Çdo votë ka vlerë – dhe duhet të numërohet!
Nga Samuel Zhbogar, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së
Nëse ka vullnet, sigurisht se ka edhe një mënyrë. Nëse ka vullnet për zgjedhje të mira, Kosova është në gjendje të ketë zgjedhje të mira me standarde evropiane.
Që kur kam ardhur në Kosovë, para dy vitesh, vazhdoj të dëgjoj për zgjedhjet e fundit të përgjithshme në vitin 2010. Njerëzit tregonin se sa zgjedhje të këqija ishin dhe se si vjedhja jashtë dhe brenda partisë ishte organizuar në shkallë të madhe. Atë kohë nuk isha në Kosovë, mirëpo disi prirem t’u besoj atyre pasi shumë rrëfime të vendorëve dhe ndërkombëtarëve janë të njëjta.
Përvoja e vitit 2010 ishte një prej arsyeve kryesore pse ne kemi kërkuar reformë zgjedhore.
Reforma nuk është bërë meqenëse gjithmonë dilte ndonjë prioritet tjetër i madh. Por pastaj, në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, u organizuan dhe u mbajtën zgjedhjet komunale në mbarë Kosovën në mënyrë të drejtë, pa parregullsi të mëdha. Vëzhguesit e BE-së i kanë vlerësuar ato si “një hap para drejt demokracisë në Kosovë\". Nëse ka vullnet, sigurisht se ka edhe një mënyrë. Nëse ka vullnet për zgjedhje të mira, Kosova është në gjendje të ketë zgjedhje të mira me standarde evropiane.
Zgjedhjet e ardhshme nuk janë çfarëdo zgjedhjesh: ato janë zgjedhjet e para pas rivendosjes së marrëdhënieve miqësore të rëndësishme midis BE-së dhe Kosovës. Kur një partner i ardhshëm kontraktues, i cili sapo ka finalizuar negociatat për MSA mban zgjedhje, është normale që të priten standarde të larta.
Ne do të vëzhgojnë nga afër, nga shumë afër. Dhe për Kosovën, kësaj radhe është më shumë në rrezik se sa në vitin 2010. Qytetarët janë shumë të vetëdijshëm për këtë – dhe pjesëmarrja e tyre mund të jetë dëshmia më e mirë për këtë.
Kjo është arsyeja që ne ju përgjigjëm kërkesës së Presidentes së Kosovës dhe vendosëm një Mision të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Ata tashmë kanë arritur, pothuajse 100 syresh. Janë vendosur në mbarë Kosovën, duke vëzhguar dhe duke vlerësuar me kujdes – dhe do të vizitojnë edhe qendrat e votimit në Ditën e Zgjedhjeve.
Atëherë kur Shefi i vëzhguesve evropianë Roberto Gualtieri do të prezantoj vlerësimin e tyre të parë, ai do të jetë gjithashtu edhe udhëzimi ynë: relevant jo vetëm për pikëpamjet tona për zgjedhjet, mirëpo edhe më tepër – për të ardhmen e Kosovës në BE!
Mesazhi im për të gjithë përgjegjësit: liderë të partive, kandidatë dhe zyrtarë të qendrave të votimit është: Mos vendosni bllokadë në rrugën tuaj drejt Evropës! Më mirë le të vazhdojmë t\'i heqim bllokadat e së kaluarës në rrugën tuaj përpara!
Vlerësimi i vëzhguesve është i rëndësishëm. Mirëpo, ajo që vlen edhe më shumë është vlerësimi i qytetarëve të Kosovës për këtë proces – dhe për rezultatin e tij! Janë zhvilluar jo vetëm raportet e Kosovës me BE-në, mirëpo edhe qytetarët e Kosovës presin zgjedhje më të mira secilën herë dhe nuk pranojnë më pak se aq.
Këto janë zgjedhjet e para të përgjithshme pas marrëveshjes së Brukselit. Shpresoj që serbët në mbarë Kosovën do të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Serbët sikurse edhe komunitetet e tjera mund të mbrojnë interesat e tyre më së miri me mjete që sigurohen me Kushtetutë, marrëveshje të Brukselit, ligje dhe integrim brenda këtyre institucioneve. Besoj se koha e frikësimit, refuzimit dhe e bllokadave është e kaluar.
Ne kemi ndjekur fushatën e shkurtër dhe intensive me interesim të madh. Dialogu nuk është cilësuar si një temë e madhe, një gjë e mirë kjo. Dialogu kurrë nuk është nënkuptuar si qëllim në vete, mirëpo më shumë si një mjet për t’i mundësuar Kosovës të ballafaqohet me çështje reale për mirëqenien dhe prosperitetin e kosovarëve, me ekonominë dhe punësimin si çështjet kryesore.
Kur jam pyetur për fytyrat e reja dhe lëvizjen e personaliteteve nga shoqëria civile dhe mediat në politikë, shpesh kam komentuar se kjo pasuron fushatën dhe mund të pasuroj edhe Kuvendin. Është inkurajuese se qytetarët që nuk e kanë kursyer kriticizmin kanë vendosur të garojnë për t\'i ndryshuar gjërat për të mirë. Ata mund të sjellin energji, dinamikë të re dhe ide të reja në politikë – dhe ata sot janë njësoj të nevojshëm në mbarë Evropën.
Jam i sigurt se Kosova do t’i marrë disa mësime nga kjo fushatë për një reformë të plotë zgjedhore deri para zgjedhjeve të ardhshme. Ne tashmë e kemi ngritur çështjen e nevojës për një transparencë të plotë në fondet e partive dhe veçanërisht në financimin e fushatës. Këtu fillon të rritet mundësia për korrupsion. Dhe kjo është arsyeja pse duhet të adresohet. Janë aspkte të tjera të shumta të sistemit zgjedhor të cilat duhet të ekzaminohen, duke filluar nga thjeshtësimi i tij.
Nuk më takon mua të sugjeroj ndonjë zgjedhje të caktuar për votuesit. Janë vetë qytetarët e Kosovës ata që mund të bëjnë zgjedhje meqenëse ata do të jetojnë me zgjedhjet e tyre për katër vitet e ardhshme. Nëse më pyesni mua – unë do të hedh votën time së shpejti në zgjedhjet në Slloveni. Nëse votuesit do të zgjedhin një mision të ri ose një vizion të ri që do të bënte ndryshim ose t’u sjell alternativë, u mbetet atyre të vendosin. Më e rëndësishmja është që fituesi të dalë nga një proces zgjedhor i rregullt, i drejtë dhe i besueshëm, ashtu që institucioneve të mos ju kontestohet legjitimiteti.
Kushdo që fiton në këto zgjedhje dhe me shpresë që formon një qeveri të fortë do të duhet të ballafaqohet me të njëjtat çështje, probleme dhe sfida, që nga ekonomia dhe punësimi e deri te sundimi i ligjit dhe vazhdimi i procesit të normalizimit me Serbinë dhe integrimi i serbëve në Kosovë. Fituesi do të merr një përgjegjësi shumë të madhe. Jo vetëm për të përmbushur premtimet e fushatës, mirëpo edhe për të lëvizur shpejt përpara Kosovën në të ardhmen. Votuesit duhet t\'i mbajnë ata përgjegjës.
BE-ja do të vazhdoj t\'u rrij përkrah qytetarëve të Kosovës dhe do të mbështes përpjekjet e qeverisë së re për një Kosovë më të mirë dhe me më shumë prosperitet. Detyra e udhëheqësve të vërtetë nuk është vetëm të udhëheqin qytetarët e tyre në të ardhmen – është edhe t’u mundësohet atyre që ta hedhin votën e tyre të lirë dhe të drejtë dhe të sigurohen se secila votë e tyre ka vlerë dhe duhet të numërohet.