25 Dhjetor 2024

Cili është kandidati më i mirë

Shkruar nga Leon Malazogu

Analistët dhe gazetarët në Kosovë zakonisht nuk përfshihen në vlerësime kritike të kandidatëve në zgjedhje. Disa nga mediat shpesh përkrahin partitë dhe kandidatët por rrallëherë haptazi. Për OJQ-të ndalohet madje edhe ligjërisht të rreshtohen pas një kandidati. Debatet janë të thata, gazetarët dhe analistët më tepër marrin rolin e komentuesit.

Kultura politike në Kosovë duhet të avancojë dhe komentimi i kandidatëve duhet të jetë më i relaksuar. Qytetarët kanë nevojë të dëgjojnë një opinion më të lirshëm të analistëve dhe gazetarëve sa i përket epërsive dhe dobësive të kandidatëve. Kosovarët duhet të ndjehen më të lirë të shprehin opinionin e tyre dhe të angazhohen politikisht pa u angazhuar në një parti politike.

Një debat i hapur dhe i guximshëm, por sërish jo i politizuar, do të bënte garat komunale më konkrete. Ne jemi të bindur që një person mund të jetë politikisht i përfshirë dhe të ketë mendim duke përdorur standarde dhe kritere profesionale të vlerësimit se cili kandidat ka gjasa të jetë kryetar më i mirë i komunës për katër vitet e ardhme.

Mediat gjithandej botës demokratike përkahin kandidatët si për komunë ashtu edhe për president pak para zgjedhjeve.

Nëse kjo përkrahje ndërtohet në mënyrë profesionale dhe duke peshuar të mirat dhe të këqijat e secilit, atëherë mund të mos tërheqë akuza të animit.

Përkrahja përfundimtare e secilit prej nesh duhet të vie vetëm pas një shoshitje të kujdesshme të secilit aspekt të secilit kandidat dhe jo duke u bazuar në lidhje familjare, klanore, të interesave apo motiveve çfarëdo që mund të jenë ato.

Shumica e mediumeve amerikane përkrahën Michael Bloomberg (atëbotë nga Partia Republikane) si kryetar komune të Nju Jorkut, vetëm që të përkrahin Barack Obama (nga Partia Demokratike) si kryetar shteti. Rrjedhimisht, shumë votues demokratë në Nju Jork gjithashtu përkrahën z. Bloomberg për kryetar komune.

Në Kosovë shpesh edhe mediat e pavarura gjatë kanë ushtruar vetë-cenzurë, duke ju ruajtur etiketimeve se janë përkrahës të një partie.

Kosovarët më me ndikim, nga editorialistët, politikologët, janë të stër-kujdesshëm duke u frikësuar se mos zbulojnë simpatitë e tyre. Konsiderohet politikisht radioaktive për mediat apo analistët të deklarojnë qoftë edhe simpati të përkohshme për një kandidat nga frika se etiketohen për jetë si lojal ndaj një grupimi.

Natyra klienteliste e shoqërisë tonë tutje e përkeqëson këtë ‘radioaktivitet’ me pasoja të mundshme për karrierë. Kuptohet se pavarësia e secilit është thelbësore por kjo nuk do të thotë se nuk guxon fare të tregojë nëse një kandidat i pëlqen më shumë për një palë zgjedhje specifike.

Besojmë se politika në Kosovë është duke evoluuar dhe se zgjedhjet që po afrohen do të jenë më tepër çështje specifike dhe fushata deri këtu e dëshmon këtë.

Këto zgjedhje mund të jenë rasti më i mirë për të sjellë një vlerësim objektiv, si dhe të përfshijmë opinion-formuesit që haptazi të shprehin mendimet e tyra pa frikë se njollosen si simpatizantë të ndonjë partie.

Kosova duhet që të të fokusojë politikën në gjëra konkrete dhe më pak të kanalizojë preferencat e votuesve në bazë të fisit, familjes, apo lidhjeve të tjera. Do t’i shërbente shumë votuesit të Kosovës që të bëhet i verbër ndaj emrave dhe prejardhjes së partive shumica e të cilave edhe ashtu nuk kanë dallime ideologjike.

Në këtë drejtim, planifikojmë të thejmë akullin dhe shpresojmë të cysim edhe mediumet që të diskutojnë cilësitë e kandidatëve brenda kolegjiumeve të të tyre dhe të dalin haptazi me argumente pse filanin duhet përkrahuar. Është thelbësore që vlerësimi i kandidatëve të jetë sa më objektiv për cilësi që realisht ndikojnë në qeverisjen e mirë për katër vitet e ardhme.

Për të cytur një trend të tillë, D4D ka mbledhur 40 deri në 50 analistë për të diskutuar komuna të ndryshme. Instituti D4D nuk qëndron prapa shkrimeve, por vetëm lehtëson një proces ku analistë të shumtë mbledhen, shohin debatet, diskutojnë të kaluarën, si dhe peshojnë të mirat dhe jo të mirat të secilit.

Përfundimisht, grupi mundohet të krijojë një konsensus se cili kandidat ka gjasat  më të mira që të performojë në katër vitet e ardhme. Konsensusi i arritur reflekton vetëm qëndrimet e analistëve e jo të Institutit D4D, roli i së cilit është të koordinojë debatet dhe të propozojë metodologjinë.

Së pari, është dashur të mendojmë se çfarë guxojmë dhe çfarë nuk guxojmë duke pasur parasysh se nuk jemi në shkelje të nenit 15 të ligjit për OJQ-të i cili ndalon përkrahjen e kandidatëve.

Këtë e kemi interpretuar në diskutim të gjërë dhe kemi ardhur në përfundim që nuk ndalon diskutimin dhe peshimin e vlerave të secilit. Sidoqoftë, Instituti si i tillë nuk qëndron, dhe qëndrimet janë rezultat i diskutimit të analistëve në cilësinë e tyre si individë.

Nga nesër do të fillojmë me një seri të editorialeve (një për komunë) që bëjnë këtë peshim. Disa më shumë e disa më pak, shprehin një vlerësim kritik për kandidatët dhe nxjerrin njërin që është superior ndaj tjerëve, qoftë për nuancë.

Qëllimi ynë është që të ndryshojmë mënyrën se si vlerësojmë kandidatët, dhe të vlerësojmë më më pak me zemër e më shumë me arsye. Nuk e fshehim se dëshirojmë që sa më shumë kosovarë të bëhen ‘blerës’ to mençur.

Vetëm një votues që sillet si konsumator tekanjoz do të shtyjë partitë që të nxjerrin cilësi sa më të mirë. Nëse partitë ekzistuese gjobiten me mungesë të qeverisjes së mirë, kjo do të jetë shtytje për parti dhe individë të rinj.

Gradualisht shpresojmë se shumë votues do të votojnë duke vlerësuar performancën dhe jo prejardhjen e kandidatëve.

Për të siguruar punë profesionale dhe të paanshme, kemi mbledhur informata të bollshme për secilin kandidat, kryesisht nga mediat. Kemi analizuar rezultatet e anketave si dhe të rezultateve nga viti 2000, apo edhe të premtimeve para 4 viteve.

Organizuam një numër të madh të analistëve dhe gazetarëve me prapavijë diverse (5-6 për secilën komunë) të cilët diskutuan këto të dhëna, si dhe së bashku shikuam disa nga debatet televizive. Analizuam plus dhe minusat e secilit që zgjati deri sa një lloj konsensusi filloi të paraqitet apo deri sa peshimi i opcioneve u shpenzua.

Në fazë të mëvonshme, grupi noton secilin kandidat për secilin kriter veç e veç: kontribut komunitetit, arritjet e deritashme, a ka program zgjedhor dhe çfarë cilësie është programi, performanca në debat, arsimi, karriera, qeverisja e komunës deri tash, performanca dhe kredibiliteti i subjektit, fuqia brenda subjektit.

Për kryetarët që kërkojnë rizgjedhje parashtrohen dy pyetje shtesë, qeverisja e komunës deri tash, raporti i auditorit, si dhe një vlerësim për performancën e deritanishme. Pas përfundimit të pikëve, grupi si tërësi shikon rezultatin dhe vlerëson nëse të gjithë pajtohen me rangimin e kandidatëve që ka nxjerr vlerësimi me pikë.

Një person nga grupi, analist apo gazetar, merr përsipër që të shkruajë editorialin që rezymon mendimin kolektiv të grupit. Nuk do të thotë që të nxjerret një kandidat i vetëm dhe nëse nuk del një superior, atëherë editoriali mund të shprehë se kemi dilemë në mes të dy kandidatëve.

Artikujt do të publikohen në web faqen tonë dhe t’ju dërgojmë të gjithë mediumeve që dëshirojnë t’i publikojnë ato. Gjetëm guximin tek analistët dhe gazetarët që u pajtuan të jenë pjesë e kësaj nisme emrat e analistëve të cilëve do të bëhen publike pas përfundimit të debateve.

Do të konsideronim sukses nëse kemi ndikuar tek votuesit e pavendosur, nëse kemi përkrahur kandidatët më të mirë që ofrojnë parti të ndryshme, dhe nëse opinioni i gjërë pajtohet se i kemi vlerësuar kandidatët me objektivitet.

Ky ndryshim mund të kishte potencial që të ndryshojë se si ndër-vepron media me kandidatët politik dhe si vlerësohet profesionalizmi dhe pavarësia, duke zgjëruar hapësirën e shprehjes për media për t’u bërë më të përfshirë në vlerësimin e opcioneve të ofruara.

Kjo nismë nuk është pa rreziqet e veta të cilat jemi munduar t’i minimizojmë. Rreziku kryesor ishte se si ide e re, mund të dukemi të anshëm. Jemi munduar të përdorim disa vegla që të sigurojmë se nuk e cënojmë pavarësinë tonë as individuale dhe as të tërë grupit.

Së pari, kemi kërkuar që të formësojmë konsensus brenda grupit deri sa të gjejmë se cili është superior ndaj tjerëve, qoftë për një nuancë. Përkundër faktit që përkrahin një kandidat, artikujt janë të bazuar në dëshmi, prezantojnë kundër-argumente, shpreshin rezerva dhe dilema, etj. Artikujt janë të bazuar në dëshmi empirike pas që kanë vëzhguar diskutimet, hulumtuar të kaluarën pjesërisht, shqyrtuar qeverisjen, analizuar premtime.

Prej nesër mund të lexoni nga një editorial në ditë, deri një ditë para heshtjes zgjedhore, duke filluar me Suharekën, Pejën, Gjakovën, Prishtinën, etj. Ky projekt është bërë i mundur me sponzorimin e Mbretësirë së Holandës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)