04 Maj 2024

Çfarë është Meritokracia

Faik Krasniqi

Meritokracia nuk është gjë tjetër veç vlera që i njihen tjetrit nisur nga vërtetësia e tyre, sundim i aftësisë.

Ndesh me Nepotizmin (a) – Trashëgiminë dhe këtu përvoja ka treguar jo rrallë që djali i filanit bëhet shef aty ku ka qënë i jati, ose në atë fushë... Kjo gjë ngre psh, më e pakta dy pyetje:

    - Fëmija i punëtorit, a mund të bëhet kryeministër?
    - Fëmija i një politikani, a duhet të jetë kryeministër?
   
Merita është e barabartë me talentin ose si masë të vetën ka talentin. Kur dikush kryen një funksion, qoftë politik, shoqëror, drejtues në ekonomi e kudo, këtë duhet ta bëjë në bazë të talentit i cili nxjerr në pah edhe meritat në fushën përkatëse, ose çliron aftësitë e duhura.

Nëse futemi thellë fjalës meritë zbulojmë në thelbin e saj, bazën e demokracisë, ose e pakta mund të krahasohet me të nga përmbajtja.

Në fakt, në kushtet e Shqipërisë së sotme, Meritokracia do të ndeshet shumë shpejt me klasat që sundojnë, me forcat politike, me paditurinë e tyre dhe me pandërgjegjen e tyre. Këneta e Stigjes që e mbyt me avuj helmues meritokracinë.
   
Në Shqipëri, sistemi politik, qeveritar e ka zëvendësuar me atë besues, (ky është i partisë sime), Meritokracia (edhe pse s’është i partisë sime, i përket pozicioni drejtues sepse ka talent dhe njohje profesionale të thellë) tenton të zhduket pa dëshirën e vet.

Duke gërvishtur paksa në sipërfaqe këtë plagë të trashëguar shqiptare, them të trashëguar sepse s’mund të përjashtohet koha që e ka përpunuar, psh lidhjet fisnore, krahinore, politike, ekonomike, ideologjike, etike etj, spostohen vetiu në fund dhe nëse dalin në krye të listës, atëhere shpaloset një pamje tjetër.

Nuk besojnë ata që s’mbushin barkun me bukë, por ata që e frynë plëncin aq sa u pëlcet. Asnjë varfanjak, psh, një që s’ka të hajë bukë në darkë, nuk mendon me zemërim fqinjin e tij që ka dhe nuk i shkon ndërmend se tjetri po i ha kafshitën e bukës që i takon atij.

Në rastin në fjalë rrëshqasim drejt zilisë, merita këtu qëndron shumë larg horizontit. Një trup i uritur nuk ka kohë fiziologjike për mendime dhe ndjenja mefistofelike sepse duhet të luftojë për ekzistencën.

Ndërsa një politikan, i cili nga ana tjetër është mirë nga gjendja ekonomike, dmth nga ata që gjithë ditën mendojnë të përvetësojnë diçka sepse e “meritojnë” – për ç’arsye?! pra ky politikan mund dhe e, eliminon meritokracinë – akti në veprim, duke e zëvendësuar me Plutokracinë – ja arsyeja.

Plutokracia si fuqi politike e matur me, dhe në vartësi, të fuqisë ekonomike, pavarësisht nga aftësia profesionale dhe intelektuale, e politikanit në fjalë. Mund të jetë një copë i paditur, por ka pasuri, e natyrisht dikton edhe politikën.

Në Shqipëri ky është një fenomen tmerrësisht i rrezikshëm, i konkretizuar çdo ditë me ngjarje të ndryshme, ku nuk sundon ligji, por vullneti i politikanit, i ministrit, i nëpunësit doganor etj.

Është për tu shënuar se, historikisht ardhja në fuqi e nazizmit u pasua edhe nga lufta që i bëri Plutokracisë, duke e lidhur këtë fenomen të shëmtuar me vendet demokratike, për të justifikuar diktaturën dhe si mjet ai,(nazizmi) përdori pakënaqësinë e masave.

Pra, kur Plutokracia zëvendëson meritokracinë, do të thotë as më shumë dhe as më pak mbytje e demokracisë. Një fenomen i tillë lehtëson përpunimin e pakënaqësisë.

Merita bazë pakënaqësie.

Çfarë ndodh me pjesmarrësit e një konkursi i cili ka si rrjedhojë edhe çmime? Ja një pyetje që zbulon diçka shumë interesante. Thuajse të gjithë, përjashto fituesin e çmimit ose vendit parë, janë të pakënaqur.

Ndodh ngaqë, të gjithë mendojnë se u është bërë një padrejtësi. Ata që nuk fituan asgjë, jane të pakënaqur, ata që fituan një çmim të tretë besonin se meritonin të dytin, ndoshta të parin (dëshira është maksimale, kurrë një rrugë e mesme), dhe ai që fiton çmimin e dytë sepse besonte se meritonte të parin. Pse ndodh kjo? Sepse të gjithë e konceptojnë sikur u është bërë një padrejtësi. Në fakt çmimet janë diçka që vetëm fitohen, asnjëherë nuk humben.

PS- Nepotizëm – kuptimi i fjalës kërkohet tek solidariteti me të afërmit. Historikisht si fjalë lindi në shek XV-XVI kur disa papë të periudhës u bënin favore (dhe shkëmbenin) familjarëve të tyre, veçanërisht nipërve (Nipote), nga ka rrjedhur edhe fjala nepotizëm!

(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i Kryesisë së’’ALEANCA KUQ E ZI’’)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)