Çfarë është normale për një shqiptarë
Shkruar nga Faik Krasniqi
Kam dëgjuar të thuhet se njerëzit, shpesh herë nuk janë normal, se gjërat nuk rrjedhin normalisht, që të ecësh kështu apo të vishesh ashtu nuk është normale, ose është normale të veshësh fundin deri pak sipër gjurit por jo më sipër.
Kam menduar shumë se çfarë duan të thonë njerëzit kur thonë fjalën \"normale\" në të gjitha trajtat e saj.
Shqiptarët në mënyrë të veçantë kanë filluar ta përdorin shumë këtë term që po duket se i lodh për ta kuptuar, dhe nuk e kuptojnë dot pavarësisht se e thonë me dhjetëra herë në ditë.
Shqiptarët ishin mësuar nëpër shkolla të forta që të visheshin të gjithë njësoj të ecnin të gjithë njësoj, të hanin të gjithë njësoj, të kriheshin të gjithë njësoj.
Madje shqiptarët janë mësuar që të gjitha këto veprime jo vetëm t\'i bënin të gjithë njësoj por edhe t\'i bënin pak a shumë në të njëjtën kohë pasi kishin pothuajse të njëjtat orare punë. Nëse jo të gjithë njëherësh i bënin sipas turneve të punës.
Shqiptarët sot janë në një katrahurë midis normales dhe jo normales dhe kjo sipas çdo shqiptari, dhe jo më sipas një shqiptari që tregonte qartë dhe në mënyrë të pa diskutuar dhe të pa diskutueshme se çfarë është normale dhe çfarë jo.
Si mund ta kuptojmë normalen nga jo normalja, cili e ka të vërtetën në lidhje me këtë term dhe me atë çfarë donë të thotë ky?!
Unë mendoj se normale ka një lidhje të pa diskutueshme me normat e një shoqërie të caktuar. Pra do të na ndihmonte shumë të dinim me çfarë normash jetojnë shqiptarët sot, cilat janë normat të cilat një shqiptarë i ruan kur ecën, kur vishet, kur krihet, kur han dhe kur komunikon.
Mendoj se jemi në një mëdyshje të madhe në lidhje me këtë temë, sepse ne nuk kemi më një standart të cilin është i yni dhe që punojmë për ta arritur ose punojmë për ta ruajtur.
Ne tani po shohim shumë gjëra të ndryshme në vende të ndryshme të botës, dhe jemi shpërndarë në mendime moderne që jo patjetër janë edhe vlera njerëzore.
Ne duhet të krijojmë një standart me qëllim që ta arrijmë. Më ka bërë shumë përshtypje historia e një çifti shqiptarë, një diskutim mes tyre se si duhej të vishej gruaja.
Kishin tre vite martesë bashkë dhe gruaja akoma diskutonte me të shoqin se pse ai nuk e lejonte të vishej me një kanatjere kur të gjitha gratë dhe vajzat e lagjes visheshin ashtu. Burri nuk e kishte lejuar dhe vazhdonte të mos e lejonte përsëri.
Burrë dhe grua të dy po diskutonin duke thënë se është dhe nuk është normale veshja me kanatjere. Gruaja argumetonte mendimin e saj me shumicën e grave të veshura me kanatjere, ndërsa burri me pakicën që nuk vishte kanatjere dhe sipas tij nuk kishin shumë më shumë vapë se të tjerat që i vishnin.
Në fakt ky është një diskutim i zakonshëm në familjet shqiptare mes bashkëshortëve mes prindërve dhe fëmijëve, e gjithë kjo sepse normalja është e pa qartë për të gjithë ne.
A është normalja absolute apo relative?! Unë mendoj se është absolute me që për mua ka të bëjë në një mënyrë të padiskutueshme me norma të caktuara.
Fakti që ne po vuajmë kaq shumë mes normales dhe jo normales, është sepse shpesh ngatërrojmë absoluten me relativen dhe kjo i ndan i bën njerëzit konfuz dhe si pasojë të mos ndjehen rehat kur ecin, kur vishen, kur krihen dhe kur flasin.
Mendoj se një ndikim të madh në këtë katrahurë mendimesh për normalen dhe jo normalen, ka edhe mungesa e idealeve të cilat janë zhdukur nga mesi i shqiptarëve.
Ne i zhdukëm idealet ndoshta duke i parë si pjesë të komunizmit dhe e patëm të vështirë t\'i ndanim ato si vlera që do na mbanin akoma shqiptarë.
Çfarë është normale për një shqiptarë që nuk ka një standart që donë ta arrijë dhe nuk ka një ideal që donë të imitojë. Mungesa e standartit të caktuar dhe mungesa e një ideali për t\'u ndjekur po shkakton sot probleme të mëdha dhe serioze në familjet shqiptare.
(Autori është publicist dhe redaktor në gazetën e përditshme \'\'Lajm\'\')