21 Prill 2025

Bashkimi i popullit të ndarë

Shkruar nga Rexhep Qosja 

Ideja e bashkimit kombëtar është ide e krijuar pas pushtimit të më tepër se gjysmës së trojeve shqiptare prej fqinjve ballkanikë në vitin 1912.

Ideja e bashkimit kombëtar nuk është ide e shtetit amë dhe e pakicave që kanë mbetur jashtë kufijve të tij, por ide e popullit të ndarë. Kjo i bën të natyrshme dhe të ligjshme përpjekjet për sendërtimin e kësaj ideje . Ideja e bashkimit kombëtar është ide e madhe që më tepër se çdo ide tjetër e ka lëvizur historinë shqiptare.

Ndaj kësaj deklarate historike u reagua siç dhe mund të hamendësohej: U reagua mirëkuptueshëm prej intelektualëve tanë të orientimit kombëtar. U reagua matur prej Bashkimit Evropian.

U reagua refuzueshëm prej disa intelektualëve tanë të orientimit mondialist e neoliberalist. Dhe, u reagua gati kërcënueshëm, me gjuhën e të kaluarës së pandryshuar ndaj shqiptarëve, prej Qeverisë së Serbisë.

Ata që reaguan refuzueshëm dhe ata që reaguan gati kërcënueshëm ndaj deklaratës së Edi Ramës treguan se s’deshën të dinë: e para, se shqiptarët janë popull dhunshën i ndarë, prandaj përpjekjet e tyre për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë janë të natyrshme e të ligjshme.

Bashkimi i dy Gjermanive është njëri prej më shumë shembujve të bashkimit të popujve të ndarë. Dhe, e dyta, në kohën e integrimeve evropiane dhe planetare mospajtimi me bashkimin e një populli të ndarë është mospajtim me proceset demokratike moderne.

Uroj që ata të cilëve iu ka takuar fati të marrin pjesë si politikanë dhe shtetarë në procesin e integrimeve gjithëkombëtare, si parathënie institucionale e shpirtërore në bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, të mos harrojnë se, siç e thonë ekonomistët e sotëm humanistë, neoliberalizmi është i papërgjegjshëm në pikëpamje shoqërore dhe i pandjesi në pikëpamje morale.

Idetë janë ato që e lëvizin botën, por, siç e ka thënë njëri prej nismëtarëve të Bashkimit Evropian, institucionet i bëjnë njëmendësi të sendërtuar ato ide. Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen dhe do të bashkohen në mënyrë klasike qoftë jashtë Bashkimit Evropian qoftë në Bashkimin Evropian.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)