Çka po ndodhë në lindje, revolucion, reforma sociale apo radikalizëm islamik?
Shkruar nga Prof. Dr. Fadil Maloku
Shartimi i demokracisë. Fundshekulli ynë siç e dimë të gjithë ishte periudhë e ndryshimeve të mëdha në gjithë botën edhe me vetë faktin se zhvillohej një revolucion i përgjithshëm kundër fantazmës së komunizmit dhe platformës obskurante të luftës së ftohët, të cilat njerëzimit i sollën; mjerim, skamje, luftëra të pakuptimta, dhe varfëri morale e materiale, që të mbushnin mendjen se është fjala për një fund të paparë të historisë, apo siç do të shprehej Frensis Fukajama figurativisht ; pikë kulmore të evolucionit ideologjik dhe universalizmit të demokracisë liberale perëndimore.
Ç është interesant një vlerësim i ngjashëm, do të thoshim fatalist përkitazi me ndryshimet e mundshme dhe pasojat që do të sillnin ato me vete në sistemet e Evropës, prejudikohej edhe gjatë luftës së parë botërore.
Bile atëbotë, ai vlerësim atëherë konsiderohej si luftë e fundit, luftë kundër të gjitha luftërave tjera të mëparshme që zhvillohej me motive të zgjerimit të demokracisë.
Por ç ngjau?
Nuk ndodhi as fundi e as fillimi i fundit të sipër përmendur; demokracia, si alternativë modeste e ndërtimit të raporteve mes njerëzve, nuk u vendos!
Në vend të sajë nëpër Evropë me gjuhën e dhunës u amputuan përbindëshat e komunizmit (1917) dhe fashizmit (1939).
Lufta e dytë botërore, poashtu, nga historianët do të mbahet në mend me tensionimet dhe kërcënimet globale që si pasojë e lindën luftën e ftohët.
Siç po vërehet prognozimi Fukajamist, mbi pikën kulmore të evolucioni ideologjik
, nuk ndodhi!
Në vend të tij, nëpër vendet e ndryshme të botës u zhvilluan alternativa dhe pandame të reja të mbijetimit të njerëzve dhe shoqërive.
Tani në fillim të mileniumit të tretë, kur nga shtete perëndimore është ndërmarr edhe një ofensivë, jo vetëm ideologjike por edhe ushtarake si në rastin e Bosnjës dhe Kosovës, Afganistanit, Irakut, problemi i instalimit gjithëpërfshirës të modelit demokratik u bë detyrë shtëpie e shumë qeverive botërore.
Por tani ky instalim apo përpjekje për të shartuar demokracinë nëpër këto vende sikur po kontestohet dhe problematizohet me faktin se demokracia më nuk po mundet të eksportohet aq lehtë sikurse teknologjia, kultura, mallrat, kapitali dhe vlerat tjera, ashtu siç dikur bie fjala mendonin kolonizatorët anglez; përmes dërgimit to parukave nëpër koloni, pastaj përmes telefaks Kushtetutave
etj.
Ky proces zhvillohet kësisoj, për shumë shkaqe. Kurse shkaku kryesor, to të shtonim qëndron; mu në pamundësinë e aplikativitetit masiv të këtij sistemi mbi këtë doktrinë me anën e metodologjisë së shartimit!
Protestantizmi islam.Doktrina e demokracisë nuk po dëshmohet sot si kafshatë e lehtë as për diktatorët e ndryshëm të Lindjes, të cilët kanë provuar të bëjnë në njërën anë një shartim të tillë formal vetëm e vetëm që ti ruajnë privilegjet e tyre dinastive.
Ata, ende nuk kanë arritur të kuptojnë se ajo kultivohet jo përmes autokracisë dhe qeverisjes despotike me qytetarët e vetë, por përmes institucionit të edukimit dhe mirëqenies qytetare.
Sepse, mbindërtimi institucional dhe hapja kundrejt botës është hap që duhet të ndërmerret nga të gjithë, në mënyrë që akti i krijimit të kësaj edukate (parimisht) kushtëzuese do të mund të ndërlidhej së prapthi me dy tipe apo lloje kategorizimesh:
Njërin e cili ka të bëjë me aksionet dhe iniciativat e njerëzve që kanë rezon, aftësi dhe kreativitet të mjaftueshëm që të ndikojnë në formën dhe përmbajtjen e sistemit që ata duan ta rregullojnë vetë.
Dhe kategorizimi tjetër, i cili ka të bëjë me zhvillimin e sistemit të vlerave, njohurive dhe mjeshtërive të civilizimeve tjera, ashtu siç ishte ne kohën e zenitit të shtetit të pare islam, pikërisht në kohen e Muhamedit (a.s).
Gjykojë që dilema kryesore që vërtitet sot në kokat e shoqërive të lindjes (Tunizi, Jemen, Egjipt
etj) ndërsillet kryesisht rreth asaj, se çka në të vërtetë duhet të provojnë dhe të dhurojnë ato diç nga; tradita, kultura, etnopsikologjia, dhe vlerat qytetëruese të tyre, në mënyrë që të ridëshmohet apo refuzohet koncepti i demokracisë?
Ose thënë më ndryshe, i duhet apo jo sot një lloj protestantizmi civilizimit islam? E themi këtë ngase ky është provim i pjekurisë së miliona njerëzve në planetin tone, sot.
Duket, se sistemi dhe filozofia islame në këtë drejtim në mënyrë të pakontestueshme, do të mund të zinte vendin e frymëzuesit dhe udhërrëfyesit shpirtëror të njerëzve të rëndomtë në të ardhmen jo vetëm të ketyre vendeve por edhe me gjerë.
Ngase, nuk ekzistojnë dallime aq të mëdha civilizuese midis vlerave universale të cilat do të mund të ngërthenin kundërshtitë e shfaqura alarmuese në këtë fillim viti, në mes civilizimit perëndimor dhe atij islam që kanë filluar ta përjashtojnë njëra tjetrën.
Rebelizmi dhe rrëmuja në rrugë. Pra si mund të identifikohet situata aktuale globale, pas rrëmujës së shkaktuar me rebelimin do te thosha jo vetëm kundër despotizmit autokratik të liderëve aktual në vendet arabe, por edhe kundër mënyrës së udhëheqjes me njerëz në gjithë këtë rajon të trazuar në këtë fund vit. Duket që sot jo edhe lehtësisht do të mund të identifikoheshin, disa shpjegime.
a. Shpjegimi i parë,që ka të bëjë me rrafshin e teorisë së komunikimit masiv e cila konsiston ne faktin se: konflikti i tanishëm i shkaktuar në këtë pjesë të botës mund të shpjegohet me teorinë a mos akomodimit të zhvillimeve politike, sociale, e edhe kulturore e qytetëruese me vlerat aktuale globale që akoma është duke I imponuar perëndimi përmes teknologjisë dhe komunikimit masiv që është e pamundur jo vetëm te kontrollohen por edhe të menagjohen nga pushtetet aktuale despotike.
Dhe fakti i dytë që dosido ka të bëjë me këtë shpjegim, është ai I agjentëve apo bartësve të këtyre ndryshimeve kaq radikale, por jo edhe të papritura në kuptimin e dominimit apo të artikulimit të gjithë këtij mllefi dhe pakënaqësie tejet impresive (dy milion demonstrues ne Kairo!?) ndaj despotizmit alarmant.
Pra, kush do ti udhëheq këto grupe radikale dhe tejet te frustruara? Udhëheqësit e ndryshëm fetarë sikurse ne Iran, pushtetmbajtësit e korruptuar aktual (një tendencë e Mubarakut për ti legjitimuara pasardhësit e vete), organizatat e ndryshme sindikale, ato studentore (që në dukje të parë lënë përshtypje se nuk kanë fort paragjykime për demokracinë dhe proceset globale aktuale), shoqëria civile, apo grupimet tjera margjinale?
b. Shpjegimi i dytë, që për mendimin tone ka të bëjë me teorinë e Fukujames, mbi "fundin e historisë", sipas të cilit perëndimi me rënien e murit të Berlinit, përkatësisht me triumfin që e konsistojë ndaj lindjes (përkatësisht ndaj perandorisë së "kuqe), duhet tani të imponojë përgjithmonë modelin globalist në gjithë botën.
c. Shpjegimi i tretë, do thoshim në mënyrë indirekte është i ndërlidhur me teorinë e Samuel Huntigton, i cili botën e shek XXI e parasheh decidivisht si Projekt të pushimit të konflikteve: kombëtare, etnike, politike, ekonomike, etj. dhe fillimit të përleshjeve mes civilizimeve!
Për të konflikti i tanishëm në Lindje bie fjala nuk është asgjë tjetër vetëm se zbatim i përpunuar mirë i Projektit mbi inicimin e përplasjeve mes dy civilizimeve (atij perëndimor dhe atij islam) kryesore për supremacion global.
Në anën tjetër, po ky Huntigton, gjykon kundërthënshëm (!) sepse sipas tij tash (me siguri pas bindjes së fituar lidhur me pushtimin e lehtë të Irakut, Afganistanit) perëndimi nuk ka nevojë të flasë për dy civilizime (ashtu siç kishte pretenduar në fundshekullin e kaluar) por për perëndimin (qendrën, kursivi im F.M) dhe pjesën tjetër (periferinë, poashtu kursivi im F.M.) që nënkupton ekzistencën e disa jo-perëndimeve , Ku pikësëpari aludohej në Japoninë, pastaj Kinën dhe tash së fundi në Lindje.
Do thënë që një ndër dobësitë kryesore që i adresohen kësaj teorie dhe atij vetë është edhe ajo se diskursi i civilizimeve Huntigtion i anashkalon apo më mire me thënë i përjashton dallimet (organizative, politike, ekonomike,etj.) përbrenda vetë shteteve që bie fjala e favorizojnë uniformitetin kulturor dhe atyre që e përjashtojnë pluralizmin kulturor.
Në kuadër të këtyre kontestimeve shkencore, hyjnë edhe analizat dhe studimet të bëra po nga vetë diskursi perëndimor, se numri më i madhe i konflikteve etnike, nuk kanë ngjarë si pasojë e konfliktit në vija të trasha civilizuese, por para së gjithash, si pasojë të interesave ekonomike, territoriale, ekzistenciale, etj. shumica e konflikteve etnike në botë nuk kanë si shkak përplasjet e qytetërimeve.
Gjithashtu, Huntigtonit mund ti adresohen vërejtje të theksuara, ngaqë asnjëherë në asnjë periudhë historike, nuk ka pasur kacafytje apo si të themi përleshje mes civilizimeve në kuptimin e asgjësimit dosido fizik të njëri tjetrit.
Historia na mëson, se pothuajse të gjitha luftërat e ndodhura gjerë tani ishin pak a shumë luftëra të një dimensioni tjetër që për motive nuk kishin hasmëritë mes kulturave apo civilizimeve si të tilla, por para së gjithash mes interesave të ndryshme që kishin kombet apo ma mire më thënë shtetet që dëshironin të mbanin rolin prijatar të zhvillimeve ekonomike, politike , e kulturore mbi kombet apo vendet (shtetet) të cilat i kundërshtonin ato tendenca progresive (dominuese për të tjerët) jo vetëm për këta të fundit por edhe për ata vetë.
Medernitet apo konzervatizëm. Oferta moderniste, në një mënyrë është ofertë perëndimore që aktualisht në kushtet dhe rrethanat e një procesi apo tendence të shquar si globalizëm po faturohet nga të gjitha civilizimet, e posaçërisht nga islami.
Themi islamit, për shkak, se atje kemi të bëjmë me shtete despotike që poashtu nuk kanë të bëjnë asgjë me organizimin hyjnor të ndërtimit dhe të organizimit të pushteteve.
Asnjë pushtet në Lindje të mesme, sot nuk i përngjan apo nuk identifikohet me Kushtetutën e Medinës që qe organizuar nga ana e Muhamedit a.s..
Për këtë shkak, konsiderojë që rebelimi dhe revolta e skajshme e këtyre ditëve në vendet arabe në një mënyrë është edhe një shtegdalje e volitshme për shoqëritë e kësaj pjese të botës që të rifillojnë të krijojnë distancën e duhur politike ndajë pushteteve autokratike dhe të korruptuara në mënyrë që edhe dilema e sipërpërmendur:
modernitet apo konzervatizëm të mëtutjeshëm të shndërrohet në një lëvizje apo në një rilindje të vërtetë kah procesi i integrimeve dhe procesi i shfrytëzimit të mekanizmit të demokracisë së mirëfilltë, për konsolidimet dhe progresin e gjithmbarshëm ekonomik të këtij rajoni të trazuar, duke filluar kështu një nisëm të mbarë për një konkurrencë lojale mes këtyre dy koncepteve.
Pra, konzervatizmit aktual të kontestuar dhe një moderniteti të menagjuar mirë nga elitat e reja të frymëzuara padyshim edhe me brumin e civilizimit islam.
Ekziston, po ashtu një bindje dhe përvojë tjetër që flet në favor të kësaj teze se edhe në vendet islame ekziston një përkrahje dhe një simpati e veçantë e opinionistëve lokal për diskursin demokratik.
Por, fakti që në vendet e trazuara aktualisht ku pushtetmbajtësit aktual autokratik i rezistojnë edhe me ushtri (Mubaraku në rastin e Egjiptit?!) kërkesave të turmës së demonstruesve dhe qytetarëve në realitet dërgon një mesazh jo fort të mirë për pjesët tjera të botës për gjoja jo gatishmërinë e botë islame për demokracinë.
Kjo mënyrë e këtillë e sjelljes do të thoshim prejudikon dy kërkesa: Njërën që ka të bëjë me shkurorëzimin e demokracisë ende akoma pa hy në muajin e mjaltit të pluralizmit, sundimit të ligjit, kontrollit dhe shfaqjes së opinionit opozitar: dhe tjetrën që ka të bëjë me vazhdimin e kundërshtimit ndajë civilizimit perëndimor si një konkurrent serioz për dominim më afatgjatë.
Duke këndëvshtruar kështu zhvillimin e ngjarjeve aktuale në botën arabe (kryesisht duke marr mostër Egjiptin dhe sidomos sistemin diktatorial të Tunizisë) mund të themi se demonstrimi në rrugë si një mjet demokratik i rebeluesve që po përdoret aktualisht mbetet me sa mund të vërehet i vetmi mjet përmes të cilit mund të mënjanohet ndonjë revolucion i tipit Iranian që solli përmasa pothuajse katastrofike jo vetëm për këtë shtet por edhe për mbarë rajonin e Lindjes së afërt.
Por, problemi dhe çështja më fundamentale në gjithë këtë odisejadë maratonike, kujtoje që edhe më tej do mbetet se kush në fakt do të mbes bartës i gjithë këtij frustrimi dhe kësaj pakënaqësie sociale e politike, por nuk e besojë edhe kulturore e civilizuese?
Janë: Udhëheqësit e ndryshëm fetarë sikurse ne Iran, pushtetmbajtësit e korruptuar dhe të komprometuar aktual (një tendencë e Mubarakut për ti legjitimuara pasardhësit e vete), organizatat e ndryshme sindikale, ato studentore (që në dukje të parë lënë përshtypje se nuk kanë fort paragjykime për demokracinë dhe proceset globale aktuale), shoqëria civile, apo grupimet tjera margjinale?
Kurse, dilemës së sipërshënuar, kujtojë që i nevojitet një kohë më e gjatë për ndonjë përgjigje adekuate...