22 Dhjetor 2024

Broshura për Matiqan

Shkruar nga Elhami Ismajli
 

Erdh dhe shkoi 9 Maji. Po e quajnë Dita e Evropës. Por, asnjë nga shtetet evropiane nuk e festojnë këtë ditë. Madje, as në kalendarët e tyre të festave kombëtare apo shtetërore nuk u figuron si datë.

Si përkujtim për gjeneratat e reja, që nuk e dinë kuptimin e kësaj date, pikërisht me 9 Maj 1950 vuri themelet Bashkimi Evropian, duke i dhënë fund luftërave të përgjakshme, sidomos Luftës së Dytë Botërore nga e cila mbetën të vrarë rreth 45 milionë njerëz.

Vërtetë, ngjarje e rëndësishme dhe historike për Evropën.

Para shënimit të kësaj dite, rastisa në një kafeteri të Prishtinës së hirtë, e cila i kishte vendosur disa emra të vendeve të Kosovës dhe Shqipërisë. Vendet ishin ndarë me shigjeta, nëpër të cilat mund të shkosh pa viza. Si për shaka aty figuron edhe emri i Llukarit dhe Gjylekarit, fshatra të Kosovës.

Normalisht, në këto vende mund të lëvizet pa viza. Por, lëvizja e lirë mund të bëhet edhe në Matiqan e Kaliqan..... pa problem me një letërnjoftim ose kartë identiteti... Në ato shigjeta nuk pash askund emrin e Brukselit që mund të udhëtohet pa viza....

Mirëpo, cka ndërlidhet krejt kjo ngjarje me Kosovën, që fitoi mëvetësinë e saj në vitin 2008.

Tash e disa vjet kur vjen 9 Maji, Institucionet e Kosovës e bëjnë pushim. Kjo ngase, me Kushtetutën e shtetit 9 Maji, figuron si festë zyrtare, në vargun e shumë festave tjera që ka brenda një viti Kosova.

9 Maji i 2011-ës, ishte njësoj sikur ai paraprak. Por, kjo ishte vetëm për ne njësoj. Ngase, Shqipëria, Bonsja, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, këtë ditë e pritën ndryshe prej viteve të kaluara. Banorët e këtyre shteteve mund të lëvizin lirshëm kudo ku ata kanë dëshirë. Londër, Bruksel, Paris, Berlin....etj.

Nga krejt kjo Kosova edhe sivjet mbeti e izoluar. I vetmi shtet pa të drejtën e lëvizjes së lirë. Një ditë më vonë, konkretisht me 10 Maj, pamjet në ambasadat e shteteve evropiane në Kosovë, mbetën të njëjta. Tollovi. Dokumentacione. Nervozizëm. Skeptizicëm. Por, edhe shpresë.
 
Shënimi i kësaj dite në Kosovë

Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, së bashku me Institucionet qendrore dhe lokale në Kosovë, organizuan një mori aktivitetesh për nder të kësaj “feste”. Gara në mësim, sport, atletikë....madje, pati edhe muzikë...gjithsesi, edhe aktivitete tjera bajate.

Pjesë e këtij organizimi ishin edhe shpërndarja e disa broshurave të vendeve të BE-së, në të cilat shpjegohej historiku i krijimit të kësaj aleance që u thirr në respektimin e lirive dhe të drejtave njerëzore.

Aty u panë personalitete të organizatave evropiane. Dhe, përfaqësues të ndryshëm të ambasadave në Kosovë. Qytetarët tanë normalisht u ndanë të kënaqur nga ky lloj organizimi. Mbase, evropianët mund t’i shohin vetëm në Kosovë. Ndërsa, jo edhe në një vend tjetër. Shumë “Young European” e shikojnë Evropën në televizor, internet.....

Gjatë shpërndarjes së këtyre broshurave, asnjë nga këta përfaqësues ndërkombëtar nuk u tha një fjalë të vetme qytetarëve shqiptar, për mundësinë e hapjes së dyerve të Evropës, për ta. Askush nga ta, nuk u premtojë atyre përshpejtimin të procedurave për liberalizimin e vizave.

Nuk u dhanë asnjë shpresë.....Folën e folën, për vendet e tyre.....por jo edhe për hapjen e mundësive të reja të rinjve të Kosovës, që sipas statistikave, mesatarja e moshës së tyre sillet rreth 25, e që do të thotë rinia më vitale në Evropë.

Nuk harruan të shpërndajnë edhe t-shirt me hartën e Evropës...apo gjëra të tilla të ngjashme.

Po ç’na duhen ato broshura? Për të shkuar në Matiqan. Po jo ore se në Matiqan më tregoi ajo shigjeta në atë kafe barin që po pija kafe. Evropa po në thotë shikoni BE-në në fletushka dhe mësoni për të dhe parapërgatituni. Kjo i bie si ai vici. “Sa t’mirë ishin llokumat n’Shkup se i kam pa n’televizor”.

Por, një gjë harruan, se ato informata për shtetet e tyre mund t’i gjejmë shumë lehtë me një klikim të vetëm në internet. Për një mundësi të tillë, e kanë parë edhe vet organizatorët e këtyre ditëve, ku gjatë garave me nxënës të shkollave të ndryshme në Kosovë, kanë parë njohuritë e tyre për teknologji, e më së shumti njohuritë për gjuhë të huaja. Përfaqësuesit e organizatave dhe zyrës ndërlidhëse në Kosovë...thanë se janë ndjerë të mahnitur nga njohuritë që kanë treguar këta nxënës, që një pjesë e tyre, do ta përfaqësojnë Kosovën në gara tjera evropiane të diturisë.

Atëherë, kur kemi një rini te tillë, kur plotësojmë disa nga kriteret për përfaqësim dinjitoz, kur mund të jemi konkurrent në fusha të ndryshme, a nuk meritojmë të jemi edhe ne atje? Ku janë të gjithë. Bashkë në shoqërinë evropiane.

Dyert e Evropës po vazhdojnë të jenë të mbyllura për ne. Por, Evropa nuk na i ka mbyllur dyert vetëm që të shkojmë tek ta. Ajo na e ka zvogëluar lirinë e lëvizjes edhe brenda territorit tonë. Nuk mundemi të shkojmë në veri të Mitrovicës. Kurse, Evropën që e kemi në Kosovë, me misionin e saj EULEX, e që thirret për sundim të ligjit, vazhdon të dështojë në misionin e saj. Po dështon t’i shkatërrojë bandat kriminale dhe kondrabanduese të “vllaznin-bashkimit”.

Ta kthejë rendin dhe ligjin në atë pjesë të Kosovës, bile atje të shkojmë a viza... EULEX-i nuk është duke bërë asgjë që ta shtrijë autoritetin e tij edhe në atë pjesë. E dështimit të misionit evropian në Kosovë, i bashkëngjiten edhe institucionet vendore, që vazhdojnë të flenë....si për nga sundimi i ligjit, ashtu edhe për nga krijimi i kushteve për përshpejtimin e liberalizimit të vizave.....

Nga krejt kjo është veç një përfundim. Shoqëria e Kosovës vazhdon të mbetet jashtë çdo të drejte njerëzore. E izoluar për të dal jashtë. E kujdesur për të lëvizur brenda territorit të saj.  Si do ta presim vitin 2012? Shpresojmë që të paktën të lëvizim lirë në gjithë territorin e shtetit tonë. Mbase, do bënte mirë të ngushëlloheshim edhe me këtë fakt.

 

(Autori është gazetar)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)