Burimet orientale për historinë shqiptare, thesar i pashtershëm
Shkruar nga Mentor Barani
Kjo është përshtypja e parë që fiton lexuesi sapo i hedh një sy veprës së Feti Mehdiut, të titulluar: Reflektime të luftës së shqipëtarëve për pavarësi 1389-1999 (në burime orientale) që e boton ShORK ( Shoqata e Orientalistëve të Kosovës), Prishtinë 2012., me të cilën shënjohet jubileu i Njëqindvjetorit të Pavarësisë shqiptare.
Vepra : Reflektime të luftës... që i ka 246 faqe, në format A-5, është e ndarë në dy pjesë kryesore, që përfshinë disa kapituj.
Në pjesën e parë, pas parathënies (fq. 5- 11), ku autori i shmanget shprehjes së përdorur shumë shpesh gjatë viti 2012 Pavarësi e Shqipërisë dhe në vend të kësaj ai përdor shprehjet: ...shpalljes së mëvetësisë së shtetit shqiptar.... ... ndarje nga sulltanati osman.... etj.
Shqiptarët deri në shekullin 15 nuk kishin të shkruar asgjë në gjuhën e tyre. Tek kah fundi i shekullit XV, kemi formulën e pagëzimit, ndërkaq shkrimi i parë për historinë e popullit shqiptarë por jo në gjuhën shqipe është historia e autorit Marin Barleti.
Autori Mehdiu, këtu, i afron historiografisë shqiptare burime në gjuhën perse, arabe dhe turke (osmane) në të cilat flitet për përpjekjet e këtij populli për mbijetesë e për pavarësi e që përqendrohet nga Beteja e Kosovës, 1389 dhe shtrihet deri në luftën e fundit, 1999.
Ai në kapitujt vijues:
Disa të dhëna të shtypit arab për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare; paraqet reflektimin e luftërave të shqiptarëve në fundshekullin XIX, deri në vitin 1912, në disa të përditshme në gjuhën arabe. Autori ka shfrytëzuar shtypin arab të Egjiptit*, al-Vatan, al- Mahrusa dhe al-Mukattam, al- Ahram, që prezantojnë zhvillimet e ngjarjeve në Shqipëri nga viti 1895 (shih shtojcat: I, II, III, etj. Fq. 22....) e deri në vitin 1912 (shih shtojca XXXV, XXXVI, et., fq. 44...).
Këto burime bëjnë të ditur se edhe princi i Egjiptit shqiptari Fuadi kishte shpreh gatishmërinë që të marrë udhëheqjen e shtetit shqiptarë, të shpallur në vitin 1912, përpara se të vinte princ Vidi. Princi Fuad, i kishte deklaruar gazetës ,,Al-Wakt, se nuk ka kurrgjë më të dashur se sa t\'i shërbeje atdheut të tij, Shqipërisë, me besnikëri dhe sinqeritet.*
Lidhja shqiptare e Prizrenit në Terxhyman-i shark, i afron opinionit turk gjendjen e krijuar pas Kongresit të Berlinit, 1878, lidhur me çështjen shqiptare. Në një mënyrë shumë të qartë, kjo gazetë që dilte në Stamboll, në vitin 1878 ishte vënë në shërbim të sqarimit të platformës dhe kërkesave të shqiptarëve për pavarësi. Nga gazeta Terxhyman i shark, opinioni i gjerë do të mësojë se kërkesat e popullit shqiptar... mbështetshin në kushtetutën aktuale, e cila u garantonte të drejta si çdo populli tjetër. Ata kërkojnë të gëzojnë të drejtat politike, ekonomike e njerëzore të garantuara me kushtetutë, ashtu siç i gëzojnë popujt tjerë, që të gjitha viset e Shqipërisë (Arnautllukut) të bashkohen në një vilajet me qendër në njërin nga qytetet e afërta dhe të përshtatshëm për të gjithë... Mirëpo Kongresi i Berlinit, më 1878, .... në vend se t\'i merrte në shqyrtim me kujdes këto kërkesa, mori vendime krejtësisht kundër shqiptarëve duke u dhënë mundësi që tokat shqiptare t`i copëtojnë e t`i grabisin plotësisht Greqia, Serbia dhe Mali i Zi ...
Artikujt: Beteja e Kosovës 1389 në veprën Hesht bihisht të Idris Bitlisit;
Një burim persian bashkëkohës i Luftës së Kosovës; janë dy burime persiane më të hershmet, për të cilat dihet deri tash, që dëshmojnë se autorët persian që kanë përcjellë luftërat dhe kanë shkruar historinë e sulltanatit osman edhe betejën e Kosovës, 1389, e kanë përshkruar hollësisht. Po sjellim një konstatim të Idris Bitlisit, i cili është historiani më i besueshëm për këtë ngjarje. Ai shprehet si vijon: .... Llazari, sundimtar i Serbisë, pasi i dha fjalë e besë sulltanit për marrëveshje paqeje, nisi të tregohet i padëgjueshëm. Njëlloj vepruan edhe mbreti i Bosnjës dhe i Shkodrës ... këta bënë marrëveshje që të veprojnë si armiq dhe të luftojnë kundër sulltanit...dhe të shkretojnë vendet islame... U zhvillua luftë e ashpër për pushtet dhe për fe nga të dyja anët, ajo islame dhe ajo antiislame.... nxitësi kryesor i luftërave dhe provokator më i madh u dëshmua Llazari.
Me sa përshkruhet në burimet persiane beteja e Kosovës e vitit 1389 ka shumë ngjashmëri me luftën e fundit, të viteve 1997 1999, në Kosovë, dhe që të gjitha janë shkaktuar nga oreksi gllabërues i carëve të Serbisë dhe ideologëve siç ishte Ilija Garashanini i gjysmëshekullit XIX, shembullin e të cilit e ndoqën besnikërisht V. Çubrilloviqi dhe I. Andriqi në sehkullit XX, dhe koalicionet e tyre kundër shqiptarëve, me qëllimin e vetëm që:
... pjesët veriore dhe jugore të Shqipërisë t`i jepen Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë me arsyetimin se ...për Serbinë e mesme dhe Malin e Zi lugina e Drinit është e vetmja rrugë e natyrshme dhe më e shkurt për Adriatik.
Shqiptarët kanë qenë të shtrënguar vazhdimisht që të bëjnë rezistencë në mënyrë që: ... t\'ia bëjmë me dije Evropës se nuk pajtohemi assesi që çështjet tona të shtrohen pa u pyetur ne, sepse kemi luftuar dhe do të luftojmë deri në pikën e fundit për të drejtat tona.... tokat tona t\'i mbrojmë... dhe nuk do të pranojmë të copëtohemi...
Këto burime, sado që nuk janë burime arkivore, por shtyp ditor dhe periodik i një periudhe nga shekulli XV deri nëfillim të shekullit XX, dhe vijnë nga një mjedis që nuk është i përfshirë në këto luftëra, janë ndihmesë e mirë për historianët që merren me çështjen shqiptarë që ata të bëjnë punën e tyre me saktësi dhe objektivitet.
Të herrin me kujdes shtrembërimet e falsifikimet që janë të pranishme në historinë e popullit shqiptarë. Burimet, që përfshihen këtu, flasin për luftën e shqiptarëve për çlirim, liri dhe mëvetësi, duke filluar nga shekulli 14 e këndej, ndërsa pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit edhe për pavarësi kombëtare.
Kontributet tjera në këtë vëllim:
Organet administrative e shëndetësore në sanxhakun e Manastirit sipas sallnames së vilajetit nga viti 1896; Institucionet arsimore në sanxhakun e Manastirit dhe të Dibrës në fund të shekullit XIX.; dhe Personeli i administratës islame në vitin 1915 sipas sallnames Ilmije ofrojnë një pasqyrë për gjendjen arsimore, shëndetësore, ekonomike, të sigurisë publike, të komunikacionit, gjyqësorit, administratës islame dhe tjera, në disa nga sanxhaqet e Vilajetit të Manastirit, për periudhën e fundit të shekullit XIX deri në vitin 1915.
Në burimet që prezantohen këtu, dëshmohet se shqiptarët luftën për çlirim, liri dhe pavarësi, e kanë vazhduar në vitin 1389 kur hynë në fushë të mejdanit në betejën e Kosovës për t`u çliruar nga apetiti gllabërues e zhbërës i carëve dhe kishës serbe.
P j e s a e d y t ë, (faqe 213-240), bën fjalë për (përfshin) prezantimin e disa veprave që i referohen veprave, të cilat sjellin fakte e reflektime të luftës së shqiptarëve gjatë shekujve XIV XX., duke përfshirë edhe luftën e fundit Kosovë-Serbi (1999).
Këtu përfshihen recensionet e botuara, nga autori Mehdiu, në periodikun e Kosovës për veprat, në të cilat pasqyrohen burime orientale arkivore dhe tjera për historinë shqiptare nga shekulli tetëmbëdhjetë e këndej...
Bëhet fjalë për veprat: Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente Osmane, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në shtypin egjiptian, Kosova bure baroti... shesh i grindjeve shqiptare-serbe në shekullin njëzet, Fenomene shqiptare Halil Patrona figurë e anashkaluar.
Me këto vepra që trajtojnë çështje të historisë shqiptare në dokumente arkivore dhe shtypin ditor në gjuhën turke dhe arabe, i hapet një dritare opinionit botërorë që ta shohë objektivisht problemin shqiptarë.
Libri : Reflektime....është i pajisur edhe me disa faksimile nga burimet e përmendura si edhe me dy harta të hapësirës shqiptare të periudhës osmane që gjithsesi ia shtojnë vlerën kësaj vepre, të cilën një rezyme në gjuhën angleze apo gjuhë tjetër dhe indeksi do tia rrisnin vlerën edhe ashtu të çmueshme.
Autori Feti Mehdiu, shpreh bindjen se Institucionet Shkencore kanë obligime më tëmëdha ndaj çështjeve të historisë kombëtare, dhe ne mund ta përmbyllim këtë prezantim tonin me konstatimet e autorit që i shpreh në fund të Parathënies, se: ...ne asnjëherë më shumë se sa sot nuk kemi pas dije, potencial shkencorë, e kushte më të volitshme për të bërë atë që duhet bërë për veten, për popullin dhe për atdheun tonë.
Duhet ballafaquar me realitetin pa iluzione, të emërtojmë secilin veprim me emrin e vet dhe kështu ndihmojmë miqtë e popullit tonë, duke i afruar realitetin historik dhe peripecitë e popullit tonë, të paktën për njëqindvjetshin e fundit, në mënyrë që ata të na ndihmojnë në korrigjimin e historisë.
Asgjë më shumë se kaq!