë politika fiskale apo tregtare ngase këto u përkasin dikastereve të tjera. Si rrjedhojë, rendimenti i arritur edhe përkundër që të mbjellurat e sivjetme kanë pësuar dëme nga faktorë konjukturorë meteorologjikë përgjatë fazave të ndryshme të zhvillimit, nuk ndryshon pothuajse aspak nga viti 2009 dhe nga mesatarja e viteve të kaluara.


Rëndësia e qëndrueshmërisë së çmimeve

Në raste kur ndodhin ndryshime të shpejta të çmimeve dhe sidomos kur ato janë të pabalancuara dhe të paparashikuara, ndryshojnë raportet midis vlerave ekonomike dhe çrregullohen lidhjet e ndërsjella në mes fuqisë blerëse në njërën anë dhe fuqisë shitëse në anën tjetër. Por nëse merret parasysh fakti që në të shumtën e rasteve, kurba e kërkesës për produkte ushqimore nuk është elastike, atëherë nënkuptohet se ngritja eventuale e çmimeve ndikon drejtpërdrejtë në standardin e jetesës së qytetarit.

Koncepti i çmimeve të qëndrueshme është i ndryshëm nga koncepti i çmimeve fikse dhe mekanizmi i tregut është i papajtueshëm me çmimet fikse, ai kërkon luhatjen e lirë të çmimeve në treg. Në këtë kuptim, objektivi i qëndrueshmërisë së çmimeve kërkon jo fiksimin e tyre në nivele të caktuara dhe të pandryshueshme, por thjesht pengimin e rritjeve apo uljeve të mëdha e të shpejta të tyre (është fjala për nivelin e përgjithshëm të çmimeve).

Shprehur me fjalë të tjera, koncepti i çmimeve të qëndrueshme drejtohet kundër inflacionit të lartë dhe për këtë të fundit, një mori e rëndësishme diskutimesh është nëse inflacioni vjen nga luhatjet në kërkesë apo nga rritja e shpenzimeve, ndonëse indikatorë janë që të dyja. Së këtejmi lindin tensione që shoqërohen me panikë, ngase edhe me vet punën tonë pasqyrojmë variacione të fuqisë së tregut përderisa shesim çdo ditë diçka nga vetja në këmbim të diçkaje tjetër, kjo nënkupton që edhe ne i nënshtrohemi mekanizmave të tregut.

Kosova është nënshkruese e marrëveshjes për tregti të lirë dhe konkurrenca që rrjedhë nga kjo siguron një prirje të qenësishme të përshtatjes së ndërsjelltë midis ofertës dhe kërkesës nëpërmjet çmimit ekuilibrues, i cili, nëse të gjithë pjesëmarrësit veprojnë në mënyrë racionale, ngrihet dhe ulet sipas rrallësisë së mallit dhe efikasitetit konkurrues me të cilin ofrohet nga prodhuesit dhe blihet nga konsumatorët.

Në këtë mënyrë sistemi i tregut paraqitet si demokratik në thelbin e vet, prandaj në ekonomitë e tregut pjesa më e madhe e veprimtarive të prodhimit, shpërndarjes dhe këmbimit, drejtohen nga individ ose kompani private dhe jo nga shteti.

Arsyet e lëvizjeve të çmimit në nënproduktet e grurit mund të vlerësohet në mënyra të ndryshme, por pasi që vendi ynë është importues i madh i shumicës së produkteve dhe nënprodukteve bujqësore, lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare të origjinës së produkteve që importohen ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në lëvizjet e çmimeve në tregun tonë.

Pra, zvogëlimi i ofertës në nivel botëror ka ndikuar në rritjen e çmimit të bukës dhe kjo, si pasojë e tregtarëve të pandershëm të cilët në fillim i shfrytëzuan këto çrregullime, u reflektua edhe tek ne shumë më shpejt sesa që ekziston në të vërtetë.

Më tej, variacionizmi i gjuhës dhe interpretimi sipas tekave përkitazi me problemin apo edhe tipizimi i qëllimeve përgjatë parashtrimit të kritikave është tejet iracional. Disproporcioni në mes të kërkesave dhe nevojave në të gjitha hallkat zinxhirore të shoqërisë kosovare nuk mund të sjellë ndryshime në të mirë të një balancimi të ecurive dhe lëvizjeve zhvillimore, përderisa na mungojnë disa faktorë bazë.

Në ekonomi, i tërë zhvillimi i industrisë dhe transformimi i bujqësisë nga ajo ekstensive në prodhuese është përshkruar me zhvillimin dhe transformimin e mentalitetit dhe sjelljes së individëve, prandaj ndryshime në të mirë të një procesi rezultativ, mund të priten vetëm nëse ngritet vetëdija dhe kultura e punës në të gjitha nivelet.

Kjo varësi shumë e lartë e vendit nga tregjet ndërkombëtare mund të eliminohet vetëm duke i ristrukturuar tregjet lokale dhe ndryshuar mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit në fushën e zhvillimit të bujqësisë.

Është inkopatibile të ankohemi se kemi pak hapësirë veprimi përderisa rreth 10% e tokës pjellore është djerrinë. Përkrahja nuk mungon, por një fakt i pamohueshëm është se bujqësia po shihet si një mënyrë jetese tanimë demode për shumëkënd dhe apologjia është e tepërt në këtë mes!

Autori është zyrtar i lartë për informim në MBPZHR.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)