23 Dhjetor 2024

Çfarë bisedimesh me Serbinë i duhen Kosovës

Shkruar nga Milazim Krasniqi

Reagimet dhe polemikat ndërmjet zyrtarëve të partive politike të shqiptarëve të Kosovës se a duhet të zhvillohen bisedime me Serbinë, përditë e më shumë e zbulojnë papjekurinë e këtyre partive si përfaqësuese të interesave të qytetarëve të këtij vendi.

Së pari, niveli emocional i reagimeve ka të bëjë me mungesë përvojash, me papjekuri për t’u ballafaquar me tema e përmbajtje serioze, që në fakt janë testi kryesor me të cilën mund të matet  përgjegjshmëria e tyre. Së dyti, niveli i ulët i njohurive lidhur me nevojën e bisedimeve ndërmjet shteteve që kanë konteste të hapura, ose që janë në gjendje konflikti të ngrirë, sikundër është në të vërtetë gjendja ndërmjet Kosovës e Serbisë, e bënë edhe më të qartë krizën e përfaqësimit të qytetarëve të Kosovës, jo vetëm në bisedimet eventuale po edhe në institucionet ekzistuese.

 Dy qasje të ndryshme - por që bëjnë dëm njësoj

Sa i përket nivelit emocional të reagimeve, ai tashmë e ka deformuar komunikimin e qytetarëve me partitë politike dhe zyrtarët politikë, aq sa ata mund të shkulin flokët (nëse i kanë), të  çjerrin fytyrën, por tek qytetarët nuk arrijnë të krijojnë as emocion e as opinion. Duke  gulçuar për gjëra të vogla, duke u bërë histerikë për gjithçka, shumica tashmë janë bërë të pabesueshëm për çfarëdo që të thonë, gjë që është keq për cilësinë e komunikimit politik dhe për kohezionin në shoqërinë tonë.

Pak a shumë janë bërë si ai bariu gënjeshtarë, të cilit nuk i besoi askush, kur ujku vërtet i ra në kope, sepse më herët kishte ulëritur “ ujku, ujku”, duke gënjyer. Ndërsa, sa i përket nivelit të ulët të njohurive politike, kjo tashmë është aq e qartë sa që opinioni më i përhapur është se shumica e politikanëve janë njerëz të padijshëm, që kanë hyrë në politikë si zhvatës, e jo si njerëz të vendosur e të dijshëm, që angazhohen me dijen dhe me autoritetin e tyre, që t’i mbrojnë interesat e shtetit dhe të popullit që e përfaqësojnë. Edhe ky perceptim e ka tagrin e vet, sepse pengon identifikimin e qytetarëve me institucionet dhe me shtetin e tyre.

Nga ana tjetër, edhe ata që flasin me lehtësi të padurueshme për dialogun e bisedimet, si diçka që qysh në start e ka të garantuar triumfin e Kosovës, shkaktojnë të njëjtin dëm e të njëjtat pasoja, si për cilësinë e komunikimit me qytetarët ashtu edhe për dobësimin e kohezionit shoqëror. Nga negociatat e Vjenës e deri te dialogu teknik, është bërë shumë e qartë se dialogu e bisedimet me Serbinë janë të vështira, me shumë rreziqe dhe nuk e kanë të garantuar zbatimin, as kur arrihen marrëveshjet nominalisht.

Prandaj, nuk mund të flitet me lehtësi për bisedimet që do të pasojnë, edhe për faktin se tash Serbia e ka pozitën negociatore më të fortë se kurrë më përpara. Për deri sa qeveria e Boris Tadiqit ka pasur përballë vetes një opozitë të fuqishme nacionaliste, qeveria e tashme e Nikoliqit/ Daqiqit, ka përballë një opozitë të dobët e në krizë të thellë. Qeveria e tashme e ka edhe një favor tjetër: moszbatimi i marrëveshjeve është një gjë e trashëguar nga qeveria e mëhershme, prandaj edhe nëse nuk do të zbatohen marrëveshjet e reja, qeveria e tashme serbe nuk do të mund të penalizohet nga Bashkimi Europian si nismëtare e bllokimit të tyre, sepse këtë praktikë e pati instaluar qeveria “properëndimore” e Tadiqit.

Po ashtu, qeveria e Tadiqit, e udhëhequr nga një teknokrat, Mirko Cvetkoviqi, ka qenë shumë më pak e motivuar që të nxjerrë favore nga dialogu, ndërsa qeveria e Nikoliqit dhe e Daqiqit, ka motiv jetësor që të revanshohet ndaj Kosovës, meqë partitë e tyre kanë qenë në pushtet kur NATO-ja pati detyruar për kapitullim qeverinë serbe. Analiza e mirëfilltë e këtij konteksti të ri në të cilin gjendet qeveria serbe dhe shteti serb, është e domosdoshme, sepse  bisedimet e ardhshme nuk janë rutinore, nuk janë teknike, po janë përpjekje për të nxjerrë Serbia sa më shumë koncesione nga Kosova.

 E vetmja digë kufizuese e kësaj ambicie të shfrenuar të qeverisë së tashme serbe, është kushtëzimi i integrimit europian të Serbisë me kooperativitetin në bisedime dhe moderacionin që të arrihen marrëveshje dhe që të zbatohen. Po të mos ishte kjo digë kufizuese, bisedimet më parë do të të mund të prodhonin pretekst të ri konflikti, se sa marrëveshje të reja.

Megjithatë, as kjo digë nuk është e mjaftueshme për ta ndalë turrin e ambicieve revanshiste të qeverisë së re të Serbisë, prandaj edhe në këtë aspekt institucionet e Kosovës duhet të jenë të vëmendshme e të caktojnë vijat e kuqe edhe në raport me kërkesat e Bashkimit Europian. Kjo edhe për arsye se Bashkimi Europian në përpjekjet e veta që ta largojë sa më shumë Serbinë nga përqafimi i “ariut rus”, është në gjendje të bëjë edhe koncesione të reja ndaj ambicieve e pretendimeve serbe.            

Kosova ka nevojë për marrëveshje që i jep fund konfliktit të ngrirë

Por, përtej këtyre dy qasjeve të skajshme dhe jorealiste të politikanëve të vendit tonë, është e qartë se Kosova ka shumë nevojë për dialog e bisedime me Serbinë, në mënyrë që çështjet e hapura, që janë si gur në qafë për shtetin tonë, të zgjidhen me marrëveshje. Parimi themelor në kontestet e mbetura ndërmjet shteteve që kanë qenë në luftë, është që shteti fitimtar, të ofrojë nisma për zgjidhjen e kontesteve të mbetura dhe arritjen e   

marrëveshjes paqësore. Nëse Kosova ka fituar nga lufta me Serbinë, ( nga një krahinë autonome është bërë shtet), atëherë Kosova ka nevojë më shumë se sa Serbia që të mbyll kontestet dhe që të çlirohet nga barra e gjendjes së luftës, të cilën e ka me Serbinë aktualisht. Fatkeqësisht, gjendja e luftës ndërmjet Kosovës e Serbisë është vetëm e ngrirë, por jo e hequr. (Pra, konflikti i ngrirë është ndërmjet Kosovës e Serbisë e jo ndërmjet Kosovës dhe serbëve në veriun e saj.) Marrëveshja e Kumanovës e obligon Serbinë në raport me NATO-n, por jo në raport me institucionet e Kosovës. Kosova nuk e ka zgjidhur konfliktin me Serbinë në vitin 1999, sikundër pohojnë disa politikanë ndër ne, siç nuk e ka të zgjidhur atë konflikt as në vitin 2012. Kosova që nga viti 1999 është nën mbrojtjen e NATO-s, por kjo formalisht është e përkohshme. Prandaj Kosova ka nevojë për një marrëveshje të veten me Serbinë, e cila do t’i jepte fund kontestit territorial dhe konfliktit potencial.

Më së miri do të kishte qenë po qe se dialogu do të zhvillohej në kuadër të diplomacisë së fshehtë, (pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.) Por, kjo nuk ka qenë e mundur që të imponohet nga një shtet i brishtë si Kosova, i cili efektivisht është nën mbikëqyrje civile dhe ushtarake. Prandaj as Serbia nuk ka pasur ndonjë interes të zhvillojë negociata të fshehta me një shtet që nuk është plotësisht sovran dhe nuk është i aftë të zbatojë marrëveshjet eventuale, si produkt i diplomacisë së fshehtë. Fatkeqësisht, kjo gjendje e Kosovës është edhe sot e do të jetë edhe pas 10 shtatorit, që do të thotë se motivimi për negociata të qeta, larg presionit të opinionit, nuk i konvenon Serbisë. Përkundrazi, Serbisë i konvenon që të bëhet sa më shumë hallakamë politike, sa më shumë zhurme mediale, sa më shumë ç’orientim i opinionit publik në Kosovë, sepse të gjitha këto së bashku e dobësojnë kohezionin politik e shoqëror dhe e dëmtojnë imazhin e shtetit të Kosovës.

Meqë për bisedimet e ardhshme me Serbinë ka muaj që është duke u zhvilluar hallakamë politike, zhurmë mediale dhe ç’orientim i opinionit, është e qartë se e gjitha i konvenon pozicionit negociator të Serbisë. Në Serbi tema e bisedimeve të ardhshme është margjinale, brenda një jave a përmendet një herë a nuk përmendet fare nga partitë e nga mediet. Sigurisht që institucionet e Serbisë (Kuvendi, qeveria e presidenti) e bëjnë punën e vet përgatitore, duke e përgatitur platformën koncensuale, por ata nuk janë në presionin e opozitës e as të medieve.

Rrjedhimisht, edhe qytetarët  e Serbisë janë më të qetë e më kontribues për pozicionimin sa më të fortë të qeverisë së tyre në bisedimet e ardhshme me qeverinë e Prishtinës. Kjo në dukje të parë është paradoksale: qeveria e shtetit humbës është më komode, ndërsa fitimtari është në siklet, në depresion pothuajse kolektiv. Kjo gjendje kushtëzohet nga papjekuria që e karakterizon politikën në Kosovë, ku dominimi i reagimit emocional, zbulimi i paditurisë dhe optimizmi pa mbulesë, i jep shpresë humbësit se mund të rikuperojë humbjen e para trembëdhjetë viteve.

Pra, Serbia e dëshiron dialogun, me shpresë se do t’i shfrytëzojë dobësitë e shoqërisë dhe të qeverisë sonë, e jo pse ka adute të forta në duar. Të gjithë në Serbi e dinë se Kosova është bërë shtet i pavarur me intervenimin e NATO-s e nën sponsorizimin e SHBA-ve dhe se kjo pavarësi nuk mund të zhbëhet përderisa është e njohur nga shtete si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca e Gjermania. Është e qartë se gjeopolitika e Perëndimit ndaj Ballkanit e ka sjellë intervenimin e NATO-s dhe se mbetja e Kosovës nën ombrellën e saj mbrojtëse (bashkë me Shqipërinë që tashme është anëtare e NATO-s, po edhe me Maqedoninë, Malin e Zi  e me Kroacinë) është e pakthyeshme.

Megjithatë, Serbia luan lojën e vet, gjasme nuk i ka të mirënjohura këto fakte dhe shpreson se në të ardhmen mund të ketë ndryshime të raportit të forcave ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë. Projektet serioze të shtet ndërtimit (edhe me pretendimet e veta imperiale a koloniale) nuk janë sezonale, po të qëndrueshme dhe presin kohë të përshtatshme për finalizim ose për revansh. Edhe nga ky aspekt, pra i  favoreve të tashme gjeopolitike, Kosova më shumë ka arsye të ngutet që të arrijë marrëveshje të negociuara e të qëndrueshme me Serbinë, se sa Serbia.

Por, edhe në planin praktik, Kosova ka arsye më të mëdha që të kërkojë dialogun dhe arritjen e marrëveshjeve me Serbinë, ngase është nën presionin ngulfatës të Serbisë, e cila ka kontroll mbi një pjesë të territorit të Kosovës, me të cilin sa herë dëshiron e lëkundë stabilitetin e shtetit tonë. Kosova nuk ka kapacitetet e nevojshme për ta ndryshuar vetë këtë gjendje, (raporti i forcave është në favor të Serbisë), po as mandatin e mirëfilltë shtetëror nuk e ka, meqë KFOR-i është autoriteti kryesor për sigurinë në kufijtë e Kosovës (intereveninmi do të shkaktonte konflikt ndëretnik dhe involvim të Serbisë në konfliktin brenda Kosovës.) Prandaj, Kosovës i duhet dialogu, i duhen bisedimet e ndërmjetësuara, në mënyrë që disi ta lehtësojë edhe presionin e orkestruar nga serbët lokalë të veriut dhe nga shteti serb.

Çfarë kornize duhet të kenë bisedimet e ardhshme?

Por, Kosovës nuk i duhen çfarëdo bisedimesh. Korniza tematike e bisedimeve duhet të fiksohet qartë dhe të miratohet nga Kuvendi i Kosovës, si organi më i lartë i pushtetit të popullit në vendin tonë. Formati mund të jetë bisedime politike për çështjet e hapura ndërmjet Kosovës e Serbisë,  por që si kufi nistor e kanë vendimin e Gjykatës së Hagës për pavarësinë e Kosovës dhe rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që e pasoi atë vendim. Vendimi i Gjykatës vetvetiu përfshinë brenda vetes edhe rezolutën 1244, meqë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në kundërshtim me atë rezolutë. Nëse temat shkojnë përtej vendimit të Gjykatës , kurrë nuk mund të krijohet një kornizë e pranueshme e tyre.

 Ndërsa, brenda kësaj kornize (pra vendimit të Gjykatës sipas të cilit pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me rezolutën 1244 dhe të drejtën ndërkombëtare), mund të bisedohet edhe për serbët e veriut edhe për çfarëdo teme tjetër. Kur kufijtë janë të garantuar, duke respektuar kornizën e krijuar nga vendimi i Gjykatës së Hagës, kjo nënkupton se involvimi i Serbisë nuk mund të jetë në çështje që janë të brendshme. Rrjedhimisht, problemet e serbëve të veriut do të adresoheshin ne një dialog të veçantë të tyre me qeverinë e Kosovës, me çka edhe qeveria e Serbisë do të mund t’i lante duart e të mos dukej e turpëruar në sytë e qytetarëve të vet.   
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)