30 Dhjetor 2024

Çka është dekabonizimi dhe pse është i rëndësishëm në procesin e tranzicionit të energjisë

Shkruar nga Afrim Berisha

Jam i bindur që shumicës nga ju që po lexoni këtë shkrim ju ka rënë të dëgjoni termin dekarbonizim. Besoj, që në të shumtën e rasteve këtë term e keni dëgjuar kur flitet për energjinë, ndryshimet klimatike, mbrojtjen e mjedisit dhe tranzicionin. Megjithkëtë, supozoj që jo të gjithë e keni dëgjuar apo lexuar këtë term, e keni kuptuar drejtë se për çka po flitet dhe pse është relevant për Kosovën.

Andaj, nisur nga kjo, në këtë artikull do të bejë përpjekje që të ofrojë më shumë informata për dekarbonizimin si terminologji dhe si proces, relevancën e tij me procesin e tranzicionit të energjisë, dhe obligimet që ka marrë Kosova për përmbushjen e kërkesave që dalin nga ky proces.

Çka është dekarbonizimi?

Termi dekarbonizim në përkufizimin fjalë për fjalë nënkupton reduktimin e karbonit. Ndërsa në kuptim më të zgjeruar, dekarbonizimi është reduktimi i emetimeve të dioksidit të karbonit nëpërmjet përdorimit të burimeve të energjisë me karbon të ulët, duke arritur një emetim më të ulët të gazeve serrë në atmosferë.

Shprehur ndryshe, dekarbonizimi nënkupton kalimin nga një sistem ekonomik që është i bazuar në shfrytëzimin e resursve energjetike fosile në një sistem ekonomik që redukton dhe kompenson në mënyrë të qëndrueshme emetimet e dioksidit karbonit, përmes përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë.

Pra, qëllimi afatgjatë i dekarboizimit është krijimi i një ekonomie pa karbon, ose një ekonomie neutrale ndaj karbonit.

Çfarë do të thotë të qenit “karbon neutral”?

Të qenit karboni neutral nënkupton që sasia e emetimeve të diokisdit të karbonit që lirohen në atmosferë të jetë e barabartë me sasinë e emetimeve të  diokisdit të karbonit që thithet (hiqet) nga atmosfera.

Thënë ndryshe, të qenit neutral ndaj karbonit ose mbajtja e nivelit zero të emetimeve në atmosferë, është ekuilibri midis emetimit të karbonit nga burimet e ndryshme (prodhimi i energjisë, transporti, industria, bujqësia, mbeturinat) dhe thithjes së karbonit nga atmosfera përmes rezervuarëve natyrorë të karbonit (pyjet, tokat pyjore, oqeanet), që ndryshe njihet si sekuestrim i karbonit.

Pra, në mënyrë që të arrihen emetimet neto zero, të gjitha emetimet e dioksidit të karbonit do të duhet të balancohen nga sekuestrimi i karbonit.

Si funksionon dekarbonizimi?

Dekarbonizimi funksionon duke rritur prodhimin e energjisë me karbon të ulët (burimet e rinovueshme), duke reduktuar përdorimin e lëndëve djegëse fosile, si dhe duke rritur kapacitetet natyrore për sekuestrimin e karbonit.

Kjo përfshinë mes tjerash përveç rritjes së potencialit për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtrishme, nënkupton edhe përdorimin në shkallë të gjerë të automjeteve elektrike dhe teknologjive tjera "të pastra", si dhe rritjen e sipërfaqeve me pyje.  

Ulja e intensitetit të emetimeve te karbonit në sektorët e energjisë dhe transportit do të lejojë që objektivat e emetimeve neto zero të përmbushen më shpejt dhe në përputhje me standardet e kërkuara.

Obligimet në nivel global për dekarbonizimin

Obligimet kryesore ndërkombëtare në nivel të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dalin për të gjitha vendet që janë anëtare të Konventës Kornizë të OKB për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), vendet nënshkruese të Protokolit të Kyotos, dhe vendet nënshkruese të Marrëveshjë së Parisit.

Në terma të përgjithshëm kërkesat e OKB në raport me dekarbonizimin, obligojnë vendet nënshkruese që deri në vitin 2050 të ndërmarrin masa për reduktime të shpejta të emetimeve të karbonit në mënyrë që të arrihet një ekuilibër midis emetimeve të karbonit dhe sekuestrimit të karbonit.

 Pra, vendet nënshkruese të këtyre marrëveshjeve dhe në mënyrë specifike nënshkruesit e Marrëveshjes së Parisit, obligohen të paraqesin planet e tyre për veprimin klimatik të njohur si Kontribute të Përcaktuara në Nivel Kombëtar (NDC) si dhe të hartojnë dhe zbatojnë strategji afatgjate me emetime të ulëta të karbonit.

Obligimet në niveli të BE për dekarbonizimin

Në kuadër të Bashkimit Evropian në raport me procesin e dekarbonizimit, vendet anëtare mes tjerash janë të obliguara që t’i përmbushin kërkesat që dalin nga: Ligji Evropian për Klimën, Marrëveshja e Gjelbër e Evropës, Korniza e BE për Energjinë dhe Klimën 2030, Strategjia Afatgjate e BE 2050 dhe Sistemi i BE për Tregimin e Emisioneve.   

Këto dokumente kërkojnë nga vendet anëtare të BE që deri në vitin 2050 të jenë neutral ndaj klimës, duke specifikuar arritjen e targeteve për reduktimin e emetimeve të gazrave të serrës për së paku 55% deri në vitin 2030, krahasuar me nivelin e emetimeve të vitit 1990.

Obligimet e Kosovës në raport me dekarbonizimin

Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara e as anëtare e Bashkimit Evropian. Së këndejmi obligimet në raport me procesin e dekarbonizimit që dalin nga Konventa Kornizë e OKB për Ndryshimet Klimatike (UNFFC), Protokoli i Kyotos, dhe Marrëveshja e Parisit për klimën, në parim nuk janë obligative për Kosovën.

Po ashtu as kërkesat që dalin nga Strategjia e Evropës për Klimën dhe targetet për reduktimin e emetimeve të karbonit të përcaktuara nga BE për vitet 2030 dhe 2050, nuk do të duhej të ishin të obligueshme për Kosovën.  

Megjithatë, Kosova në kuadër të procesit të integrimeve evropiane është nënshkruese e disa marrëveshjeve të cilat e obligojnë që të marrë veprime për zbatimin e kërkesave në procesin e dekarbonizimit.

Sipas Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit, përktësisht neneve 114 (energjia), 115 (mjedisi) dhe 116 (ndryshimet klimatike), Kosova ka marrë obligime dhe është zotuar që të zbatojë kërkesat që dalin nga EU acquis për energji, mjedis dhe ndryshime klimatike. Pjesë e këtyre obligimeve janë edhe ato për dekarbonizimin.

Në mënyrë edhe më specifike obligimet e Kosovës në raport me dekarbonizimin janë specifikuar në marrëveshjen me Komunitetin e Energjisë. Si palë kontraktuese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, Kosova ka obligim të zbatojë acquis të BE për energjinë, mjedisin dhe klimën.

Si pjesë e këtyre kërkesave mes tjerash Kosova obligohet të hartojë dhe miratojë: Ligjin për Klimën, Planin Nacionl për Reduktimin e Emetimeve nga Impiantet me Djegie të Mëdha, Planin e Integruar për Energji dhe Klimë si dhe Strategjinë Afatagjate për Dekarbonizim.

Zbatimi i kërkesave për dekarbonizim për Kosovën në raport me kërkesat e BE, është specifikuar edhe në  Deklaratën e Sofias të Liderëvë të vendeve të Ballkanit Perëndimorë dhe në Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimorë.

Gjatë Samitit të Sofjes për Ballkanin Perëndimor, liderët e këtyre vendeve kanë miratuar një Deklaratë që përputhet me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së, ku zotohen të zbatojnë proceset në rajon me qëllimin kryesor të adresimit të objektivave të Klimës dhe Energjisë për neutralitet ndaj emetimeve të karbonit,  reformimin e sektorëve të energjisë dhe transportit, përafrimin me Ligjin e BE-së për Klimën, vendosjen e targeteve për Energjinë dhe Klimën për vitin 2030, zhvillimin e plane të integruara për Energjinë dhe Klimën dhe ndërmarrjen e masave të qarta për të reduktuar emetimet e gazrave serrë.

Për më tepër Agjenda e Gjelbër për vendet Ballkanit Perëndimor, ka një shtyllë të veçantë për dekarbonizim ku janë planifikuar aktivitete që ndërlidhet me energjinë, klimën dhe transportin.

Cilat janë nivelet e emetimeve të karbonit në Kosovë?

Sipas të dhënave nga raporti për emetimin e gazrave serë në Kosovë 2014-2019, të publikuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, emetimet vjetore të gazrave serrë në Kosovë për vitin 2019 janë vlerësuar rreth rreth 9.6 milion ton CO2 eq, (equivalent).

Burimi kryesor i emetimeve të gazrave serrë është sektori i energjisë me pjesëmarrje prej 86% të totalit te emetimeve.

Sektori i dytë është ai i bujqësisë dhe përdorimit të tokës me 8%. Sektori i mbeturinave përfaqëson 5% të totalit të emisioneve kurse sektori i proceseve industriale dhe përdorimit të produkteve me rreth 1%.

Sektori i vetëm që bënë thithjen (sekuestimin) e CO2 në Kosovë janë pyjet dhe tokat pyjore. Sipas vlerësimit, nga ky sektor gjatë vitit 2019 janë thithur (sekuestruar) rreth 39 mijë ton CO2.

Nëse bazohemi në këto të dhëna, atëherë gjasat që Kosova të arrijë objektivat për të qenë neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050 duken vështirë të realizueshme.

Çfarë veprimesh janë ndërmarrë deri tani nga Institucionet e Kosovës në raport me dekarbonizimin?

Në kuadër të aktiviteteve që ndërlidhen me procesin e dekarbonizimit institucionet e Kosovës deri me tani kanë ndërmarrë këto aktivitete:
Është hartuar dhe miratuar Strategjia dhe Plani i Veprimit për ndryshime Klimatike;
Është hartuar dhe miratuar Plani Kombëtarë i Veprimit për Reduktimin e Emisioneve;
Eshtë përgaditur Inventari i emetimeve të gazrave serrë për periudhën kohore 2008-2020;
Aktivitete tjera që janë në proces të implementimit:
Hartimi i Ligjit për Ndryshime Klimatike;
Rishikimi i Strategjisë Kombëtare për Energji;
Rishikimi i Planit Nacional për Burime të Renovueshme të Energjisë;
Hartimi i Planit të Integruar për Energji dhe Klimë;
Hartimi i Strategjisë Afatgjate për Dekarbonizim;

Çfarë mundë të bëhet për të arritur objektivat e dekarbonizimit?

Mes tjerash për të reduktuar emetimet e karbonit dhe për të arritur objektivat e dekarbonizimit, Kosova duhet të angazhohet në:
Rritja e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe reduktimi i përdorimit të thëngjillit për prodhim të energjisë dhe për ngrohje dhe përdorimi i teknologjive të pastra;
Largimi nga qarkullimi i veturave të vjetra, zbatimi i standardeve të kontrollit të automjeteve,  promovimi i transportit të qëndrueshëm me më pak trafik motorik;
Zbatimi i kërkesave dhe standardeve për eficencë të energjisë në ndërtesa;
Përmirësimi i menaxhimit të mbeturinave dhe zbatimi i sistemeve për riciklimit, ndarjen dhe trajtimin e mbeturinave;
Menaxhimi i qëndrueshëm i pyjeve, zvogëlimi i prerjeve ilegale të pyjeve dhe ruajtja e destinimit të shfrytëzimit të tokave sipas kategorive përkatëse.

(Autori është PhD i shkencave të mjedisit)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)