23 Dhjetor 2024

Brezi i Republikes qe besonte në vizionin e Rugoves

Shkruar nga Lutfi Haziri
 
Sot, dhe jo vetëm në akademi përkujtimore e gjithë Kosova e përkujton me dhemje e krenari Presidentin Historik dhe arkitektin e pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën.

Kësaj dhembjeje dhe krenarie të dinjitetshme i bashkohemi edhe ne në Gjilan, jo vetëm si Degë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe si qytetarë kudo që jemi.

Edhe sot nuk e kemi të lehtë, ashtu siç nuk e patëm të lehtë atë të shtunë të 21 janarit të vitit 2006, kur lajmi i pikëllueshëm ngriu për një moment zemrat tona dhe na la pa frymë.

Këtë nuk e besonim dhe nuk deshëm ta besojmë, sepse presidenti Rugova na duhej si asnjëherë më parë, pasi ishte përafruar aq shumë vizioni i Tij, i cili njëherësh u bë edhe vizion i gjithë kombit shqiptar.

Ëndrra e Tij dhe jona për një Kosovë të njohur ndërkombëtarisht dhe për një Kosovë të lirë dhe të pavarur po bëhej realitet i prekshëm.

Ne, si asnjëherë më parë dëshironim që ai të ishte i pranishëm në shijimin dhe në zhvillimin e mëtejmë të vizionit të Tij, pasi ai ishte ideatori i pavarësisë së Kosovës.

Ai ishte prijësi dhe ne ishim mësuar me vite që të ecnim hapave të Tij, pasi e kishim më lehtë, sepse ishim më të mbrojtur në shpirt, kishim më shumë paqe dhe ishim edhe më të dashur.

Ne ishim ushtarët e bindur të Vizionit të tij, kumtin e të cilit me padurim e priste i gjithë populli, për të cilën kishte dhënë aq shumë dhe ishte gjakuar aq shumë për atë.

Ajo ditë ishte në prag të lindjes së saj, derisa Presidenti Rugova iku njësoj si në legjenda dhe duke na lënë papritur. Ai na iku vetëm fizikisht, por prania e tij shpirtërore, vizioni dhe frymëzimi i Tij nuk mungoi për asnjë moment, edhe tash pas shtatë vitesh të shkuarjes së tij në mashim.

2.
Kosova pas 21 janarit të vitit 2006 e në veçanti Lidhja Demokratike e Kosovës, emblema e së cilës ishte fanar për liri, pavarësi e demokraci, nuk e pati të lehtë që të ecte vertikalisht  pa presidentin Rugova.

Ai nuk ishte vetëm Prijësi, por edhe i shenjti i këtij populli që së bashku me të po e braktiste errësirën e robërisë shekullore dhe po ecte drejt dritës, drejt një shenje që e kishte pikasur themeltari dhe burrështetasi i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Ecja në mungesë të tij, na e zgjati rrugën deri tek ai Vizion, që me mund e mbaruam më në fund. E kishim të vështirë të çlirohemi nga ankthi e mundimet, por edhe nga ankthi i mungesave dhe orientimeve, sepse ne ishim mësuar që ta dëgjonim dhe shihnim personalitetin e Tij, që të na printe dhe të na rreshtonte përtej atij vizioni në një vizion krejt të ri.

Presidenti ynë historik, dr. Ibrahim Rugova, realisht na nxori në rrugë dhe na orientoi drejtë familjeve evropiane e demokratike, si dhe drejtë civilizimit perëndimor , pra drejtë atyre shteteve, nga të cilat ne kishim interes jetik, pa ndihmën e të cilave ne nuk do të ishim këtu ku jemi sot.

Ishte meritë e Tij rreshtimi ynë në rrugën drejtë paqes, lirisë dhe demokracisë. Ishte meritë e Tij dhe e këtij populli të lashtë dhe me tradita humane e civilizuese. Përcaktimi ynë për këtë rrugë të vështirë dhe të gjatë nuk ishte i lehtë, por ishte e vetmja rrugë që do të na ofronte me botën demokratike e paqedashëse.

Ishte e vetmja rrugë që na pasuronte me miq dhe na dërgonte drejt oborrit të familjeve evropiane, falë shpirtit paqedashës të Tij.

Mbështjetja e veçantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj në Evropë e bëri kthesën më të madhe në historinë e fundshekullit njëzet. Falë vizioneve të Presidentit Rugova, Kosova është këtu ku është sot.

Kosova jo vetëm nuk u zhbë, por u bë shtet dhe shtëpi më vete, themelet e të cilit i vuri dr. Ibrahim Rugova, Ne të tjerët ishim në shërbim të këtij personaliteti, që falë Zotit, na u shfaq në momentet më delikate të ekzistencës së këtij populli. Edhe tash pas shtatë viteve, ne nuk mund të pajtohemi se Ai na la fizikisht, atëherë kur na duhej më së shumti.

Ai iku duke na lënë në rrugën e Tij, në mësimet e Tij, në përmbushjen e vizionit të Tij, në filozofinë dhe trashëgiminë e Tij politike, në shtetin që Ai e projektoi dhe po e gëzojmë dhe ndërtojmë sot, ne pra pasardhësit e Tij.

Jemi të vetëdijshëm për rrugën që e bëmë pa të. Patëm sfida të mëdha, por edhe përplasje e goditje nga më të ndryshmet. Patëm edhe ndërskamëza nga brenda dhe nga jashtë, por ne ecëm dhe nuk u ndalëm duke i qëndruar besnik këtij Themeluesi jo vetëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai është babai i Kosovës së Re, që rrodhi që nga Dardania e lashtë, në thellësitë e së cilës prehet Ai, përjetësisht në paqe, që aq shumë e deshi dhe e kultivoi.

3.
Sot pas shatë vjetësh, ne e kemi marrë veten, gjithmonë të udhëzuar nga mësimet e Tij, nga shembulli i Tij dhe nga e gjithë ajo trashëgimi politike që na e la.

Ne po rikthehemi fuqishëm aty ku deshi Ai, në Vizionin për një Kosovë të Re dhe të zhvilluar, me demokraci funksionale, drejtë integrimeve euroatlantike, me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mbështetjen dhe përkrahjen e këtyre të mëdhenjëve, që vetëm Zoti dhe Ai na i sollën në momentin më vendimtar.

Do të ecim rrugës së Tij me frymëzim edhe më të fuqishëm, duke e korrigjuar veten çdo ditë, duke e sforcuar qëllimin, por edhe duke e ndërtuar dhe zbatuar Vizionin e ri, që e kemi trashëgimi nga Ai, sepse Kosova ka nevojë gjithmonë për ne si pasardhës të tij.

Kosova si asnjëherë më parë ka nevojë për më shumë demokraci, për më shumë veprim dhe funksionalizim të shtetit ligjor, për më shumë zhvillim ekonomik, por edhe për ecje pa u hamendur drejtë procesit integrues, si i vetmi proces që na bën së bashku të gjithë ne shqiptarëve të shpërndarë në disa shtete të Ballkanit dhe të Evropës.

Kjo ecje e drejtë në rrugën e Tij, nuk kalohet pa e luftuar krimin e organizuar dhe krimin politik. Nuk kalohet pa i zbardhur gjithë ato krime që ndodhën përgjatë rrugës deri këtu ku jemi sot.

Nuk kalohet kjo rrugë pa e luftuar dhe çrrënjosur gjithë këtë korrupsion që është shtresuar viteve të fundit në shoqërinë tonë në të gjitha nivelet institucionale, që nga ato lokale e deri në qendër tek kupola e korrupsionit.

Kosova nuk do të ulet në vendin ku e meriton, pa e pasur LDK-në në krye, pa e pasur emblemën e demokracisë, si e vetmja trashëgimtare që Presidenti Rugova na e la.

Sot, shtatë vjet pas shkuarjes së Tij në amshim, ne duhet të jemi më të fortë se kurrë, më të përkushtuar se kurrë, por edhe më këmbëngulës se kurrë për të ecur rrugës që Ai e trasoi, pra të akëcilës rrugë që e shpie Kosovën në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në OKB, drejtë asaj rruge që e forcon miqësinë e përhershme me SHBA-të, gjithmonë duke e sforcuar dashurinë ndaj paqes dhe pavarësisë për më shumë liri, për më shumë tolerancë dhe për më shumë mirëkuptim për të gjithë.

Kjo as trasohet, as përmbyllet pa LDK-në dhe këtë duhet ta dinë të gjithë, derisa në rend të parë këtë duhet ta dimë ne. Këtë nderim që sot ia bëjmë presidentit Rugova, neve vetëm sa na obligon edhe si Kosovë, edhe si Gjilan.

4.
Presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova ishte i lidhur shumë me Gjilanin. Miqtë më të mirë te letrave dhe të kulturës i kishte pikërisht nga Gjilani.

Ai i kishte miq të mirë Beqir Musliun, Musa Ramadanin, Ibrahim Kadriun dhe shkrimtarë e personalitete të tjera të kulturës që vinin nga Anamorava. Besnikët më të mëdhenj të vizionit të tij i gjeti këtu në Gjilan, prandaj vizitën e parë në liri e realizoi pikërisht këtu në Gjilan ku u prit si njeri i shenjtë dhe si hero më 17 qershor të vitit 2000.

Edhe vizitën e fundit jashtë Prishtinës e realizoi po në Gjilan, atëherë kur na e bekoi bukën e re të tokës sonë më 19 korrik të vitit 2005. Gjilani nga presidenti Rugova u nderua në mënyrë të veçantë, por edhe Gjilani e nderoi vazhdimisht dhe do ta nderojë edhe më tej.

Duke u bashkuar edhe më shumë në rrugën e Tij dhe duke ndryshuar përmes filozofisë së Tij, ne i kemi dhënë një qëllim madhor dhe ky qëllim është rikthimi i LDK-së për ta udhëhequr këtë vend për hir të Kosovës dhe jo për hir vetëm të vetes. Kosova ka nevojë të rikthehet atje ku deshi

Ai. Kosova ka nevojë të realizohet ashtu siç e projektoi presidenti Rugova dhe e prezentoi kudo në botë, sepse ajo është Kosova që e dëshiron dhe e pret bota demokratike. Këtë do ta bëjmë, sepse Ai na ushqen dhe na frymëzon. Presidenti Rugova prinë me Veprën që na e la pas. I qoftë Lavdi!                                                               

(Autori është kryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan dhe deputet në Parlamentin e Kosovës).

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)