Bota dhe Kosova pas Zgjedhjeve në Amerikë
Shkruar nga Ramiz Tafilaj
Kam kaluar thuajse gjysmë shekulli të jetës sime në SHBA, dhe nuk mbaj mend të kemi pasur ndonjëherë më parë zgjedhje më të rëndësishme sesa këto presidencialet e fundit.
Nuk do mend se zgjedhjet në Amerikë përcillen me një vëmendje të vecantë nga të gjithë anekënd globit, por këto zgjedhjet e fundit krijuan një rritje enorme edhe të interesimit, por edhe polarizimit të vet amerikanëve.
Beteja e fundit zgjedhore nuk ka se si të përshkruhet ndryshe pos si një përplasje titanësh në garë për Zyrën Ovale.
Në njërën anë kishim Demokratin Joe Biden, një figure të spikatur të politikës amerikanë që thuajse ka kaluar pesë dekada në shërbim publik në poste të zgjedhura nga votuesi amerikan – kryesisht si Senator, pastaj si Zëvendës Presidenti, dhe tanimë edhe si President i 46-të i SHBA-ve.
Në anën tjetër, jo më pak i rendësishëm, ka qenë Republikani Donald Trump, një personalitet sa kompleks aq edhe pragmatik.
Mund të thuhet se Trump humbi garën për rizgjedhje si Shef i Shtëpisë së Bardhë, por të jeni të bindur se humbja e tij tani nuk shënon historinë më shumë sesa fitorja e tij katër vite më parë.
Kur secili priste që ai të humbëte edhe garën brendapartiake tek Republikanët, ai pati triumfuar. Vula e fitorës së tij u vendos kur Trump po ashtu fitoi edhe betejën zgjedhore presidenciale më 2016.
Për shumëkë, Presidenca Trump u vlerësua ndryshe, jo tradicionale. Por, efekti Trump krijoi një mendësi të vecantë tek elektorati dhe politikbërja amerikane.
Ai prodhoi pragmatizmin politik të slloganit të tij zgjedhor nga viti 2016, duke vënë gjithëherë Amerikën të parën. Kjo casje e Presidentit Trump nuk i shkoi aspak për shtati as atyre që historikisht konsideroheshin ‘aleatë të SHBA-ve.’
Por, ajo që duhet kuptuar është se shpeshëherë ‘aleatët historik’ të SHBA-ve për kohë të gjatë kishin ‘përdorur’ fuqinë ekonomike dhe ushtarake amerikane si mburojë për vete pa ofruar shumë në shkëmbim.
Trump, duke përdorë logjikën e një biznesmeni, insistoi që postulatin e famshëm ekonomik “there is no free lunch,” apo thënë figurativisht në shqip, “nuk ka asgjë falas.”
Zgjedhjet që tanimë po marrin epilogun, si rezultat i casjes së Trump, na shpërfaqën një përplasje titanësh sic e ceka qysh në fillim, pasi që krijuan një koalicion të gjerë botëror në përkrahje të Joe Biden që për bosht të përbashkët kishte idealet e globalizmit, dhe ideologjikisht ndjenjen e së majtës.
Karshi kësaj fryme globale qëndroi Trump, por assesi i vetëm. Edhe ky kishte përkrahje që rrjedhje përtej Amerikës, por nga një frymë komplet e kundërtë – nga një frymë antiglobaliste, shumë realiste, e afërtë me ndjenjën nacionaliste, do të thoja. Përplasja ishte globale, anipse zgjedhjet ishin Amerikane!
Ajo që është me rendësi për neve si shqiptarë ka të bëjë me pozitën tonë tani e tutje. Historikisht shqiptarët aleat të mocëm dhe të fuqishëm e kanë pasë Amerikën.
Kjo aleancë apo miqësi permanente sic do thoshte Presidenti historic Dr. Rugova nuk ka ardhë rastësisht. Përkundrazi, rol esencial këtu kanë luajtur shqiptarët e Amerikës, e specifikisht lobin ynë në Washington, DC, që tani e mbi tri dekada rresht udhëhiqet suksesshëm nga ish-Kongresisti arbëresh Joe DioGuardi dhe Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
Ata që nuk e kuptojnë apo nuk e njohin rolin e Ligës dhe DioGuardit, fatkeqësisht as nuk e kuptojnë e as nuk e njohin miqësinë tonë me Amerikën, po ashtu.
DioGuardi dhe një pjesë e madhe e komunitetit shqiptaro-amerikan kësaj rradhe u vu në përkrahje të Joe Biden, jo për shkak të ndonjë ideologjie apo bindje partiake, por kryekëput për shkak të historisë së punës të jashtëzakonshme që Joe Biden kishte bërë bashkë me Joe DioGuardin për Kosovën sidomos gjatë viteve të 1990-ta. Ndjenja kombëtare triumfoi më shumë se gjithëcka tjetër për shqiptarët këtu.
Sidoqoftë, historia jonë me Joe Biden është gurthemel i mirë për atë që mund të pritet nga Presidenca Biden, por puna vecse fillon në Janar 2021.
Asgjë nuk duhet marrë si e mirëqenë. Presidenti Biden nuk është më Senatori Biden, jo pse ai nuk don të jetë, por se tanimë përgjegjësitë e tij janë në Zyrën Ovale dhe jo në Senat.
Ai tanimë është i pari i Amerikës, jo njëri nga njëqind Senatorët e Amerikës. Por, nuk duhet vënë aspak në dyshim njohuritë dhe lidhjen edhe emocionale që ai ka me shqiptarët, për shkak të kalurës.
E këtë lidhje, shqiptarët kudo në Ballkan, e kryesisht ata në Kosovë, duhet ta shfrytëzojnë maksimalisht. Rastin dhe mundësinë e kemi. Por a do t’ia dalim, varet nga vendimet tona dhe ecja jonë politike si Kosovë.
Historia e Biden me shqiptarët që fillon nga viti 1991 në dëgjimin e parë të Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit ku Joe DioGuardi e bënë për vete dhe rrjedhimisht zë të fuqishëm për Kosovën Joe Bidenin me dëshminë e tij para Senatit, duhet të sendërtohet tutje.
Shto këtu edhe rolin e rendësishëm të komunitetit shqiptar në këto zgjedhje dhe në favor të Biden përmes Ligës dhe platëformës specifike që Liga kishte ngritur në koordinim me fushatën e Biden për President, të quajtur Albanians for Biden e të cilën e udhëhoqi suksesshëm Dr. Faton Bislimi nga Gjilani i Kosovës, një nga lobistit më të rinjë në Washington, krah i djathtë i DioGuardit dhe Ligës për afro dy dekada.
Profesionistët e rinjë me arritje akademike kulminante si Dr. Bislimi (i shkolluar në Harvard) janë aseti më i cmueshëm që politika kosovare duhet t’i vëjë në shërbim të vendit.
Ata e njohin dhe e kuptojnë secilin labyrinth të politikës së Washingtonit më mirë se shumëkush tjetër. Ata janë armë që shumë të tjerë në Ballkan nuk i kanë, dhe ne nuk duhet humbur këtë mundësi.
Marrëdhënjet tona me Amerikën nuk cënohen lehtë. Por, ato shumë lehtë mund të mos e prodhojnë rezultatin që ne si shqiptarë e duam dhe rezultatin për të cilin ka aq shumë nevojë Kosova.
Syqelë dhe vizionarë, së bashku dhe përtej interesave personale a partiake, ne mund të përfitojmë hatashëm nga Presidenca Biden. Përndryshe historia do na gjykojë për një rast të humbur e i cili vështirë se na përsëritet.
Përplasja e titanëve ka hapë mundësi titanike për ne nëse dijmë dhe duam t’i shfrytëzojmë – për interesin madhor kombëtar!
/Autori është shqiptaro-amerikan dhe activist i shquar i kauzës kombëtare në SHBA. Për punën e tij vullnetare dhe filantropiste, ai në vitin 2018 është nderuar me Cmimin Jetësor të Arritjes nga Presidenti Donald Trump/