Çfarë do të thotë "kosovar", të gjithë jemi shqiptarë

Shkruar nga Faik Krasniqi
Shqiptar apo ''kosovar'' ky ishte titulli i një diskutimi që u zhvillua para dy viteve në emisionin ''Top Show''. Personalisht debati më la një shije të hidhur në gojë dhe nuk prisja nga ana e shqiptarëve (apo të ''kosovarëve'' siç kanë qejf ta thërrasin vetën shumë në Kosovë) të Kosovës atë lloj reagimi (mbase ishte vetëm reagimi i atyre pseduoanalistëve që ishin të ftuar në emision).
Si mundet sot të ketë kuptim një pyetje e tillë? Çfarë do të thotë ''kosovar''? Sot në qoftëse ka një shtet të Kosovës dhe kjo ishte gjëja më madhore për shqiptarët e Kosovës pas shekujsh pushtimi, nuk do të thotë që ky veprim i thjesht administrativ të vërë në pikëpyetje të qenit një komb?
Shqiptarët kurrë nuk e kanë humbur identitetin e tyre kombëtar as mbi pesëqind vjet nën perandorinë osmane, as nën bizantim dhe as nën serbin dhe komunizmin.
Si mundet sot kur ne jemi të lirë të shtrohet një pyetje e tillë, kur edhe Arbëreshët që kanë mbi pesë shekuj të shkëputur nga toka mëmë kur i pyet sot thonë që janë shqiptarë.
Çfarë do të thotë me qenë ''kosovar'', çfarë ndryshon sikur të thuash se jam prishtinali apo jam durrësak, tiranas ose tetovar?
''Nuk e besoj që sot të ketë në Kosovë një elitë e cila vetëm për të pasur një karrige dhe pak më shumë pushtet arrin deri aty sa vë në dyshim të qenit Shqiptarë''.
A e harrojnë këta njerëz kaq lehtë gjakun e derdhur në emër të shqiptarizmës, jo vetëm në luftën e fundit për lirinë e Kosovës, por gjakun e derdhur nga breza të tërë patriotësh për të gjithë tokën arbërore.
Po të harrohet gjaku atëherë me gjithë mend që paska humbur identiteti i këtyre njerëzve dhe do t'u japin të drejt serbëve dhe sllavomaqedonasve(bullgarëve) me enciklopeditë e tyre.
Ne jemi pellazgë, arbër dhe shqiptarë qoftë në kufinjtë e shtetit që quhet sot Shqipëri, qoftë në kufinjtë e shtetit që quhet sot Kosovë (Dardani) apo Maqedoni(Arbëri), Mali i Zi(Malësi) e Serbi, jemi Shqiptarë edhe në kufijntë e shtetit grek (edhe pse ata e mohojnë) dhe si përfundim jemi Shqiptarë kudo që ndodhemi nga Evropa në SHBA. Jo vetëm ne por dhe bijtë e bijëve tanë do të jenë SHQIPTAR, siç janë dhe sot e kësaj dite kudo nëpër Botë.
(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të Aleanca Kuq e Zi)