23 Dhjetor 2024

Çasti i kërcimit dhe vlimit

Shkruar nga Besnik Kryeziu

Askush nuk e do dhe, për më shumë, nuk e dëshiron vlimin, por kur toleranca ndaj Serbisë së Daçiqit dhe Nikoliqit vjen duke u rritur në atë masë sa ata të propozojnë plane për zhbërjen e shtetit të Kosovës, dhe Bashkimi Evropian hesht krejtësisht, vlimi do të jetë i pashmangshëm.

Proceset politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe po vazhdon të kaloj në masën më të madhe nuk janë kuptuar si duhet nga masat shoqërore, ose thënë më mirë, janë kuptuar ashtu si janë shpalosur nga ata që kanë udhëhequr këto procese. Kjo shpalosje, në dukje ka qenë transparente, por në thellësinë e saj ka qenë e mistershme dhe me plot mitizime.

Kjo gjë po vazhdon të ndodh edhe sot, në të ashtuquajturat bisedime për normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Kësaj radhe nuk e kam objekt shqyrtimi dialogun në vetvete që po vazhdon të ndodh në Bruksel dhe prodhimin e rezultateve të mjegulluara për shtetin e Kosovës, por më së shumti efektet që ky dialog do të mund t’i prodhoj te masat shoqërore në momentin kur e kuptojnë të vërtetën e fshehur.

Duke e lexuar këto ditë Oshon dhe mënyrën se si ai e shpjegon të kuptuarit e proceseve dhe fenomeneve të ndryshme nëpërmes kësaj që unë do e  sjelli   si citat të veçantë ku Osho në mënyrë brilante e shpjegon çastin e kërcimit dhe vlimit të ujit nëpërmes procesit të nxehjes.

“Uji bëhet gjithnjë e më i ngrohet, më i ngrohet, më i ngrohet, dhe, krejt papritmas, në temperaturën e caktuar, fillon të avullojë. Të avulluarit ndodh në moment. Të avulluarit nuk është gradual, veçse i befasishëm. Prej ujit te avulli është kërcimi. Përnjëherë, uji avullohet, por është e nevojshme koha që ai të ngrohet deri në pikën e vlimit. Të avulluarit është momental, por për nxehje është koha e nevojshme”, thekson Osho.

Ajo që po dua ta them unë në këtë shkrim (natyrisht i nxitur nga Osho) ka të bëj me mënyrën se si po mundohen aktorët kryesor në këtë proces bisedime që masat shoqërore të mos e kuptojnë në thellësi përmbajtjen dhe esencën e këtyre bisedimeve.

Për këtë ata po përdorin metafora të forta, të menduara dhe analizuara kujdesshëm për ta arritur efektin e duhur te masat shoqërore. Nuk po them se deri me tani nuk po ia dalin. Po ia dalin, madje shumë mirë. Mirëpo pyetja që unë do ta shtroja me këtë rast ka të bëj me kohën.

Osho thotë: “Prej ujit te avulli është kërcimi. Përnjëherë, uji avullohet, por është e nevojshme koha që ai të ngrohet deri në pikën e vlimit”. Nga kjo mund të themi se procesi i të kuptuarit të këtij dialogu dhe rezultateve që po prodhon ky dialog nga masat shoqërore, ka nevojë të domosdoshme për kohë.

Duke e ditur faktin se ky dialog mes Kosovës dhe Serbisë pothuajse me dekada po vazhdon të jetë proces, duke mos u bërë asnjëherë akt përfundimtar (sepse apetitet e Serbisë dhe toleranca miqësore e ndërkombëtarëve nuk po marrin fund), mund të themi se procesi i të kuptuarit është në fazën finale nga masat shoqërore.

Po të mbetemi logjikshëm edhe në procesin e të kuptuarit nga masat shoqërore, sikur se te nxehja e ujit, atëherë mund të themi se masat shoqërore janë në pikën e vlimit dhe kërcimit përfundimtar.

Në këtë vlim dhe kërcim po kontribuon shumë Serbia me planet e saja për territore në hapësirat e Republikës së Kosovës, sikurse edhe heshtja dhe toleranca në vazhdimësi e Bashkimit Evropian në raport me sjelljet grabitqare dhe raciste të Serbisë.

Dikush mund të mendoj se vlimi mund të evitohet, kjo mbase edhe mund të ndodh, por jo me sjelljen e deritanishme politike karshi Serbisë nga ana e Bashkimit Evropian.

Ujin mund ta ndalojmë të avulloj dhe të kërcej vetëm nëse e ndalim procesin e ngrohjes, përndryshe vlimi është alternativa e vetme që do të ndodh.

Ata që ne me dëshirë i quajmë miqtë tanë ndërkombëtarë, duhen ballafaquar nga politika dhe politikanët e Kosovës me këtë fakt, që ditë e më shumë po bëhet i pa anashkaluar.

Askush nuk e do dhe, për më shumë, nuk e dëshiron vlimin, por kur toleranca ndaj Serbisë së Daçiqit dhe Nikoliqit vjen duke u rritur në atë masë sa ata të propozojnë plane për zhbërjen e shtetit të Kosovës, dhe Bashkimi Evropian hesht krejtësisht, vlimi do të jetë i pashmangshëm.
 
Nëse ky proces nuk e ndryshon drejtimin e tij, dhe ky ndryshim do të duhej domosdoshmërisht të jetë substancial, assesi kozmetik për masat shoqërore, viktima do të jemi ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, por fajtor përveç Serbisë, do të jenë edhe ndërkombëtarët, dhe për këtë që tani duhet t´i përballim që nesër të mos e luajnë të paditurin dhe të pafajshmin.
 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)