25 Dhjetor 2024

Basri mos rrej

Shkruar Xhevat Bislimi

(Në emër edhe të anëtarëve dhe votuesëve të PDK në Viti)

Po i them mos rrej njeriut që nuk mund ta mendoj jeten dhe fundin e tij pa rrejt, po i them edhe njeherë Basri Musmuratit, i vetëshpallur (për qejfin e dikujt, nga njëra anë, dhe për inat të dikujt, nga ana tjetër) pa marre hic sekretar i pergjithshëm në PDK.

Para tij këtë funksion do ta meritonin të paktën 50 mijë anëtarë të PDK, por asnjëri prej tyre nuk do të pranonte të luante lojën e tij të poshtër në këtë parti. Edhe kësaj here nuk do ta shkruaja kurrë këtë reagim me dëshirën time.

Por, Basri Musmurati vërtetë e qelbi PDK dhe opinionin publik me rrenat dhe dezinformatat e tij të ulëta. Nëse ky njeri nuk ka pikë konsiderate për personin e tij dhe për PDK mendoj që do të duhej të kishte pak konsideratë për publikun e gjerë.

Sonte, për të satën herë Basri Musmurati lëshoi rrenën e tij të radhës në dëm dhe në kurriz të Degës së PDK-së, në dëm dhe në kurriz të Vitisë dhe, në dëm dhe në kurriz të kandidatit të saj për kryetar komune.

Pa iu skuqur fytyra, pa iu dridhur zëri, tamam si një njeri i mësuar me rrenën, si dikush që nuk mund ta mendoj jetën e tij pa rrenën, ai rrejti dhe dezinformoi opinionin publik duke deklaruar pa fije turpi se “Kryesia qendërore (Partia) e paska propozuar dhe nominuar kandidat për kryetar komune Nexhmedin Arifin”.

Dihet botërisht se i vetmi kandidat nga Dega e PDK në Viti jam propozuar dhe votuar unë (Xhevat Bislimi) në mënyrë unanime nga Kryesia e Degës dhe nga Këshilli i kësaj Dege. Edhe në Kryesinë qendërore kam qenë i vetmi kandidat i miratuar.

Kjo është bërë në marrëveshje të plotë me Hashim Thacin dhe disa anëtarë të Kryesisë. “Kumbar” i kësaj kandidature ka qenë nënkryetari dhe zëvendëskryeministri, Haredin Kuqi, i cili edhe është marrë vesh me Kryetarin e Degës, Daut Xhemajlin, të cilin unë dhe Dega e mendonim të ishte kandidat për kryetar komune.

As Hashim Thaci dhe asnjë anëtar tjetër i Kryesisë së PDK nuk ka bërë propozim tjetër dhe as nuk ka përmendur emër tjetër për kandidat në Komunën e Vitisë. Mbledhja e fundit e Kryesisë është mbajtur më 4 shtator, në orën 17-18 (afërsisht).

As në këtë mbledhje dhe në asnjë mbledhje të Kryesisë nuk është përmendur emri i Nexhmedin Arifit për kandidat. Kjo mund të vërtetohet edhe me procesverbalet e këtyre mbledhjeve. Unë kam qenë i vetmi kandidat që kam plotësuar formularin për kandidat brenda afatit ligjor.

Edhe lista e kandidatëve për këshilltarë komunal është miratuar dhe votuar në mënyrë unanime nga Kryesia e Degës dhe nga Këshilli i Degës dhe është dorëzuar  brenda afatit ligjor.

Kryesues i listës është Kryetari i Degës, Daut Xhemajli. Deri në orën 24, të datës 4 shtator, nuk është plotësuar dhe as dorëzuar asnjë formular tjetër për kandidat për kryetar ose për këshilltarë komunal për Vitinë.

Nëse pas këtij afati ligjor do të dorëzohen formular dhe kandidatura tjera për Vitinë (të ndryshme nga ato që ka dorëzuar Dega e PDK dhe që janë miratuar nga Kryesia qendërore e PDK) do të konsiderohen ilegale, të kundërligjshme dhe mafioze. Për këto veprime manipulative dhe mafioze përgjegjës direkt do të jetë Basri Musëmurati.

Nexhmedin Arifi nuk është në PDK dhe rrjedhimisht nuk mund të jetë kandidat I PDK, sepse: Ka katër vite që ka braktisur PDK, ndërsa ka tri vite që nuk ka qeverisë me PDK në Viti, por me LDK, AAK, AKR dhe LDD.

Nexhmedin Arifi nuk ka marrë pjesë në procesin e fundit zgjedhor të PDK në Viti. Vetëm në kuvendin e nëndegës së PDK në Sllatinë të Epërme (në fshatin e tij) ka marrë pjesë, por as kjo nëndegë nuk e ka dërguar delegat për Kuvendin e Degës. N. Arifi nuk mund të jetë kandidat edhe për arsye të proceseve gjyqësore dhe hetuese që po zhvillohen ndaj tij.

Ambasadorja amerikane u detyrua edhe publikisht të kërkoj që të largohen nga pozitat zyrtare dhe nga procesi i kandidimit ata që kanë probleme me ligjin.

Po kush pyet për Amerikën…! Nuk po i radhisë këtu (s’po dua me e lodhë lexuesin, sepse janë të njohura) veprat dhe aferat e shumta korruptive të N. Arifit. Si njeri shpreh keqardhjen time për të, sepse, sipas meje dhe sipas asaj që ka dëshmuar këto vitet e fundit, ky njeri është i kapur keq.

I zënë ngushtë është i detyruar ta hedhë vallen që nuk i pëlqen dhe që me dëshirë nuk do ta luante kurrë. Prandaj, nuk ka gjë më të ligë dhe më të ulët se sa ta përdorësh një njeri të tillë për ta goditur Degën e Vitisë dhe vetë Vitinë.

Pas mbarimit të afatit për dorëzimin e listave në KQZ kam dëgjuar lloj-lloj bisedash e spekulimesh, por nuk kam dashur t’i komentojë, sepse nuk e besoja që dikush mund të vendosë jashtë organeve dhe vendimeve të Partisë dhe pas mbarimit të afatit ligjor për dorëzimin e listave dhe të kandidaturave.

Deklarata e Basri Musëmuratit në televizionin “Klan Kosova” ishte e pabesueshme për anëtarët dhe votuesit e PDK në Viti dhe për gjithë PDK.

Kjo deklaratë-rrenë e Basri Musëmuratit i habiti edhe anëtarët e Kryesisë së PDK, të cilët as nuk kishin dëgjuar emrin e Nexhmedin Arifit në mbledhje të Kryesisë e lëre më të jetë propozuar apo votuar për te. E vetmja kandidaturë në mbledhjen e Kryesisë ka qenë kandidatura ime (XH. B.).

 I them publikisht Basri Musëmuratit të mos bëhet legenë ku të tjerët lajnë duart e tyre të pista, por të shkojë e ta gëzoj pensionin e tij me nipër e me mbesa, sepse PDK dhe ky vend nuk ka nevojë për pensionistë me ide moti të pensionuara të Rugovës, për njerëz të korruptuar dhe të implikuar në krim të organizuar, për mashtruesë e uzurpatorë, por ka nevojë për ide dhe koncepte modern evropiane.

Dua të besoj që Hashim Thaci nuk do të bjerë nën presionin e atyre që të gjitha energjitë e tyre i përdorin për kontrollimin e tenderëve, të tregtisë dhe pasurive të këtij vendi, nën ndikimin e atyre që po kërkojnë ta kapin për fyti edhe të ardhmen e këtij vendi.

Dua të besoj që Kryeministri i një vendi nuk do të bëhet shkelësi më i madh i statutit të Partisë (sic ka ndodhur shpesh), i vendimeve të organeve të PDK, i ligjit zgjedhor dhe i demokracisë, duke dërguar lista të pamiratuara nga organet e Partisë dhe pas mbarimit të afatit ligjor.

Këta kandidate dhe këto lista do të ishin ilegale, kundërligjore dhe mafioze., do të ishin vetëm lista të rrenacakut më të madh të kohës, Basri Musëmuratit dhe të nëntokës së Vitisë, por jo të Degës së PDK në Viti.

Kërkoj falje nga familjarët dhe nga miqtë (nëse i ka mbet ndonjë) e Basriut, sepse nuk është e lehtë as për mua të bëjë këtë reagim dhe të përdor këtë fjalor, por nuk më ka lënë rrugë tjetër ky njeri me të cilin dikur ndaja edhe dhomën e burgu.

Me Basri Musëmuratin dhe me ata që rrinë prapa tij kjo parti (PDK) do ta ketë fatin e Partisë së Basri LDK-së. Të vjen keq për këtë vend kur shikon në TV “figura” të këtilla të shpenzuara që vetëm për marë e për mirë nuk din dhe nuk duan të mendojnë e të veprojnë kurrë.

/Autori është njëri nga themeluesit e PDK anëtar i Kryesisë qendërore të saj/

                                                 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)