Bashkimi kombëtar si aspiratë dhe realitet
Shkruar nga Xhavit Haliti
Veçoria jonë kombëtare mendoj se është një arsye e rëndësishme, por kurrsesi jo e vetme për ruajtjen, fuqizimin e manifestimin botërisht të ndjenjës kombëtare të shqiptarëve.
Dihet që për gati një shekull, shqiptarët, shtetas të ish-Federatës së Jugosllavisë, nuk u ndjenë kurrë të barabartë, sepse në vazhdimësi, si nga Beogradi mbretëror ashtu edhe nga ai komunist, u diskriminuan dhe u trajtuan teorikisht dhe realisht si qytetarë të rangut të dytë.
Dallimi i dukshëm kombëtar nga sllavët, me të cilët nuk kishim një gjuhë, një kulturë, një fe dhe praktika tradicionale zakonore, i përballur dhe me dhunën shtetërore, shkaktoi te të gjithë shqiptarët efektin e kundërt.
Shqiptarët në Kosovë e fuqizuan ndjenjën kombëtare dhe aspiratën shekullore për bashkim kombëtar në kuadër të një shteti. Bashkimi kombëtar ka qenë frymëzim dhe objektiv i gjithë veprimtarisë time, por edhe i tërë bashkëmoshatarëve të mi, të cilësuar nga Beogradi irredentistë dhe nacionalistë.
Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se bashkimi kombëtar vazhdon të mbetet jo vetëm aspiratë dhe objektiv i ish-luftëtarëve të UÇK-së, por i mbarë shqiptarëve që jetojnë në vazhdimësi territoriale edhe pas ndarjeve të kufijve politike mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi Kombëtar ka qenë, është dhe do të mbetet aspiratë e çdo shqiptari që i thotë vetes shqiptar. Por, realizimin i një aspirate kaq madhore, që frymëzohet e merr forcë nga mbarë një popull i ndarë, kurrsesi nuk duhet të ndikohet nga emocionet dhe, ca më pak, nga interesat politike të momentit.
Mendoj se festimet madhështore e mbresëlënëse të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë i shërbyen, para dhe pas 28 Nëntorit, fuqizimit emocional të idesë së bashkimit kombëtar.
Dhe, ndikuan fuqishëm, sepse: së pari, 100-vjetori i pavarësisë, natyrshëm, sensibilizoi dhe aktivizoi mbarë shqiptarët për të shfaqur identitetin e përbashkët kombëtar dhe për të manifestuar përkatësinë individuale ndaj tij; së dyti, mbarë shqiptarët, me ndjesinë e të qenurit shqiptar, patën mundësinë dhe rastin për tu shfaqur dhe për tu ndjerë krenar e të barabartë për identitetin kombëtar mes bashkësisë së kombeve të botës.
Por, mitingu i Vlorës, i 27-nëntorit, me pjesëmarrjen mbresëlënëse të shqiptarëve nga trojet tona etnike në Ballkan e më gjerë, krijoi në politikë, më tepër se në opinionin publik, një imazh të pasaktë për forcën e kombit, që do të bashkojë shqiptarët.
Deklarimet e ekzekutivit të Shqipërisë edhe pse përziejnë dëshirën (ndjenjën) me realizimin, krijojnë pështjellim. Ato pëlqehen nga unë, nga shokët e mi të luftës e të politikës në pushtet; pëlqehen jo vetëm nga Vetëvendosja, por edhe nga gjithë partitë shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe në mbarë trevat etnike shqiptare në Ballkan.
Bashkimi kombëtar i mbarë shqiptarëve, që jetojnë në trojet e tyre etnike, ka qenë, është dhe do të mbetet një aspiratë e ligjshme dhe e pritshme për tu realizuar kur gjithë Ballkani të bëhet pjesë e BE-së. Realiteti aktual politik, ekonomik dhe gjeopolitik nuk e favorizon, për të mos thënë që është hapur kundër me idenë e bashkimit kombëtar.
Ismail Kadare, shkrimtari që na ka dhënë shumë emër shqiptarëve në Botë, kur u ndodh në një mëngjes pune me presidentin e Francës, Zh. Shirak, përballë pyetjes së bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, iu përgjigj se nuk do të ndodhte pa u krijuar kushtet (evropiane dhe ballkanase).
Edhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Arvizu, kur u përball me këtë çështje u shpreh: Më lejoni të jem i qartë si kristali, absolutisht i qartë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin ndryshimin e kufijve kombëtar në rajonin e Ballkanit. Çdo përpjekje për ta bërë këtë, është kundërproduktive dhe destabilizuese.
Mendoj se dy referencat e fundit e mbyllin këtë shkrim që është dhe do të mbetet për problematikën i diskutueshëm. Por, jo vetëm besoj, por edhe jam i bindur, që aspiratë e mbështetur dhe e udhëhequr nga arsyeja është pashmangësisht e realizueshme.