27 Dhjetor 2024

Buxhetimi publik si instrument i politikave fiskale

Shkruar nga Ma.Sc. Burim Haliti

Buxhetimi publik si instrument i politikave fiskale në Republikën e Kosovës, ka rëndësi të madhe në aspektin e stabilitetit fiskal dhe financiar të vendit pasiqë nga buxhetimi varet përkrahje dhe zhvillimi i shumë sektorëve apo fushave me rëndësi në jetën e qytetarëve.

Buxhetimi publik (buxheti) duhet të jetë i mirë organizuar në aspektin e planifikimit të të hyrave dhe shpenzimeve për vitin pasues, sepse një lëshim i vogël gjatë fazës së mirë planifikimit të buxhetit mund të jetë me risk të lartë për jetën fiskale të institucioneve shtetërore.

Kontrolli dhe planifikimi i organizatave publike bëhet përmes buxhetimit publik, andaj në këtë qëndron rëndësia se sa më profesionale që janë analizat e planifikimit të buxhetit, aq më shumë kemi sukses dhe stabilitet fiskal-financiar në institucionet publike të cilat janë njësi buxhetore.

Buxheti është dokument publik me shkrim i cili ka karakter juridik sepse prodhon efekte juridike pasi që të kalojë në kuvend dhe të miratohet në formë të ligjit.

Hartimi dhe planifikimi i buxhetit në aspektin institucional nëpër vende të ndryshme është jo i njëjtë në aspektin e procedurave dhe institucioneve që e përgatisin, sepse tek ne buxhetin e përgatit qeveria – përmes ministrisë së financave dhe më pas në formë të projektligjit miratohet në organin legjislativ që tek ne është kuvendi dhe merr formë juridike-ligjore sepse prodhon efekte për të gjitha institucionet publike shtetërore.

Ndërsa në SHBA buxheti përgatitet nga zyra e menaxhimit dhe buxhetit, e më pas miratohet nga kongresi, në Angli buxheti përgatitet nga zyra e thesarit mirëpo parlamenti e ka shumë të vështirë të bëjë ndryshime thelbësore etj.

Të hartosh buxhetin dhe përmes tij të ndikosh në politikat fiskale të vendit nënkupton se duhet të kesh parasysh aspektin ekonomik, politik, juridik dhe teknik.

Hartimi i buxhetit në aspektin ekonomik nënkupton se shteti dhe njerëzit e tij duhet ti kenë parasysh resurset ekonomike, shkallën e zhvillimit ekonomik, pasuritë natyrore, të ardhurat nga tatimet, taksat dhe doganat. 

Trajtimi i buxhetit në aspektin politik nënkupton se miratimi i buxhetit në kuvend dhe diskutimi i tij, është vullnet politik i përfaqësuesve të popullit, sepse partia e cila është në pushtet është e interesuar që ta miratojë buxhetin sepse në të kundërtën mund të bie nga qeverisja dhe insistimi i saj për ta miratuar buxhetin nënkupton se në kuvend është një vendim politik i partisë në pushtet apo i koalicionit qeverisës.

Karakteri politik i buxhetit po ashtu nënkupton edhe atë se partia – koalicioni qeverisës i zbaton prioritetet përmes dizajnimit të buxhetin në aspektin e planifikimit të të hyrave dhe shpenzimeve në dobi të prioriteteve të programit ekonomik të tyre si fuqi politike e cila është duke qeverisur me vendin. 

Kuptimi juridik i buxhetimit publik rrjedh nga faza kur projekt ligji i buxhetit miratohet në kuvend dhe merr formë ligjore, andaj të gjitha institucionet publike duhet ta respektojnë dhe zbatojnë këtë ligj e sidomos ato institucione publike të cilat janë njësi buxhetore.

Karakteri teknik i buxhetit më tepër lëshohet në atë se çdo planifikim i të ardhurave dhe shpenzimeve duhet të jetë në formë të barasvlershme duke i respektuar të gjithë parametrat ekonomik të vendit se a ka mundësi apo jo të realizojë të hyra të tilla të planifikuara.

Duke i respektuar këto specifika të buxhetimit publik, ne duhet që me kujdes dhe shkathtësi të lartë të veprojmë në drejtim të planifikimit të të hyrave të cilat mund të jenë nga të ardhurat e brendshme (tatimet, taksat dhe të hyrat nga dogana), grantet e huaja (donacionet) dhe huatë (të brendshme dhe të huaja).

Harmonizimi i politikave fiskale me buxhetimin publik nënkupton që të kemi norma tatimore të përballueshme për qytetarët e vendit dhe që i përshtaten zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Po ashtu duhet të kemi kujdes edhe në përcaktimin e llojeve të tatimeve dhe taksave që duhet paguar, lartësinë e tyre dhe mënyrën e pagesës së tatimeve dhe taksave. 

Çdo veprim i qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse për përgatitjen, planifikimin dhe ekzekutimin e buxhetit të orientuar në atë drejtim se sa duhet ë jetë TVSH-ja, tatimi në fitim, tatimi në të ardhura, taksat e sigurimeve të ndryshme, akciza, taksat doganore, taksat lokale etj., nënkupton se kemi të bëjmë me dizajnimin e politikave fiskale dhe harmonizimin e tyre me nevojat e institucioneve dhe gjendjen ekonomike të qytetarëve.

Rëndësia e dizajnimit të politikave fiskale për buxhetimin publik është shumë me rëndësi sepse sa më aktuale dhe të freskëta që janë politikat fiskale dhe më të harmonizuara apo të përshtatshme për qytetarët aq më efikas është shteti në arkëtimin e të hyrave dhe planifikimin e shpenzimeve nga këndi i buxhetimit publik. 

(Autori është Master i shkencave juridiko-financiare)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)