23 Dhjetor 2024

Besëpremja në kremten e besëlidhjes

Milazim Krasniqi

Mungesa e presidentit të Shqipërisë, Bamir Topit, në shënimin e 568 vjetorit të Kuvenditt të Lezhës, sido që të ketë ndodhur dhe nga kushdo që të jetë shkaktuar a pamundësuar, paraqet një episod të ri të hidhur të papërgjegjësisë shtetëtore, me të cilën Shqipëria kaherë është e tejngopur. Ka disa muaj që presidenti në detyrë pothuajse është shpallur persona non grata në vendin e vet.

Ngulfatja e funksionit të presidentit dhe përpjekjet që të denigrohet personaliteti i tij, me siguri e kanë një pjesë të tagrit për bllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Nuk është rasti këtu që të analizohet performansa dhe gabimet eventuale të presidentit Topi, po është rasti të denoncohet tendenca primitive e eliminimit të zërit të presidentit të shtetit.

Nëse ai president ka bërë shkelje të Kushtetutës, ka procedura parlamentare e ligjore për ta denoncuar atë shkelje. Por, eliminimi i pjesëmarrjes së tij në një kremte, me urdhëra që ndërrojnë agjendën e protokollit të shtetit, janë shkelje të rënda ligjore e edhe morale.

Në të vërtetë, problemi është më së shumti moral. Si është e mundshme që të shkohet në vendin ku kremtohet besëlidhja shqiptare e të promovohet besëpremja? Në fakt, sipas komunikatës nga zyra e presidentit Topi, në ftesën e dytë që i ka shkuar nga organizatori, ka ndodhur besëpremja, sepse presidenti është fshirë nga lista e folësve në kremte.

Nuk e besoj se ka ndonjë person që mund të jep përgjigje logjike se si është e mundshme që në një ngjarje kulmore kombëtare, të mund të privohet nga e drejta e fjalës presidenti i shtetit, i cili me kushtetutë është simbol i unitetit të popullit.

Por, duket se as që ka ndonjë përpjekje për të dhënë ndonjë përgjigje logjike. Po të kishte përgjigje logjike e sjellje të përgjegjshme, Shqipëria tashmë do ta kishte marrë statusin e shtetit kandidat për integrim në Bashkimin Europian e mbase edhe datën e fillimit të negociatave të anëtarësimit.

Por, meqë nuk ka përgjgije logjike e sjellje të përgjegjshme të drejtuesve të shtetit, të qeverisë e të opozitës, qytetarët e Shqipërisë janë të penalizuar që të të vegjetojnë jashtë oborrit të paraintegrimit.

Ndërsa, brenda shtetit, qytetarët e Shqipërisë janë të detyruar t’u nënshtrohen seancave të tmerrshme të përpunimit psikologjik nga ana e liderëve kryesorë, ditë për ditë e natë për natë. Terrori psikologjik edhe ka dhënë efektet e veta, sepse ka urrejte e më pak dashuri, më shumë ka inate patiake se sa solidaritet shoqëror.

Thjesht, një pjese të qytetarëve u është deformuar mënyra e rezonimit politik nga terrori afatgjatë i propagandës partiake.  Si rezultat i këtij deformimi, ka qenë edhe rrënimi i shtetit në vitin 1997, edhe mospramimi sistematik i zgjedhjeve, edhe protestat e dhunshme të 21 janarit.  Në një atmosferë të këtillë, poshtërimi i presidentit është “triumfi i radhës” i hakmarrjes primitive politike.

Megjithatë, kjo hakmarrje primitive ndaj presidentit të shtetit, është një rast për reflektim më të thellë të të gjithëve. Nëse 568 vjet pas një ngjarjeje që kremtohet si themeli i bashkimit dhe i unitetit kombëtar, ndodh një kësi skandali, një këso besëpremje, gjërat duhet të shikohen me sy kritik.

Në këtë kontekst, janë vetëm dy mundësi: ose nuk ka ngjitur asnjëherë një besëlidhjeje e mirëfilltë e ne shqiptarëve, por e kemi kompensuar me legjenda, ose jetojmë në një kohë kur degradimi, si pasojë e ;moralizimit kommunist, ka njollosur e shkelur me të dyja këmbët edhe traditat më sublime të bashkimit e të unitetit tonë. Me siguri që është kjo e dyta. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)