Cili është qëllimi i vërtetë i Albin Kurtit
Shkruar nga Avni Klinaku
Për një dekadë të tërë Albin Kurti e përdori dhe e keqpërdori elementin kombëtar të shqiptarëve për qëllimet e veta karrieriste. Tani ky elementi kombëtar në LVV po i pështillet nëpër këmbë.
Me veprimet e fundit, me kthesat e tij të forta politike ai ka vendosur që ta flakë jashtë partisë së tij këtë element! Strukturën tjetër e ka të gatshme! Albin Kurti, - ky Zhosef Fushe i ditëve tona.
Që nga krijimi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është dredhur e përdredhur nga njëri skaj politik në skajin tjetër.
Pa dyshim që ju kujtohet kur Kurti dhe partia e tij, KFOR-in, UNMIK-un e më vonë edhe EULEX-in i quante kolonialistë; domosdo ju kujtohen gomari me kravatë dhe çurani si sinonime të atyre qe po merrnin pjesë në zgjedhje dhe institucione; pak e dinë, por duhet ta dinë të gjithë, se Albin Kurti deri në vitin 2009, kur po përgatitej ta bënte kthesën e parë drejt pushtetit, pra, kur ai po përgatitej ti njihte institucionet dhe të merrte pjesë në zgjedhje, ka qenë kategorik kundër bashkimit kombëtar; ai e pati shumë të vështirë ta njihte edhe shpalljen e pavarësisë!
Të gjitha këto, dhe shumë të tjera, Albini, Fusheja ynë, ky makiavelist që nuk la mjet pa përdorë për arritjen e qëllimeve të veta, i keqpërdori për të hyrë në lojën e madhe për karrierë e pushtet.
Tani Albin Kurtit nuk ka çka i duhet, madje i është bërë pengesë antiimperializmi, revolucionariteti e patriotizmi adoleshent! Ai tani kërkon partneritet me ndërkombëtarët; ai tani nuk i flak dhe nuk i përbuz mbështetësit e Pakos së Ahtisarit dhe nënshkruesit e Rambujesë; ai tani kërkon ti udhëheqë bisedimet me Serbinë, e jo ti fillojë ato me Shqipërinë (sic!). Ai tani ka hyrë në lojën e tij të madhe!
Veprimet e tij të fundit, kur atij iu bë e qartë se me këtë përbërje të partisë së tij, me kursin kombëtar dhe antiimperialist të LVV-së, nuk mund ti arrijë dy gjëra: ta ketë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe ti fitojë zgjedhjet, kushte të cilat janë të domosdoshme për ta marrë pushtetin në Kosovë, ai, Fusheja i ditëve tona, vlerësoi se ka ardhur momenti për kthesën e re: ta lë anash luftën për bashkim kombëtar, ta lë anash luftën kundër Pakos së Ahtisarit dhe nënshkruesve të tij, ti lë anash të gjitha parimet dhe qëndrimet e tij të mëhershme dhe të hyjë në lojën e madhe, në vorbullën e politikanëve pretendues për kryeministër të Kosovës.
Në ditët në vijim do të shohim shumë dorëheqje e largime nga LVV-ja. Albini u gëzohet fshehurazi shumë këtyre largimeve, sepse kjo ia hap rrugën për aktivizimin e strukturës që ai e ka përgatitur gjatë - strukturës tjetër të LVV-së me njerëz pa parime dhe me njerëz të uritur për pushtet. Kushti i vetëm për ta do të jetë kundërshtimi i Hashim Thaçit, të cilin ai e sheh si të vetmen pengesë për realizimin e qëllimeve të veta karrieriste.