Çarshia e madhe e Gjakovës, edhe diçka...
Shkruar nga arch. Ylber Vokshi-Ylli
Nuk duhet politizuar,iniciativën e drejtë të qytetarëve të Gjakovës Restaurimi i Çarshisë, jo ndryshim i historisë. Ato janë zëra të qytetarëve të cilët e kanë për zemër çarshinë e tyre dhe identitetin urban të qytetit të Gjakovës,të kultivuar me shekuj e me dashuri nga kjo popullatë. Është e pa mundur të shpjegohet kjo ndjenjë të cilën e kam përjetuar që në rini si student i arkitekturës,kur filluam në vitet shtatëdhjeta së pari incizimin e pastaj projektimin dhe realizimin celulave (dugojve) të para.
Në projektin e aprovuar,detal shpjegohet se si duhet të zhvillohen aktivitetet konservuese dhe restauruese në Çarshinë e madhe të Gjakovës,dhe çdo ndryshim eventual,të cilat i kërkon koha me zhvillime marramendëse teknologjike,duhet të iu nënshtrohen të njëjtës procedurë si është aprovuar projekti nga ana e Kuvendit Komunal në vitin 1982.
Sa kontradiktore janë qëndrimet jo profesionale të individëve të ndryshëm që i lejojnë vetes të na mësojnë se si duhet vepruar. Në njërën anë lavdërohet Çarshia e Jupave e ndërtuar me elemente teknike të sigurisë së lartë e që janë në harmoni më kriteret e çarshisë,e në anën tjetër kërkohet që gurët,që janë vendosur në kohë të komunizmit nuk kanë vlera për arsyen e thjeshtë se nuk janë origjinale.
Çuditërisht po harrohet se gurët origjinal të marr nga lumi Ereniku,nuk mundej të ishin funksional që në shekullin e kaluar,e ndërrimi i tyre është bërë kohë pas kohe,me një material {gur graniti) i cili në atë kohë i plotësonte kriteret teknike dhe të restaurimit.
Ashtu është vepruar në tërë qytetet e vjetra në Evropë për ketë kemi shembuj të shumta konkrete. Askush nuk ka të drejtë të kontestoi rregullat dhe kriteret të precizuara me konventa ndërkombëtare për trashëgiminë kulturore.
Çuditërisht kërkohet origjinalitet,duke mos ditur që Qarshija e Jupave është trajtuar në tërësinë urbane të çarshisë si një zonë kontakti,për të joshur vizitorët e jashtëm. Nga ana e ekspertëve Komunal është lejuar që të ketë modifikime të arsyeshme që do të përcjellin kohën e sodit.
Krahasimi i Gjakovës dhe Çarshisë së madhe me një qytet të vjetër Anglez, tregon një jo seriozitet,pasi bëhet fjalë për dy mjedise tërësisht të ndryshme dhe nuk ia vlen për të polemizuar. Sa për informim të opinionit,pamjet e ndryshme të kësaj qyteze në internet qartë tregojnë se si janë trajtuar trotuaret, rrugët e këmbësorëve,në proceset konservuese dhe restauruese në atë qytet muze në Angli.
Rasti i Gjakovës dhe i Çarshisë së madhe është krejtësisht tjetër dhe është studiuar dhe analizuar me kujdes nga ekspertët e kohës,që ka rezultuar me një projekt që ka ruajtur tërësinë urbane të rrallë në regjion.
Me kalimin e viteve të gjithë ne jemi pajtuar të ketë përshtatje të domosdoshme,ato janë bërë edhe ne vitet e tetëdhjeta kur ka filluar të rindërtohet Çarshia e madhe.
Një brengosje e pa arsyeshme për lëvizjen e nënave me fëmijë në karroca,për grat me take,për fëmijët me roshla,vetëm janë disa arsyetime të pa qëndrueshme,pasi edhe në vitet e kaluara është tentuar të plotësohen këto kërkesa aty ku ka pasur mundësi teknike,si është rasti me trotuaret e rrugëve të çarshisë.
Shkohet aq larg me propozime jo serioze për të ringjallur funksionimin e çarshisë,me slogane të tejkaluara si sigurimin e infrastrukturës së përshtatshme dhe kthimin e biznesit në çarshi. Infrastruktura kryesore ka ekzistuar me shekuj,ajo iu ka përshtatur kërkesave të kohës,ajo nuk mundet të jetë pengës për kthimin e namit që e ka pasur me shekuj çarshia.
E sa I përket kthimit të bizneseve (zejeve) dhe atraktivitetit të saj së pari duhet identifikuar dhe definuar shkaktarët të cilët e pruan funksionimin e çarshisë në ketë gjendje,në të cilën kurrë nuk ka qenë që nga ndërtimi I saj,para shumë shekujsh.
Rasti i mos funksionimit të Çarshisë së madhe ma së paku është i ndërlidhur me ndërrimin e gurëve të saj apo me disa propozime jo serioze.
Ajo është pasqyrë e një realiteti të hidhët,se si është trajtuar Zhvillimi Hapësinor dhe Urban i qytetit të Gjakovës,i cili me mund të madh dhe me dekada kishte arritur të krijoj një identitet urban unik,me bashkëveprimin e të vjetrës dhe të resë,që është punë e mundimshme.
Në vitet e pas luftës,nga një trevë me ekonomi të avancuar e cila do ti shërbente tërë Kosovës,u degradua me të madhe në aspektin ekonomik dhe urban. Çarshia e madhe është vetëm si rezultat i këtyre veprimeve të pa përgjegjshme me pasoja afatgjate.
Nuk duhet harruar edhe vetit karakteristike të gjakovarëve të vlerësuar si punëtor të mëdhenj dhe të vyeshëm,të cilët me syqeltësi,zhdërvjelltësi,preciziteti në punë si dhe me shumë virtyte tjera me energji pozitive,i kanë detyruar edhe të huajt ti respektojnë,si turqit dhe serbët,që I kamë sunduar këto treva me shekuj. Duhet së pari të jemi vetëkritike se si kemi vepruar në vitet e pas luftës.
Funksionimi I një shoqërie pa planifikim hapësinor dhe urban është I pa mundur,e ky sipas meje është shkaku I degradimit të funksioneve urbane në Çarshinë e madhe të Gjakovës.
Nuk ka shoqëri e cila mundet ti rezistoi këtyre tendencave shkatërrimtare,të pa qarta nga kush,fal politikave destruktive të cilat janë diktuar,pas luftës,në aspektin zhvillimor dhe hapësinor në Gjakovë dhe Kosovë.
Për të parandaluar këto tendenca kam ndërhyrë disa herë pas luftës,posaçërisht kur ka filluar procesi i Planifikimit Hapësinor Komunal të Gjakovës. Për fat të keq ato dokumente u punuan dhe u aprovuan gabimisht pasi nuk u respektuan parimet,normat dhe standardet urbane ndërkombëtare.
Një punë e tillë do të ketë pasoja të mëdha në urbanistikën e Gjakovës,me mund të madh të krijuara nga ne që kishim punuar me dekada në këto hapësira.
E se do të ketë këso degradime urbane në vitet e pas luftës,duke filluar nga qendra e qytetit ku u uzurpuan hapësirat publike të shpronësuara para shumë vite,ku u rrënua hoteli i vjetër,ku u ndryshua me të madhe funksioni I ati të riut,ku u ndërtua me leje e pa leje,me vend e pa vend,e shumë veprime degraduese që dikur ishin të pa imagjinueshme,e ketë ky popull i kësaj treve nuk e ka besuar dhe merituar.
Më duhet të kthehem edhe një herë problematikës shqetësuese të Çarshisë së madhe në Gjakovë,edhe se ky problem është evident edhe në qytetet e vjetra të Kosovës.
Kjo çarshi ka një pozitë ideale hapësinore,e ndërtuar në pjesën qendrore të rrafshit të Dukagjinit,me lidhje të mira me pjesët tjera të Kosovës,e çka është ma karakteristike janë lidhjet ideale me Malësinë e Gjakovës dhe Malësinë e madhe (Shkodren). Sot ka mundësi reale që këto përparësi hapësinore dhe ekonomike,të funkcionalizohën si dikur pasi ekzistojnë të gjithë indikatorët hapësinore dhe urbane të suksesit.
Ky popull ka kaluar nëpër etapa historike dhe zhvillimore shumë ma të vështira se këto të viteve të fundit. Nëpër rrugët e Çarshisë së madhe me kalldrëme kanë kaluar shumë falanga pushtuese të cilat kanë ditur ta shkretojnë ketë qytet me metoda trishtuese,si sjellja e mortajes (tifos),lijës së madhe (variolla verës) apo djegies-kalljës së saj,por asnjëherë nuk kanë mundur me shuar shpirtin progresiv,konstruktiv të kësaj treve.
Edhe ky presioni jo parimor ekonomik me tendenca për të braktisur çarshinë si një kompleks zejtar dhe tregtare unike,si një tërësi komplekse urbane që i ka përballuar të gjitha tendencat negative në ketë pjesë të Evropës,jam i sigurt se do të dështojnë.
Uroj që në të ardhmen kompleksi i Çarshisë së madhe në Gjakovë,si dhe qendrat historike në qytetet e vjetra të Kosovës,të kenë trajtim adekuat ashtu si iu takon,pasi me ketë vetëm do të dokumentojmë identitetin tonë urban dhe ekzistencën e popullit tonë në këto hapësira me shekuj.