Çfarë integrimi duan shqiptarët, turk apo evropian
Shkruar nga Gani Qarri
Një nga turpet e mendimit shqiptar,ka qenë shprehja se gjoja qenia e Shqipërisë i detyrohet perandorisë osmane dhe shtetit komunist, ndërsa se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi evropian,e tregoi në mënyrën më të bujshme fundi i mijëvjeçarit, kur Evropa do të bënte luftë për ti mbrojtur shqiptarët. Kështu përafërsisht do të shkruante në librin \"Mosmarrëveshja\" që para tre vitesh shkrimtari i famshëm shqiptar, Ismail Kadare.
Siç dihet,lufta shumëvjeçare e shqiptarëve për liri dhe pavarësi kombëtare,me shumë vuajtje, gjak e sakrifica, e shpëtoi njëherë e përgjithmonë Shqipërinë, Kosovën dhe trojet tjera etnike nga pushtimet shumëshekullore turke si dhe parandaloi shitjen, këmbimin dhe faljen e territoreve tona tek fqinjët tanë hegjemonist, nga Perandoria Osmane.
Kurse me lirinë e Shqipërisë dhe pavarësinë e Kosovës,ranë edhe traktatet e njohura antishqiptare që Turqia lidhte me Greqinë dhe Serbinë për shpërnguljen masive të shqiptarëve dhe tregtimin e tyre si skllevër,për në Turqi.
Ndaj,si dhe kush i solli në mënyrë kaq të ngutshme dhe pse i favorizoi aq pa masë, turqit dhe kryeministrin e tyre islamik- Taip Erdogan, në vendin tonë, kjo është vërtet një befasi ?!
Si ndodhi që, pas depërtimit me \"yrysh\" të hoxhallarëve misterioz- vahabisto-salafist në Kosovë, serialeve televizive, dhe ndërmarrjeve turke, që kanë pushtuar vendin tonë kudo, tanimë edhe Erdogani me sy hapur të ëndërroj, gjoja se vërtetë, i tërë vendi ynë është bërë përfundimisht Turqi?!
Si, iu mbush mendja këtij sulltani të ri, dhe sivëllai të Hashim Thaçit e Edi Ramës, se me ndihmën e sejmenëve në vend, tanimë ai mund ta shkel edhe Kosovën me këmbë, si sulltanët e moçëm dikur në kohët e vjetra me jeniçer e ushtri,dhe të bëj \"integrimin\" alla-turka, të saj?
Kush i tha dhe bindi atë, se e kombi ynë e dëshiron dhe pranon edhe një herë këtë fatkeqësi?!
Madje,ky \"mesia\" dhe misionar islamiko -aziatik, tanimë paska shkuar edhe më larg, duke nxjerr \"fermanë\"(ligje) e vizatuar \"hudute\"(kufij) të rinj nga Azia në Ballkan,dhe shndërruar edhe Kosovën në Turqi, megjithëse ajo vetëm para disa vitesh është çliruar bukur me zor dhe pavarësuar me ndihmën e Amerikës, botës së përparuar dhe Evropës,në të cilën Turqia ende nuk guxon të shkel e lirë dhe bëhet pjesë e saj,me gjithë klithjet dhe lutjet e pareshtura shumëvjeçare për pranim.
Duke u nisur nga këto fakte,edhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, te libri \"Mosmarrëveshja\" me të drejtë,sqaron; \"Se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi nga Evropa,i cili është keqpërdorur shumë kohë pa të drejtë.
Ajo bashkë me Amerikën, jo vetëm se i mbrojtën por edhe i ndihmuan të çlirohen shqiptarët, siç ndihmuan Kosovën,dhe ruajtën e ruajnë edhe sot atë pakë tërësi të mbetur shtetërore, siç bëri dikur në dekadën e dytë të shekullit XX ,Presidenti Wodrow, për Shqipërinë.
Megjithatë, turku Erdogan ,edhe më tej thirr,Kosova është Turqi- Turqia është Kosovë...
Sado që kjo gjë për fat të mirë nuk është e vërtetë,mjerisht nuk mund të mohohet krejtësisht ajo se ai në thëniet e tij,megjithatë, ka pjesërisht të drejtë.
Jo sa i takon Shqipërisë dhe Kosovës,sepse ato kurrë më nuk do të bëhen Turqi, por siç është e ditur që moti për opinionin tonë, një pjesë e Turqisë banohet nga shqiptarët,dhe ajo pjesë është Shqipëri, Iliridë, Çamëri dhe Kosovë, njëherit.
Ajo është ashtu dhe do të mbetet e tillë, derisa të jetojnë dhe mos-asimilohen të gjithë ata 5-6 milion bashkatdhetarë tanë atje, të cilëve për fat të keq, as në këto kohë, nuk u del në ndihmë askush, nga dy shtetet tona, për sado pak drejtësi nga pushteti turk edhe për ata.
Bashkëkombësit tanë nuk u tregtuan-vetëm atëherë si skllevër, nga trojet tona etnike,sipas marrëveshjeve të arritura mes Turqisë, Greqisë e Serbisë dhe traktateve të tyre tanimë të njohura, të cilat zyrtarisht ende mbahen në fuqi nga të tri palët, por tradhtohen edhe sot nga atdheu i të parëve, përfaqësuesit e të cilëve para se të kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre nga Turqia, nguten të vëllazërohen shpejt dhe lehtë me Erdoganin,i cili vazhdon ti shtyp dhe sundojë pa asnjë të drejtë edhe sot ata.
Ndaj nuk besoj se mund të ketë qoftë edhe një pjesëtarë të kombit në të gjitha trojet tona ku i thonë Bukës-Bukë dhe Ujit-Ujë, i cili mund ta kuptoj se si turku Erdogan, para se t`u ofroj shqiptarëve tanë atje, të drejtën e gjuhës, kulturës dhe shkollimit shqip, të na shpreh neve gjithë këtë dashuri, dashuri tejet \"emocionale\" dhe fare të \"papërmbajtur\" për Kosovë e Shqipëri.
Çudia më e madhe e cila sipas shprehjes popullore ,edhe në botë mund të ndodhë më së shpeshti njëherë në 40 ditë, te shqiptarët ajo sikur përsëritet vazhdimisht, madje edhe nga njerëz si Adem Demaçi, i cili për ta zbukuruar vëllazërinë Thaçi- Erdogan, para syve të tronditur të bashkëkombësve nga kjo vëllazëri e panatyrshme për ne ,fare nuk e ka problem që para gjithë masës shqiptare, EULEX-it dhe Bashkimit Evropian, ti dal zot Erdoganit, bile me \"garanci\" \"shumë\" të \"forta\" çfarë din ti bëjë vetëm ai, gjoja se Turqia nuk mund ti pushtojë më trojet tona kombëtare.
Por, qëndrimet e Erdoganit,sikur dëshmojnë të kundërtën ,madje sipas fjalëve të tij, ëndrrat turke për ripushtimin e këtyre vendeve, shtrirjen në Ballkan dhe deportime të reja shqiptarësh drejt Anadollit,ende nuk kanë përfunduar dhe as janë shuar plotësisht, ndaj për këtë arsye ndoshta edhe sot vazhdojnë të mbeten në fuqi traktatet e lidhura me Greqinë dhe Serbinë, për deportim shqiptarësh, të cilat për çudi edhe këto harron ti përmend Adem Demaçi.
Kryeministri turk, sillet sikur pas afro 100 vitesh pushtimi nga Serbia, ai ta kishte çliruar vendin tonë me luftë e sakrifica,ndaj sot dëshiron të veproj edhe me ne si me bashkëkombësit tanë atje të cilët nuk i pyet për asgjë,duke mos i pyetur as shqiptarët në vendin e vet të lirë,për tua bërë edhe atdheun e tyre, Turqi.
Nuk përjashtohet mundësia që Thaçi të ketë detyrime ndaj Erdoganit,dhe është i detyruar që pa asnjë përfaqësues evropian ta ftoj vetëm atë në përurime,rrugësh e rrugicash, terminale e kanale përfitimi, festa dhe organizime tenderësh të rinj e të vjetër, ngase ndoshta edhe ndajnë bashkë prenë e zënë, në mënyrat që ata i dinë, por me këtë rast është e pa shmangshme që të mos shtrohet pyetja para atyre votuesve të cilët sollën këso njerëzish në pushtet dhe qeveri; se në ç`vend jetojnë dhe ku duan të integrohen këta shqiptar, në Evropë apo Azi?!
Kombi ynë është ndier dhe ndjehet tani e përgjithmonë evropian, ndaj blerja e një njeriu apo disa prej tyre, nuk do të thotë assesi se Turqia, përfundimisht ka ble edhe Kosovën,kur dihet mirë se shumica e shqiptarëve nga të gjitha trojet etnike,nuk e duan shtetin turk as Erdoganin dhe ruajnë kujtime të hidhura,si ndaj pushtuesve të ri ashtu edhe ndaj atyre të vjetër, siç ishte edhe perandoria osmane, mbret i ri i së cilës,dëshiron të na imponohet tani sulltani bashkëkohorë,Taip Erdogan.
Është e vërtetë që ndikimi i firmave turke,të cilat shfrytëzuan gjendjen e rëndë sociale në vend dhe gëzuan ndihmën e qeveritarëve-\"sivëllezër\" në pushtet,është përhapur shumë dhe në mënyrë të pakontrolluar gjithandej Kosovës,por që edhe Erdoganit, iu paska mbushur mendja \"top\" se më në fund edhe ai mund ta shkel gjithë Kosovën me këmbë, si dikur otomanët me jeniçer, dhe këtë në emër të integrimit alla-turka, të saj,me tendencë për ta bërë edhe vendin tonë Turqi, nuk doja ta besoja, por ja që në ditët e sodit ndodhka edhe kjo....!
Populli shqiptar, jo vetëm se nuk e ka ndjerë asnjëherë dhe nuk e ndjen as tani kryeministrin turk kurrfarë vëllai, por ai është edhe shumë i vetëdijshëm se turqit dhe Erdogani vijnë nga Azia kurse ne jemi evropian,ndaj nuk kemi kurrfarë lidhje gjaku, madje pas marrëveshjeve të Turqisë me Greqinë e Serbinë,për zbrazjen e tokave tona nga shqiptarët dhe mos dhënien e asnjë të drejte bashkëkombësve tanë të deportuar si skllevër atje,nuk na ka mbetur më as afri kumbarie në mes veti dhe jemi shumë larg njëri tjetrit.
Ndaj,sado pakufishëm, që dy kryeministrat mund të duhen në mes veti, shqiptarët nuk duan as pranojnë kurrfarë integrim turk, ata kërkojnë dhe përpiqen me këmbëngulje për integrim ndërshqiptar dhe evropian të vendit.
Për fat të mirë,edhe Kosova nuk është pronë private e asnjërit nga ta, ajo u takon banorëve të saj dhe është shtëpi e përbashkët e të gjithë atyre që jetojnë aty.
Në fakt,edhe \"pakicat\" që jetojnë në Turqi, sipas botëkuptimit evropian, ato nuk janë thjeshtë vetëm pakica, por janë kombe shumicë, të ndara si puna e kurdëve,pjesa më e madhe e të cilëve gjendet nën pushtimin turk dhe në Irak,të cilët sot e kësaj dite,njëjtë si shqiptarët në Turqi, edhe ata jetojnë pa asnjë të drejtë,gjuhe,tradite e kulture kombëtare apo shkollimi në këtë vend,përveç detyrimit për asimilim- shkollimin- në turqisht.
Shteti turk,mu për këto shkaqe dhe tjera të ngjashme që lidhen drejtpërdrejtë me shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, jo vetëm se nuk mundi të bëhej kurrë pjesë e botës së përparuar perëndimore, por me politikën e shtypjes dhe të terrorit që ai ushtron ndaj miliona njerëzve- të ashtuquajtur \"pakica\",pa ndryshime të thella dhe rrënjësore konform ligjeve demokratike të kohës, nuk do të pranohet asnjëherë në Bashkimin Evropian.
Ndaj,shqiptarët me siguri, sot si asnjëherë më parë, kanë mjaft argumente,të vjetra dhe të reja,të cilat u dëshmojnë atyre më së miri se dashuritë e zjarrta të Erdoganit, edhe për ta janë të menduara sipas kutit turk, njëjtë si për kurdët,shqiptarët ,armenët apo pjesë të popujve tjerë që edhe sot jetojnë pa asnjë të drejtë nën Turqi.
Pra, le të vetëdijesohemi si komb dhe njerëz,një herë e përgjithmonë,se e tillë është miqësia me Turqinë dhe vëllazërimi alla-turka me Erdoganin, në të cilat ai nuk resht të na ftoj,edhe pse ne me të drejtë dyshojmë hapur në \"sinqeritetin\" e tij dhe jemi të vendosur që të mos pranojmë më asnjëherë, dashuritë alla-turke.
Një integrim të tillë, me fat si të kurdëve dhe 5-6 milion shqiptarëve atje, të cilët detyrohen të jetojnë edhe më tej, sot e gjithë kohën pa asnjë të drejtë gjuhësore e kombëtare në Turqi,nuk duan ta përjetojnë edhe pjesa tjetër e çliruar e trojeve dhe kombit tonë, në atdheun e tyre të lirë.
Për aq më tepër,edhe Turqia vet ,me shtypjen e këtyre popujve, qofshin ata edhe pakicë, dhe e sunduar nga regjime islamiste si kjo e Taip Erdoganit, as që ka gjasa të bëhet ndonjë herë, pjesë e BE-së.
Ndaj çfarë duam ne si popull evropianë atje dhe pse u dashka të bëhen edhe këto pak toka të mbetura shqiptare - patjetër, Turqi ? Unë them jo, e besoj se edhe të gjithë shqiptarët, luten nga toka në qiell: Zot na ruaj nga një e keqe si kjo!