Çfarë duhet të bëjë Kosova pas vendimit të GJND-së
Shkruar nga Behgjet Pacolli
Mendimi këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë pro ligjshmërisë së pavarësisë është pagëzimi i plotë i Kosovës së pavarur prej bashkësisë ndërkombëtare. Ndaj ne të gjithë jemi shumë të lumtur për gëzimin që vendimi ka krijuar në anembanë Kosovën. Populli shqiptar i Kosovës, mbarë Kosova e meritonte një vendim të tillë!
Ai është rezultati i ligjshëm i betejës sonë të parë juridike me Serbinë. Ne e fituam këtë betejë. Ne e mundëm Serbinë. Fushëbeteja jonë ishte në qendër të botës. Bota u bë me ne dhe ne shtuam miqtë tanë. Me njohjet e reja, ata do të jenë më shumë. Si një njeri që kam kontribuar për njohjet, unë e ndiej lehtsinë që do të sjellë ky vendim në punën time të ardhshme dhe të institucioneve të Kosovës.
Ai është një vendim i jashtëzakonshëm pasiqë u arrit me vështirësi të mëdha, me një luftë të vendosur të të gjithëve ne, por dhe miqve tanë. Ky vendim nuk ishte meritë ekskluzive e një institucioni të vetëm, as vetëm e institucioneve, por e gjithë klasës politike kosovare, e gjithë popullit shqiptar që kanë treguar pjekuri, vetëpërmbajtje, dhe lidhje të fortë me vlerat perëndimore. Që shumë kohë më herët, që kur ka filluar lëvizja për pavarësi. Madje të parëve ne sot duhet t\'i bëjmë homazh heronjve të pavarësisë!
Ne duhet t\'i bëjmë homazh Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kryesojnë frontin e miqve të Kosovës. Ata na ndihmuan gjatë Luftës së 1999, dhe më pas, ata besuan në pavarësinë tonë, ata besuan se Kosova do të jetë histori suksesi.
Ata donin që të ishin bashkë me ne, pikërisht ditën e shpalljes së vendimit të Gjykatës. Ne e vlerësojmë shumë faktin që zvendëspresidenti i SHBA-ve, Bajden, njeri nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës dhe të popullit shqiptar e takoi kryeministrin tonë pikërisht këto ditë.
Ne vlerësojmë shumë Bashkimin Europian i cili ka punuar dhe do të punojë me siguri që të garantojë perspektivën europiane të Kosovës.
Mendimi këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë hap një perspektivë të re për Kosovën, për rajonin dhe faktorin shqiptar në përgjithësi.
Serbia tashmë duhet të heshtë në lidhje me këtë çështje. Ajo duhet të harxhojë energji në drejtim tjetër, në drejtim të paqësimit të marrëdhënieve me Kosovën. Në drejtim të zgjidhjes së gjithë atyre problemeve që kanë mbetur pa zgjidhur dhe për këtë ne presim të trajtohemi me respekt dhe në paritet të plotë.
Pas vendimit të fundit të GJND, ne presim që brenda pak kohësh OKB-ja të ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës. Ne presim që brenda pak kohësh Këshilli i Sigurimit, me këtë dokument juridik të ri, i cili e zhvlerëson përfundimisht edhe de jure Rezolutën 1244, të miratojë një rekomandim të ri për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe kjo nga ana e vet, një rezolutë të re që ta pranojë Kosovën në familjen e kombeve, si anëtare me të drejta të plota. Ne shpresojmë se me klimën e re të marrëdhënieve që ekzistojnë midis anëtarëve të këtij Këshilli, me të drejtë vetoje, përkatësisht midis SHBA-ve dhe Rusisë, apo Kinës, një rezolutë e re është plotësisht e mundshme.
Mendimi Këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë konfirmon sovranitetin territorial të Kosovës, paprekshmërinë e kufijve të saj. Ndaj ne rikonfirmojmë me forcë kundërshtimin ndaj çdo imponimi, ndaj çdo skenari për territorin e Kosovës.
Ne presim sot pas vendimit të GJND -së, që tanimë energjitë tona, të klasës politike, të shoqërisë sonë, të përqëndrohen në: drejtim të:
a) një strategjie të re për njohjet, që patjetër duhet të përfshijë dhe punën për rezolutën e re të OKB-së.
b)në punën për mbushjen me lëndë të shtetësisë së Kosovës. Ne duhet ta bëjmë funksional shtetin e ri tonin me institucione të reja, të forta, të besueshme, garanci e shtetit ligjor. AKR-ja zotohet se në përputhje me stadin e ri ku ka arritur Kosova, do të zhvillojë një opozitë reale, të drejtë dhe që mbron interesat e popullit të Kosovës.
Kjo arritje e madhe e popullit shqiptar të Kosovës nuk duhet t\'i bëjë triumfatorë institucionet në fuqi. Ato duhet ta kuptojnë këtë moment si moment marrje përgjegjësish më të mëdha, si moment reflektimi për kritikat që i janë bërë nga ana e opozitës dhe të kuptojnë se Kosova është e të gjithëve.
Sot shqiptarët janë më të fortë. Më të qetë. Kur ata janë më të fortë dhe më të qetë, ata nuk abuzojnë me forcën e tyre, por i japin qetësi rajonit. Por tashmë ata duhet të respektohen më shumë.