23 Dhjetor 2024

Çështjet Limaj: Aktualisht me shpifje të nivelit 320 %

Shkruan: Muhamet MAVRAJ

Donatorët japin ndihma ligjërisht për partitë politike. Dega e Partisë Demokratike në Gjilan e kishte lënë anash një donator të fushatës parazgjedhore, ndërkohë që shumë jomeritorë kishin dalë në saf të parë. Ky i shkruan sms një këshilltari të Limajt për hidhërimin e vet.

Ta lexojmë këtë mesazh: “O shoq, unë i kam dhënë 5 mijë euro për partinë ti e din. I ke pa vetë e ata m... kanë thirrur të tjerë“. Tani të provojmë këtë variant: “O shoq, unë i kam dhënë 500 mijë euro për partinë ti e din. I ke pa vetë e ata m... kanë thirrur të tjerë“. Ky i dyti po flet për gjysmë milioni euro. Në tavolinën e një prokurori serioz ky mesazh duhet një orë më parë të dalë në bankë të zezë. Por, është i rremë. Dhe, në të ka gisht vetë Prokuroria, apo një e më shumë prokurorë.

Gjithë ajo histori dramatike kundër Fatmir Limajt nisi me një mesazh të montuar, pastaj me shumë të tjerë. Të tjerët mesazha, krejtësisht të paqenë, të këmbyer gjoja nga donatori biznismen në telefonin e këshilltarit të Limajt prodhoheshin në zyrën e Anti-drogës në policinë e Kosovës, nga dora e një manjaku apo më shumë manjakësh që ende nuk dihet realisht për kënd kanë punuar dhe për kënd punon a punojnë.

Dihet vetëm se është ushtruar veprimtari e rëndë kriminale edhe kundër individëve edhe kundër shtetit. Duke marrë pagë të majme të shtetit. Dhe, Zoti e di nga kush tjetër. Në prill të vitit 2010 nisi filmi anti-Limaj, me bastisje spektakulare dhe propagandë të hatashme, shkatërruese. Ato tashmë i dini. Dhe, fatin e Fatmir Limajt po ashtu.

Rrallë ka pas bota fshehtësi të vërtetë të komunikimit. Një mori aktesh ndërkombëtare, të transpozuara në ligjet e brendshme kombëtare, kanë garantuar fshehtësitë e komunikimeve. Rregullativat e komunikimeve private gjithmonë janë thyer nga vetë shtetet, me shekuj, por pak është ditë për to jashtë zyreve të shtetit, sikurse jeta normale e njerëzve nuk është atakuar nga leximi i jetëve të tyre nga shteti.

Së voni përgjimet kanë marrë fuqi të re ligjore duke u dhënë komoditet të jashtëzakonshëm hetuesve të botës që të hetojnë botën duke qëndruar në zyrë. Në vendin tonë rreth 80 % të aktakuzave shtetërore bëhen pa e luajtur këmbën nga zyra. Njëmbëdhjetë njësi policore kanë qasje në përgjime.

Një numër i jashtëzakonshëm përgjimesh kryhet në këtë vend dhe një numër i madh i njerëzve janë të përfshirë në përgjime, vend e pa vend, ndërsa pas kotësisë së përgjimeve, ato nuk shkatërrohen sipas ligjit, madje as që njoftohen të përgjuarit, sipas ligjit, se kanë qenë të përgjuar. Kjo është ana më pak e keqe e rrëfimit të përgjimeve. Ana më e keqe është numri i madh i zyrtarëve që fusin hundët në përgjime, karakteri i ulët i tyre, karakteri shoshë, që nuk mban fshehtësitë e jetëve private dhe pushteti i jashtëzakonshëm joligjor që gëzojnë me armën e disqeve përplot mesazhe e biseda telefonike, një armë atomike për shantazhe private.


Ka disa interepretime të zbulimit të korrespondencave, varet nga lloji i tyre. Miti i fshehtësisë së korrespondencave të botës është shembur përdhe nga WikiLeaks që atë ditë që një ushtar shiti fshehtësitë e komunikimeve diplomatike amerikane. Atë ditë ishte fundi. Por, ajo nuk ka prekur sferën private të njerëzve. Në kuptimin mitik të saj, pas 11 shtatorit 2011, ajo nuk ekziston më askund në botë. Lufta ndërkombëtare kundër terrorizmit dhe trafiqeve të ndryshme, u ka dhënë pushtet të madh njësiteve anti-terror dhe anti-drogë. Terror e drogë shpesh prodhohen nga vetë to.


Në rastin e komunikimeve në Kosovë, ka diçka edhe më keq: komunikimet normale jo vetëm që përgjohen e zbulohen pa asnjë bazë të qëndrueshme ligjore, por edhe falsifikohen! Dhe, kjo tashmë është një sekret publik, një e fshehtë e hapur për të gjithë. Shteti ka ngrit disa aktakuza për keqpërdorime flagrante të komunikimeve private, por rasti më i madh, që do të hyjë në historinë e telekomunikimeve të Kosovës, është pa kurrëfarë dyshimi rasti i Fitim R.-së kundër Fatmir Limajt.

Ky rast, i tipit të bombave kaseta që hidhen nga avionët, ka prodhuar pasoja të rënda, të jashtëzakonshme për Limajn, një mori bashkëpunëtorësh e familjarësh të tij, sikurse edhe implikime të rënda në familjet e bashkëpunëtorëve të Limajt. Megjithatë, ka edhe më keq: Nuk është vetëm pasoja ne jëtën e njerëzve tjerë, sa është një krim shumë më i madh sesa ky: lënia në liri, madje në pozicione komode nga shteti e autorit të atij krimi të shëmtuar që shkatërron me themel besimin në gjithçka që ka një lidhje me shtetin.


Pas luftës, gjithçka hyri në institucione. Pa 17 shkurtit 2008 kemi një shtet dhe nëse ky shtet i kreh ende shpërdoruesit e besimit të ligjit, as shteti s’ka çfarë na duhet. Ose është shtet i ligjit, ose, kërkoj falje nga lexuesit për shprehjet, shtet që gjeneron krime. Njerëz si ai që ka montuar sistematikisht mesazhe rrënuese, duke qenë brenda policisë së Kosovës në vitin 2009, nuk duhet të mbrohen e mbulohen, por të nxirren para drejtësisë.


Pse nuk është në burg ky Fitim R. dhe pse prokurori i Eulexit ende e mban Limajn nën shantazh burgu mbi bazë falsifikimesh? Po shteti ynë pse e lejon këtë krim të Eulexit? Duke mbajt e lënë të qetë një të tillë Fitim, edhe policia është në humbje, besimi në të, edhe imazhi i PTK-së që i ka bërë strehë më vonë, sepse pikërisht në llogari të numrave të Valës 900 janë falsifikuar/shpikur mesazhet telefonike nga ai soj Fitimi.

Por, edhe Prokuroria Speciale e Kosovës ku punon i ati i Fitim R., pavarësisht nëse ka apo jo gisht në këtë krim të shëmtuar, pavarësisht nëse i ka parë apo jo më herët deklaratat publike të policisë që pranonin montimin e mesazheve nga i biri i tij. Nëse ka shtet në këtë vend, varet pikërisht nga ajo derë: Prokuroria Speciale e Kosovës. Mosbesimi në të, është mosbesim në shtetin, mosbesim në lirinë, në dinjitetin e paprekshëm, një fyerje e rëndë e psikologjisë shqiptare.
Limaj është në një kurthë komplekse të shtyllave të politik

ës vendore e evropiane, sistemit të drejtësisë, në radhë të parë prokurorëve të Eulexit, dhe abuzimit marramendës të policëve të farës sonë, para së gjithash të ish policit të tipit të Fitim R., i biri i një prokurori special të Kosovës, Ali R.

Rasti Limaj fillon prej tij dhe viktimë nuk është më vetëm Limaj, por tërë imazhi i Kosovës, tashmë imazh i zi. E thamë dje në këtë gazetë, se deri më tani akuzat publike kundër Limajt rezultuan 320 % të pasakta dhe shpjeguam pse: Sepse prokurori i huaj, pas 30 muajsh hetime shpesh të paligjshme, sajoi diçka sa për të thënë, jo për 80 milionë “të vjedhura”, por për 250 mijë të bëra dëm shtetit. E kur pjesëtuam 80 milionë me 250 mijë rezulti ishte 320, e kur nga 80 milionë euro shpërdorime drejtësia do të deklarojë zero cent shpërdorime, e tërë akuznaja publike e viteve 2010-2011-2012 nga prokurori dhe propaganda e budallme e mediave tona, do të jetë 80 milionë % shpifje kundër Limajt. Por, sot po e bëjmë të qartë se në themel të kësaj përqindjeje përbindëshe të shpifjes janë falsifikimet e mesazheve në zyrën e policisë sonë, për llogari të Eulexit e kundër Kosovës.


Për sa kohë që Limaj mbahet në burg me konstruksione të mesazheve të të tjerëve (e jo të tijat) dhe një Fitim R.-ja gëzon paprekshmërinë absolute nga ligji, ky vend nuk është ai për të cilin hanë dhe mijëra të rënë. (VIJON).(Gazeta Epoka e re)

NË NUMRIN E ARDHSHËM: JA MESAZHE TË FALSIFIKUARA
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)