Çfarë pasojash do të ketë marrëveshja
Shkruar nga Gani Qarri
Plani për ardhjen deri te këto bisedime të cilat filluan që më herët si teknike dhe u shndërruan në marrëveshje të dëmshme politike për Kosovën,pati nisë që nga paslufta.
Ndërsa puna për arritjen dhe realizimin e tyre filloj të praktikohej, pak nga pak, që nga viti 2001,për të kulmuar me trazirat e pranverës së vitit 2004,kur për fillim u vranë dhjetëra e plagosën qindra, kurse brenda natës u shpërngulën dhunshëm,rreth 14 mijë shqiptar,të cilët u detyruan ti lënë shtëpitë dhe trojet e tyre autoktone në pjesën veriore të vendit.
Serbët e ardhur nga kushedi ku, gati në heshtje, pa asnjë zhurmë dhe pompozitet,patën formuar ushtrinë dhe policinë e tyre e cila kurrë nuk barti uniformë, por ishte armatosur me ide dhe plan të detajuar,për detyra speciale, e organizuar më mirë se shumë ushtri të uniformuara .
Ata, jo vetëm se shpesh herë përdornin forcën për të vrarë shqiptarë por sa herë që e donte nevoja, vranë edhe ushtar e polic ndërkombëtar, për ta quar me sukses deri në fund misionin që kishin marrë mbi vete.
Përveç tjerash, këto formacione ishin ato që realizuan zbrazjen e veriut nga shqiptarët vendor, sipas porosisë për të krijuar realitete të reja në atë pjesë të vendit,ani pse shqiptarët mëkot dërgonin sinjale nga ana jugore, se ishin të gatshëm për ndarjen e Mitrovicës në dy komuna. Kjo nuk u mjaftonte atyre.
Ata donin edhe më,ngase plani i tyre parashihte shumë më tepër, diçka si ndarja e cila ende nuk është hequr plotësisht nga rendi i ditës,ose të paktën krijimi i një republika serpska në atë pjesë të territorit apo edhe më gjerë,në mënyrë që serbët në tavolinën e bisedimeve të fitonin jo diçka të humbur,ngase ata në vendin tonë ishin pushtues dhe nuk kishin çka të humbisnin këtu, por të krijonin dhe fitonin një gjë që nuk e patën kurrë dhe në asnjë sistem,kohë as rrethanë,përgjatë gjithë historisë së këtyre trojeve.
Asnjëherë nuk u tha dhe as që e mbanë mend kush të ketë pasur ndonjëherë,kurrfarë bashkësi \"komunash-serbe\", se lëre më si kjo e tanishmja,me numër banorësh dhe përbërje të tillë popullsie, të zbrazur gati tërësisht nga shqiptarët, shtrirë në një territor kompakt dhe entitet të përcaktuar me kufij, në brendësi të Kosovës,as në kohën e Titos dhe as të Rankoviqit,një sajesë e stisje si kjo, nuk ka ekzistuar kurrë më parë, në veri as kudo qoftë tjetër.
Marrëveshjet për pranimin jo vetëm të dy komunave në Mitrovicë, por krijimin dhe pranimin me ligj të së ashtuquajturës \"bashkësi e komunave serbe\", si entitet më vete në veri,flet për ndarjen përfundimtare të brendshme dhe fillimin për ndarjen së jashtmi të Kosovës. Humbje e shumanshme kjo, e madhe dhe e pallogaritshme për kompaktësinë e shtetit të ri të Kosovës.
Ndaj,Serbia insiston që zgjedhjet e 3 nëntorit të caktuara nga kryeministri Daqiç, të mbahen patjetër dhe në këtë mënyrë të legjitimohet sa më shpejtë ndarja së pari e brendshme e Kosovës,me të cilat për herë të parë në histori vendosen kufij etnik në territorin e saj.
Për këtë qëllim,Serbia paska dërguar për fillim edhe 150 policë të uniformuar të MUP-it,serb në Kosovë, numri i të cilëve sipas nevojës edhe mund të rritet, në mënyrë që përmes këtyre zgjedhjeve të jetësoj njësinë autonome të serbëve në veri, si futje e rrënjëve të Serbisë edhe zyrtarisht në Kosovë, të cilat me kohë si thonjtë e kuçedrës,do ta hanë nga brenda krijesën e shtetësisë sonë.
Me legjitimimin e institucioneve të saj, përmes votës së \"lirë\" në veri, Serbia do ta kontrollojë Kosovën nga brenda,pengoj dhe pamundësoi ecjen e saj përpara,mbaj tensionet të ngrira atje, për ti paraqitur kinse si \"pakënaqësi\" e \"përhershme\" e pakicës serbe në veri dhe më gjerë, në mënyrë që asaj ti bëhen koncesione të reja,nga Bota dhe BE,në kurriz të Kosovës, deri në ndarjen definitive të saj, sipas kufijve tanimë të përcaktuar me marrëveshjen në mes të dy kryeministrave dhe të miratuar nga parlamentarët e vendit.
Në anën tjetër, Kosova lindore e mbetur pa asnjë status-mbrojtës, për popullsinë shqiptare, do të zbrazet për ditë e më tepër deri në zbrazjen përfundimtare të trojeve tona atje, gjë që do të ishte një humbje e madhe për të gjithë ne, për shtetin tonë të ri, pjesë konstituive e të cilit deri vonë ishte ai territor, për shqiptarët kudo si dhe për ëndrrën e bashkimit të kombit dhe trojeve tona në përgjithësi.
Me miratimin e marrëveshjes nga Kuvendi,me apo pa vetëdije, shqiptarët vet, futën kalin e Trojës brenda kalas së tyre dhe me dashje i hapën të gjitha dyert Serbisë për ndërhyrje në Kosovë.
Krijimi i bashkësisë së komunave autonome serbe në veri të vendit,do të mbetet përgjithmonë pengesë shkatërrimtare dhe digë e pa kalueshme për ecjen dhe afirmimin e Kosovës,nga këmbëngulja dhe insistimet e pareshtura të ekstremistëve serb për ta mbajt Serbinë në veriun autonom dhe kudo që arrijnë brenda vendit tonë në Kosovë.
Ndaj,të gjithë ata deputetë të cilët për ruajtjen e përfitimeve personale dhe pozitave në pushtet, votuan marrëveshjen dhe miratuan ligje që dëmtojnë të tashmen dhe të ardhmen tonë,mbajnë përgjegjësi për ndarjen e brendshme të vendit, kufizimin e sovranitetit të Kosovës dhe humbjen e veriut,për jetën në paqe e liri të shqiptarëve dhe ëndrrën e pashlyer të të gjithë atyre që për ideal kishin dhe kanë bashkimin e trojeve dhe të kombit shqiptar.