Çfarë do të thotë të jesh lider
Shkruar nga Faik Krasniqi
Dwight D. Eisenhower thotë: Lidershipi është arti kur dikush tjetër bën diçka që ju doni të bëhet, sepse ai dëshiron ta bëjë.
Colin Powell thotë: Më jep njerëzit e duhur dhe nuk më intereson se çfarë organizate do më japësh. Gjëra të mira do të ndodhin.
Strategjia pa taktika është rruga më e ngadaltë për fitore. Taktikat pa strategji janë zhurma para mposhtjes, thoshte Sun Tzu
Duke qenë se kam lexuar pak nga Makiaveli, po shkruaj një thënie të tij, sepse në detaje dhe fakte siç e përshkruan ky diplomat gjenial pozicionin e një lideri, nuk besoj se e përshkruan ndonjë diplomat tjetër i mëvonshëm.
Nuk është e rëndësishme për një lider (Princ) të këtë të gjitha cilësitë që kam përmendur unë, por është e nevojshme për liderin të duket sikur i ka të gjitha ato cilësi... ai duhet të rrezatojë i gjithi (vetëm duke e parë dhe duke e dëgjuar atë) mëshirë, besnikëri, integritet, dashamirësi, besim, por mendja e tij duhet të jetë e përshtatur në atë mënyrë që në qoftëse është e rëndësishme të mos ketë gjithë këto cilësi, atëherë ai duhet të dijë se si të ndryshojë në të kundërtën e këtyre cilësive... ai duhet të dijë sesi të hyjë nga ana e ligësisë kur është e nevojshme.
Njerëzit në përgjithësi gjykojnë më shumë nga sa shikojnë, sesa nga sa ndiejnë, kështu që të gjithë shikojnë se si dukesh, po pak e kuptojnë se çfarë je, dhe ata pak që e kuptojnë, nuk guxojnë të kundërshtojnë mendimin e të shumtëve të cilët kanë madhështinë e shtetit si mbulesë që i mbron, është shpjegimi perfekt nga Makiaveli. Kjo është e vërteta sesi duhet të jetë një lider i suksesshëm.
E. M. Kelly thotë: Ndryshimi midis bosit dhe liderit është ky: ndërsa një bos thotë: Shko! - një lider thotë: Le të shkojmë!.
Lider i mirë është ai që atë që thotë me gojë e zbaton me vepra! Për një lider nuk është e domosdoshme njohuria, besimi në vetvete, humori etj. Një lider e ka të shkruar në sy. Lider lind në jetë.
Lidershipi ka dy përbërës: Sakrificën plus mbrojtjen e së drejtës! Lidershipi ka dy produkte: Bashkimin plus inspirimin!
Liderët e mëdhenj dallojnë nga demagogët, se ata gjithmonë sakrifikojnë gjithçka nga jeta e tyre për një kauzë më të madhe se vetja dhe gjithmonë mbrojnë të drejtën me çdo çmim, edhe atëherë kur kjo e drejtë mund tu kushtojë pushtetin personal. Liderët dinë të kërkojnë edhe falje kur gabojnë; demagogët i mbulojnë gabimet e tyre me premtime të gënjeshtërta. Liderët janë të mirëpritur kudo dhe gëzojnë respektin e popullit të tyre duke u kthyer kështu në një burim inspirimi dhe shembulli të mirë për brezat në vazhdim.
Dale Carnegie thotë: Shfrytëzoje rastin! E gjithë jeta është një rast. Ai njeri që shkon më larg, zakonisht është ai që është i gatshëm të bëjë dhe të guxojë. Barka e sigurt kurrë nuk lundron shumë larg bregut.
Motivimi, që është pasioni për të punuar për arsye që shkojnë përtej parasë apo famës. Tendenca për të arritur objektivat me energji e këmbëngulje. Karakteristikë kryesore e motivimit është dëshira e madhe për të arritur diçka, dhe optimizmi, edhe në rast dështimi. Motivimi i njerëzve kërkon vërtet talent. Propaganda nuk ndihmon. Të inspirosh njerëzit kërkohet më shumë se para.
Në mjediset shqiptare flitet shpesh se si politikanë blejnë vota. Pse? Sepse ata nuk kanë asnjë nga cilësitë që një lider duhet të ketë.